Ndërlidhjet

MIGRACIONI KLANDESTIN – NË RRITJE


Nadie Ahmeti

Mungesa e perspektivës për të ardhmen dhe zhgënjimi nga pritja e gjatë për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës, kanë filluar të ndikojnë negativisht edhe në jetën praktike të qytetarëve të Kosovës, thotë demografi Rifat Blaku. Ai thotë se kjo çështje në masë të madhe ka ndikuar që qytetarët kosovarë, në forma të ndryshme, të ikin nga Kosova, për të kërkuar alternativa tjera në vende të ndryshme botërore. Arsye tjetër e braktisjes së Kosovës, sipas Rifat Blakut, i cili udhëheq Institutin për Hulumtime për Migrim, thotë se është edhe shkalla e lartë e papunësisë. Sipas një hulumtimi të këtij instituti, Blaku thotë se mbi 850 mijë qytetarë janë të papunë dhe në një masë e kanë humbur shpresën e punësimit. “Duke parë shtresimin e popullatës dhe stratifikimin në një 5 për qind shumë të pasur, në mënyrë enorme të pasur, dhe 80 përqindëshi që vazhdimisht varfërohet, pa ndonjë klasë, shtresë të mesme, kapitalizmi i tipit të Kosovës shoqërohet edhe me dëshpërimin e madh dhe ikjen elegante, të qetë, të padukshme të të rinjve nga Kosova”, thotë Blaku. Shqetësues, sipas tij, është fakti se kohën e fundit Kosovën po e lëshojnë edhe kuadrot e specializuara. Ai, ndërkaq thotë se interesimi për migrim ka arritur pothuajse në gjendjen e viteve të 90-ta. Në atë kohë, Blaku thotë se migracioni ka ndodhur për shkak të gjendjes politike, ndërkaq tashmë arsye kryesore është gjendja ekzistenciale. “Kemi fillimin e dukurisë së ikjes së trurit, do të thotë kuadrove të specializuara. Nuk është më tipi emigrant vetëm ai i punëtorit kosovar gjysmë të kualifikuar, apo gjysmë analfabet, që kryen punët më të rënda, ndërtimtari, që hap rrugë dhe kanale, por tash kemi edhe të rinj të kualifikuar. Kjo është humbja më e rëndë për këtë vend”, pohon Blaku. Sipas tij, në forma ilegale, më shumë se 15 mijë qytetarë, brenda vitit, e braktisin Kosovën. Pjesa më e madhe që e braktisin Kosovën janë qytetarët nga viset rurale, thotë Blaku, duke shtuar se vendet më atraktive, për ata që synojnë të migrojnë, janë vendet e Bashkimit Evropian, por edhe Australia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Më shumë kemi ikje ilegale, në të zezë, apo klandestine, nëpër kanale tashmë të evidentuara, nëpërmes Bosnjës dhe Hercegovinës, Kroacisë, por edhe nëpërmes Shqipërisë në Itali dhe hyrjen në Bashkimin Evropian, si dhe kontrabanda që bëhet me shumë të rinj, lidhur me dokumentet e udhëtimit, me vizat që stërshiten”, thotë Blaku. Ndryshe, edhe organet e rendit pranojnë se në pikat kufitare të Kosovës dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, jo rrallë herë zihen persona me dokumente të falsifikuara, që mundohen të ikin nga Kosova. Viloleta Elezaj, zëdhënëse në Shërbimin Policor të Kosovës, jep statistikat vetëm për muajin e kaluar. “Sa i përket personave me dokumente të falsifikuara, të cilët kanë dashur të kalojnë jashtë Kosovës, janë 48 raste që janë raportuar në pikat kufitare. Po ashtu, kemi edhe Aeroportin, me 35 raste - falsifikim të dokumenteve”, tha Elezaj. Dhe, për këtë arsye, demografi Blaku thotë se institucionet vendore patjetër duhet të formojnë mekanizma, që kontrollojnë migracionin. “Shpresojmë se me zgjidhjen e statusit të Kosovës, me krijimin e departamenteve, zyrave dhe ministrive të tjera, përveç Ministrisë së Jashtme dhe të Rendit që korrespondon me migracion, detyrimisht duhet të themelohet edhe ministra për migracion dhe diasporë”, shprehet Blaku. Ndryshe, me gjithë faktin se qytetarët interesohen të lëshojnë Kosovën, demografi Rifat Blaku thotë se prej vitit 2000 e deri më tash, vendet e Evropës perëndimore kanë kthyer me detyrim mbi 52 mijë kosovarë, të cilët Kosovën e kanë lëshuar në vitet e 90-ta.

XS
SM
MD
LG