Ndërlidhjet

QYTETARËT S’PRESIN ASGJË NGA TAKIMI NË NJU JORK


Bekim Bislimi

Duke u nisur nga pozicionimet që kanë dhe mbrojnë pala serbe dhe ajo shqiptare, nuk mund të pritet asnjë rezultat nga bisedimet në mes Prishtinës dhe Beogradit, në Nju Jork, në kuadër të procesit për definimin e statusit politik të Kosovës. Kështu thonë disa qytetarë të Prishtinës. Tahir Aligjiku shpreh mendimin se propozimi serb për autonomi substanciale për Kosovën në kuadër të Serbisë, që pritet të bëhet në Nju Jork, është i papranueshëm për palën kosovare, e cila do të ofrojë traktatin e fqinjësisë së mirë në mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura. ”Thënë shkurt, asgjë nuk pres. Komuniteti ndërkombëtar do të veprojë dhe shpresoj që synimet tona të realizohen. Përndryshe, bisedimet, sikur të mbahen në Mars apo në Hënë, nuk do të rezultojnë me asgjë”, shprehet zoti Aligjiku. Milaim Berisha thotë se Grupi kosovar i Unitetit, në takimin e Nju Jorkut, nuk ka të drejtë të lëshojë pe për asgjë që bie ndesh me vullnetin e popullit shumicë në Kosovë. “Me autonomi, me federata, me konfederata ka përfunduar ish-Jugosllavia. Projekti, programi që ka ofruar Ekipi i Unitetit, për mua, është një projekt që është dashur t’i ofrohet Serbisë pas 10 vjetëve, jo tash. Kompromiset që i ka bërë Ekipi i Unitetit, duke qenë shumë lojal ndaj faktorit ndërkombëtar, vetes i ka shkaktuar dëm. Nga ky takim nuk pres asgjë. Unë pres nga Ekipi i Unitetit vetëm verdiktin e popullit. Nëse bëjnë ndonjë kompromis tjetër, është mirë të qëndrojnë në Nju Jork ose diku tjetër. Prandaj, nuk pres asgjë”, thotë zoti Berisha. Arben Nitaj po ashtu shpreh mendimin se nuk do të ketë ndonjë rezultat, si kompromis të palëve në takimin në Nju Jork. ”Nuk do të ketë rezultat, për arsye se jo vetëm 120 ditë, por edhe 10 vjet nëse shtyhen negociatat, palët nuk do ta ndërrojnë qëndrimin. Do me thënë, Serbia është për autonomi substanciale në kuadër të Serbisë tani, Kosova është për pavarësi dhe jo që nuk duan, por nuk guxojnë të luajnë nga ai qëndrim. Nuk ka kompromise”, thotë zoti Nitaj. Ngjashëm thotë edhe Abaz Osmani, sipas të cilit, jo vetëm që nuk do të ketë ndonjë kompromis në takimin e Nju Jorkut, por as ofrim qëndrimesh në mes palës shqiptare dhe asaj serbe. ”Serbia nuk lëshon pe nga qëllimet e saj, që edhe më tutje të sundojë me Kosovën, kurse kushtet që janë krijuar, tregojnë se Serbia nuk ka çfarë të kërkojë më në Kosovë. Delegacioni i Kosovës, që merr pjesë në bisedimet e Nju Jorkut, është qartë i përcaktuar që të bisedojë vetëm për pavarësinë dhe për asnjë variant tjetër”, thekson zoti Osmani.
Të njëjtit qytetarë shprehin mendimin se procesi për definimin e statusit politik të Kosovës dhe variantet e mundshme, do të jenë më të qarta pas bisedimeve 120 ditëshe, të cilat përfundojnë më 10 dhjetor të këtij viti. “Tash kjo varet prej konstalacionit të forcave në arenën ndërkombëtare. Është pikëpyetje e madhe se a duhet ta shpallim pavarësinë në mënyrë të njëanshme. Por, shtrohet pyetja, nëse ajo pavarësi do të miratohet ose do të aprovohet nga komuniteti ndërkombëtar”, thotë Tahir Aligjiku. Ndërsa Milaim Berisha shprehet: “Duhet të shpallet pavarësia e Kosovës, sepse nga krizat që janë shfaqur, është mirë që ne t’i paraprijmë disa çështjeve. Ai që do ta pranojë, le ta pranojë”. Arben Nitaj thotë: “Ndërrimi i rezolutës me një rezolutë të re, nuk ndodh. E vetmja mundësi është që shqiptarët të përgatitën për shpalljen e pavarësisë. Mendoj që ky Parlament është dashur ta bëjë shpalljen, por pasi që na u imponuan zgjedhjet, mendoj që Parlamenti i ri duhet ta shpallë pavarësinë dhe ta shpallë gjendjen e jashtëzakonshme. Kështu që ne duhet ta bëjmë vetë pavarësinë”. Kurse Abaz Osmani shprehet: “Fundi i procesit duhet të jetë i natyrshëm. Kosova duhet ta fitojë pavarësinë, për të cilën ka investuar me shekuj, prej gjeneratës në gjeneratë. Kështu që rrjedha normale e përfundimit të këtyre bisedimeve duhet të jetë pavarësia, njëherë e përgjithmonë”.

XS
SM
MD
LG