Ndërlidhjet

KUÇI:”SFIDA MË E MADHE ËSHTË VETË SHPALLJA E PAVARËSISË”


Blerim KUÇI, Ministër i Punëve të Brendshme

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kuçi, situata e sigurisë në Kosovë vazhdon të jetë një prej sfidave më të rënda, posaçërisht pas shpërthimit të dy ditëve më parë. Ju, si e vlerësoni situatën e sigurisë?

BLERIM KUÇI
Për ne, si Ministri e Punëve të Brendshme, rasti i fundit i shpërthimit në Prishtinë është mjaft shqetësues. Mirëpo, unë besoj se Shërbimi Policor i Kosovës, në fakt sektorët e tij të hetuesisë, do ta kryejnë punën e tyre ashtu siç duhet dhe akterët e këtij krimi së shpejti të vendosen para drejtësisë. Në këtë aspekt, e kemi situatën nën kontroll. Normalisht që procesi i definimit të statusit do të na sjellë para disa sfidave, por SHPK-ja, bashkë me mekanizmat tjerë të sigurisë, i ka marrë të gjitha hapat, të gjitha veprimet për t’u përballur edhe me një situatë të mundshme, që mund ta sfidojë situatën e sigurisë në përgjithësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju, në përgjithësi, si e vlerësoni situatën e sigurisë?

BLERIM KUÇI
E qetë, por e brishtë – është një fjali që e përdorim zakonisht, por vërtet edhe është ashtu.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, pra ai i statusit dhe i zgjedhjeve, do të mund të ndikojnë në situatën e sigurisë së përgjithshme?

BLERIM KUÇI
Po, ato mund të ndikojnë, mirëpo, edhe planet tona të punës janë të tilla që të veprojmë konform situatave të mundshme, konform situatave që mund të imagjinohen. Do me thënë, përpjekjet tona janë të mëdha në aspektin e menaxhimit me këto situata, komplet mekanizmat e sigurisë, të KFOR-it, të SHPK-së dhe të policisë së UNMIK-ut. Unë mendoj se ajo strategji paraprake veç është, ndoshta duhet të përmbushet me disa detaje. Normalisht, në këtë aspekt, ne kërkojmë edhe përkrahje prej qytetarëve, që të jenë të kujdesshëm, syçelë dhe të besojnë tek institucionet e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa jeni në kontroll të situatës së sigurisë në rajonet e banuara me shumicë serbe, posaçërisht në veri të Kosovës?

BLERIM KUÇI
Prapë duhet të përmend mekanizmat për siguri, KFOR-in, SHPK-në, policinë e UNMIK-ut. Megjithatë, ne e dimë se në veri veprojnë edhe institucionet paralele serbe. Ne bëjmë përpjekje maksimale që ta koordinojmë punën edhe me qytetarët serbë atje, që edhe ata të kenë besim tek institucionet tona, duke pasur parasysh edhe ndikimin e Beogradit tek serbët në veri. Mirëpo, besoj se edhe serbët në Kosovë do të sillen konform situatave të reja, konform një statusi të ri në Kosovë dhe të kenë besim tek institucionet tona. Ne kemi besim te KFOR-i, te SHPK-ja. Në këtë aspekt, besoj se edhe serbët e Kosovës e kanë një besim ose ai besim është duke u rritur. Shtrirja është, por është një pikëpyetje kualiteti i shtrirjes. Ne kemi shtrirje edhe në pjesën veriore të Kosovës, edhe andej Ibrit. Mirëpo, kualiteti i shtrirjes nuk është ai i duhuri. Ne po punojmë në kuadër të këtij plani të veprimit, konform kësaj situate. Ne besojmë se do të kemi shtrirje edhe më të mirë. Vetë statusi i ardhshëm i Kosovës, definimi i statusit të Kosovës i heq edhe ato dilema. Besoj se pas statusit të ardhshëm të Kosovës, serbët, si pakicë në Kosovë, do të kthehen qind për qind kah institucionet e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqë muajt e ardhshëm janë vlerësuar si thelbësorë për të ardhmen e Kosovës, sipas jush, çka mund të konsiderohet problematike në aspektin e sigurisë?

BLERIM KUÇI
Disa herë kemi thënë se vetë definimi i statusit ka mundësi të sjellë pakënaqësi të ndonjë grupi të komuniteteve të ndryshme dhe ajo është një sfidë për ne. Po ashtu edhe ky proces, para definimit të statusit dhe pas definimit, është një sfidë. Ne po bëjmë përpjekje maksimale që ta menaxhojmë këtë situatë. Sfida më e madhe është vetë shpallja e pavarësisë, për shkak se pritet ose imagjinohet të ketë disa pakënaqësi. Mirëpo, në fakt, shpallja e pavarësisë i eliminon edhe shumë sfida, do me thënë të dyja zhvillohen paralel, edhe sfida rreth një jostabiliteti, edhe një mesazh për stabilitet. Ndikimi i Beogradit, po shihet me deklaratat e tyre, ndaj pakicës serbe është shumë i qartë, kërkon një lloj rebelimi ndaj institucioneve tona, ndaj vetë statusit, ndaj vetë shpalljes së pavarësisë. Se sa do të ketë ndikim, unë nuk e di saktësisht, mirëpo kërkesat e tyre janë permanente ndaj pakicës serbe.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI

XS
SM
MD
LG