Ndërlidhjet

logo-print

SHTYPI NDËRKOMBËTAR PËR ROLIN E BE-SË NË PËRCAKTIMIN E STATUSIT


“International Herald Tribune”, “Economist”

Për më shumë se gjysmë viti, shpresat e shqiptarëve për një Kosovë të pavarur kanë pësuar ndryshime të mëdha, por përballë një raundi të ri bisedimesh, shqiptarët janë duke u bërë gati për përmbushjen e synimeve, të vetëdijshëm se sa e vështirë mund të jetë një gjë e këtillë. Kështu shkruan në numrin e sotëm e përditshmja “International Herald Tribune”, duke thënë megjithatë se pavarësisht nga lëkundjet, në Prishtinë mbizotëron një ndjenjë e fuqishme vetëbesimi. Madje, edhe planifikimet për hartimin e Kushtetutës se re janë intensifikuar, ndërtesat për misionin e ardhshëm të BE-së janë lëshuar me qera dhe shërbyesit civilë të këtij misioni tashmë janë rekrutuar. Në të njejtën kohë, shkruan “IHT”, edhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian që kanë pasur dallime në qëndrime nëse duhet njohur pavarësinë e Kosovës, mund të jenë të gatshme për të vepruar. Gazeta citon zëdhënësen e shefit për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Christina Gallach të ketë thënë se “ekziston një vendosmëri e qartë se afati i ardhshëm është thelbësor. Dhe kjo është e një rëndësise fundamentale. Nuk duhet të ketë më shumë shtyrje në kuptimin e mekanizmave shtesë”, ka thënë zonja Gallach. Diplomatët perëndimore thonë se negociatat e gjata kanë dëshmuar se sa shumë janë përpjekur ata për të arritur deri tek një vendim në Këshillin e Sigurimit, duke i hapur rrugën planit të hartuar nga i dërguari i posacëm i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari. “IHT” citon një diplomat të lartë evropian në Kosovë të ketë thënë se “komuniteti ndërkombëtar vërtetë është përpjekur, por nuk mund të pranojmë më veton e Rusisë mbi politikën e Bashkimit Evropian. Besoj se do ta kemi planin e Ahtisaarit në tavolinë, por pa një rezolutë të Këshillit të Sigurimit”, ka thënë diplomati evropian. Shumë vende të bllokut evropian mund të mos jenë të gatshme për të mbështetur misionin e ardhshëm të këtij blloku në Kosovë dhe për të zbarkuar forcat paqeruajtëse në rajon nëse një vendim i qartë ligjor mungon, por disa nga zyrtarët evropianë, shkruan “IHT”, kanë thënë se zgjidhja mund të jetë tek Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit e OKB-së.
E përjavshmja “Economist” shkruan se debati aktual për Kosovën nuk është midis serbëve dhe kosovarëve, e madje jo as midis rusëve dhe amerikanëve. Gazeta shkruan se debati ka të bëjë me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, meqë pas 10 dhjetorit, vendimet e tyre do të jenë ato që do të kenë rëndësi. “Economist” shkruan se Amerika nuk dëshiron të jetë e vetmja fuqi botërore që do ta njihte pavarësinë e Kosovës; Britania dhe Franca do të donin ta bënin një gjë të këtillë dhe megjithëse nuk e pëlqejnë ndërhyrjen e Rusisë në çështje të brendshme evropiane, të dyja vendet duan ta ruajnë unitetin e bllokut. Për këtë arsye, vëmendja do të zhvendoset në Berlin, shkruan “Economist”. Nëse Gjermania e njeh pavarësinë e Kosovës, Italia dhe vendet tjera do ta bëjnë të njejtën gjë dhe Serbia do të gjendet përpara një rruge me gjemba. Nëse i jep fund përpjekjeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia do të marrë rrugën e izolimit dhe pas vetes mund të tërheqë gjithë Ballkanin perëndimor”, shkruan në fund e përjvashmja “Economist”.

XS
SM
MD
LG