Ndërlidhjet

ISLAMI:“ZGJIDHJA E VETME – NJË REZOLUTË E RE PËR KOSOVËN”


Iliriana ISLAMI, ligjëruese e së Drejtës Ndërkombëtare në UP

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Islami, negociatat ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të dyja palët, madje edhe disa përfaqësues ndërkombëtarë, janë duke i cilësuar si negociata që nuk mund të sjellin ndonjë rezultat. Pse atëherë mendoni se po zhvillohen ato?

ILIRIANA ISLAMI
Realisht, që në fillim, është ditur se palët kanë kërkesa diametralisht të kundërta dhe nuk mund të arrijnë ndonjë rezultat në bisedime. Edhe pse është ditur atëherë një çështje e tillë, u kaluan në bashkësinë ndërkombëtare. Mirëpo, meqenëse edhe në bashkësinë ndërkombëtare kishim shtete që konsideronin se do të duhej, pra Rusia ishte ajo që konsideronte se do të duhej përsëri të zhvillohen negociatat mes dy palëve, atëherë është konsideruar se duhet të zhvillohet përsëri një raund i ri i bisedimeve, në mënyrë që të arrihet së paku ndonjë rezultat. Meqenëse, lidhur me çështjen primare se a do të duhej të jetë pavarësi apo diçka tjetër, përsëri konsiderohet se nuk mund të arrihet ndonjë mendim i përbashkët i këtyre dy palëve, atëherë është konsideruar se do të duhej që së paku të arrihej ndonjë marrëveshje e palëve për disa çështje teknike. Prandaj, shihet edhe një hap pozitiv i palës shqiptare, se ajo është paraqitur me një projekt, traktat, që konsideron se do të duhej të arrihej diçka, që së paku të paraqiten dy subjekte të reja ndërkombëtare, që mund të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore në të drejtën ndërkombëtare, pasi që vetë bashkëjetesa paqësore është një parim që kërkohet në të drejtën ndërkombëtare, pra që ta përmbushë një shtet. Prandaj, ma merr mendja që ky projekt, që është paraqitur nga ana e palës shqiptare, është diçka që tregon se pala shqiptare ka atribute të shtet-formimit dhe konsideron se do të duhej të përmbushej po ashtu edhe vetë çështja tjetër e bashkëjetesës paqësore. Prandaj, mund të konsiderohet se është një hap i parë, që, në njëfarë mënyre, e prenë këtë rreth vicioz, edhe pse përsëri mund të thuhet se deri në fund, negociatat nuk mund të arrijnë ndonjë rezultat, për arsye se palët nuk mund të arrijnë diçka që e kërkojnë, pasi që ato janë krejtësisht të kundërta.

RADIO EVROPA E LIRË
Treshja ndërkombëtare është duke bërë përpjekje që të gjejë një zgjidhje për statusin e Kosovës, duke insistuar që kjo zgjidhje të jetë e pranueshme për të gjithë. A mendoni se një gjë e këtillë është e mundshme?

ILIRIANA ISLAMI
Zakonisht, në të drejtën ndërkombëtare kërkohet konsensusi i shteteve. Për çdo çështje konsiderohet se duhet të arrihet një konsensus i shteteve. Megjithatë, çdoherë në çdo çështje ekzistojnë disa palë që nuk e pranojnë, apo fillimisht nuk e pranojnë, mirëpo, pas kalimit të një afati kohor, pastaj edhe pranohen si situata ‘de facto’ të reja të krijuara dhe mandej ajo bie që hap pas hapi, apo gradualisht, të bëhet një pjesë e re apo paraqitje e re e situatës së re dhe ajo pranohet si e tillë. Për shembull, shteti i Izraelit, edhe pse është krijuar qysh në fillim, gjithmonë ka pasur shtete që nuk e kanë pranuar - shtetet arabe nuk e kanë pranuar si shtet. Ndërsa tani, edhe shteti i Izraelit është në Organizatën e Kombeve të Bashkuara si anëtar, mirëpo, nuk është kërkuar që edhe shtetet arabe ta njohin si shtet. Prandaj, edhe nuk e kanë njohur. Çështjet e reja, situatat ‘de facto’, paraqiten, pranohen, apo mund të refuzohen për një kohë të caktuar, mandej me kalimin e afateve kohore pranohen. Kështu që është me rëndësi që të kemi situata të reja të krijuara dhe pastaj arrihet që një pjesë e shteteve ta kenë një konsensus të përbashkët.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i shihni ju zhvillimet pas 10 dhjetorit?

ILIRIANA ISLAMI
Sigurisht që bisedimet mes palëve do të përfundojnë pa ndonjë rezultat. Pastaj, varet edhe nga bashkësia ndërkombëtare se si do të japë sinjale për vetë Qeverinë e Kosovës. Pra, varet nga ajo se a do të kërkojnë që të bëhet shpallja e menjëhershme e pavarësisë, pra a do ta mbështesin menjëherë, apo ndoshta edhe do të kërkojnë përsëri një periudhë kohore deri që të bëhet shpallja e pavarësisë, që t’i koordinojnë qëndrimet Bashkësia Evropiane me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kryesisht, në mënyrë që të bëhet përkrahja e shtet-formimit të ri të Kosovës. Zgjidhja e vetme dhe më e mirë do të jetë që të nxirret përsëri një rezolutë e re, apo të ndryshohet Rezoluta 1244, në mënyrë që të jetë një çështje, një mekanizëm që vërtet do të krijonte një shtyllë të fortë, që të shihnim se kah do të shkojë procesi i Kosovës. Mirëpo, nëse nuk arrihet ajo si çështje, atëherë përsëri SHBA-të me BE-në do t’i koordinojnë qëndrimet e veta, në mënyrë që pakoja e Ahtisaarit, parimet qenësore të pakos së Ahtisaarit të vihen në lëvizje dhe kështu të vazhdojë procesi, në mënyrë që në një afat do të shpallet deklarata e pavarësisë së Kosovës dhe së fundi të fillojmë një shtet-bërje ashtu siç kemi synuar që një kohë të gjatë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni ju se institucionet vendore duhet të kenë një orar veprimi në kuptimin e shpalljes së njëanshme të pavarësisë?

ILIRIANA ISLAMI
Më e mira do të ishte sikur vetë organet vendore të kishin një orar. Mirëpo, ma merr mendja, meqenëse vetë çështja e Kosovës i ka tejkaluar kufijtë që do të mund të vepronin vetëm institucionet vendore pa ndonjë mbështetje të bashkësisë ndërkombëtare, atëherë e gjitha kjo varet nga sinjalet që i jep bashkësia ndërkombëtare dhe kohës kur do të duhej të veprohej. Ndoshta do të ishte mirë sikur Kuvendi të merrte paraprakisht veprimet konkrete dhe të konsideronte se do të ishin këto afatet më të dëshiruara për popullin e Kosovës dhe në këtë mënyrë ta bënin një shpallje të një orari, i cili do të ishte shumë i përafërt me atë se çka kërkon populli i Kosovës dhe çka do të dëshironte të shihte realisht populli i Kosovës. Mirëpo, nëse Kuvendi nuk e bën, atëherë ne vetëm presim sinjalet e ndërkombëtarëve, në këtë rast të SHBA-ve dhe BE-së. Mirëpo, unë mendoj përsëri që Kuvendi i Kosovës do të duhej së paku të merrte disa iniciativa lidhur me statusin, që të mos mbetemi aq pasivë. Pra, iniciativën që përmenda më herët, që të bënte seanca në mënyrë që të parashihet se çka pas negociatave, si do të duhej të ishte një orar, se si mund ta mbështeste këtë orar vetë bashkësia ndërkombëtare, ku qëndron çështja, ku mund të ngecet, çka mund t’i propozohet tek e fundit Grupit Negociator... Të gjitha këto do të duhej të debatoheshin në Kuvend.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG