Ndërlidhjet

DEPUTETËT PREMTOJNË KUSHTETUTËN DHE SIMBOLET DERI NË FUND TË MANDATIT


Zijadin Gashi

Deputetët kosovarë konsiderojnë se ka defekte në punën e Kuvendit në përcaktimin e agjendës së miratimit të ligjeve dhe akteve të tjera me prioritet për Kosovën. Po ashtu, miratimi i ligjeve dhe obligimeve që dalin nga pakoja e Ahtisaarit shihet në mënyra të ndryshme. Disa mendojnë se kjo pako duhet të fillojë të zbatohet, përderisa ka deputetë që mendojnë se Kosovës i duhet së pari përcaktimi i statusit, e më pas nxjerrja e Kushtetutës, simboleve dhe ligjeve tjera bazike. Sidoqoftë, pakoja e Ahtisaarit vazhdon të dominojë agjendën e Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës. Deputeti i AAK-së, Naim Maloku, thotë se Kosova do t’i ketë të miratuara Kushtetutën dhe simbolet gjatë këtij mandati të institucioneve dhe atë duke pasur si bazë pakon e Ahtisaarit, e cila, sipas tij, është zgjidhja e vetme që do të zbatohet pas 10 dhjetorit. “Më 10 dhjetor, i vetmi dokument me një validitet ndërkombëtar do të jetë pakoja e Ahtisaarit dhe 10 dhjetori do ta presë Kosovën me Kushtetutë, me ligje bazike sistemore për të funksionuar një shtet”, pohoi Maloku. Ndërkohë, deputeti i PDK-së, Hydajet Hyseni, thotë se si shpallja e pavarësisë, ashtu edhe Kushtetuta e simbolet, janë akte të njëanshme që reflektojnë vullnetin e popullit. Andaj, ai favorizon që Kosova t’i ketë të përgatitura të gjitha aktet kushtetuese e ligjore, në mënyrë që me marrjen e vendimeve historike të jetë e gatshme të funksionojë si shtet. “Kosova do të duhej ta kishe të përgatitur edhe fazën normative kushtetuese juridike dhe të kishte përgatitur të gjithë infrastrukturën dhe përkrahjen e duhur ndërkombëtare dhe këto të ishin pjesë të një procesi të harmonizuar. Edhe pse nuk i kemi bërë të gjitha përgatitjet, Kosova ka mundësi të marrë vendime historike që pritet të merren”, tha Hyseni. Ndërkaq, Besa Gaxherri, deputete e LDD-së, vlerëson se Kuvendi nuk e ka kryer punën e vet si duhet. Edhe mbështetja e çdo vendimi e akti në pakon e Ahtisaarit, sipas saj, mund të përmbajë rreziqe, pasi që pakoja ende nuk është një dokument zyrtar. Gaxherri thotë se Kosovës tash për tash i duhet Kushtetuta e simbolet shtetërore dhe më pas ligjet, që, sipas saj, mund të miratohen edhe pas statusit. “Nëse sot kemi një pako të ligjeve që kanë atribut shteti, për mendimin tim është krejt e pakuptimtë që të aprovohen tri ligje të tilla pa Kushtetutë, sepse këto ligje dhe shumë ligje të tjera që kanë bazament shtetin, duhet të jenë produkte të Kushtetutës, jo Kushtetuta nesër t’i përshtatet ligjeve që kemi”, tha Gaxherri. Sidoqoftë, Kuvendi sot ka miratuar në parim tri ligje, që dalin si obligim nga pakoja e Ahtisaarit, përderisa Qeveria dje është zotuar se do t’i procedojë legjislativit të 19 ligjet e pakos së Ahtisaarit për miratim, gjatë mandatit të këtyre institucioneve. Kuvendi ka shpallur tashmë dhe mbyllur një konkurs për simbolet, por nuk e ka bërë ende përzgjedhjen e tyre, ndërkaq Kushtetuta është në fazën e përgatitjes për një kohë të gjatë.
XS
SM
MD
LG