Ndërlidhjet

logo-print

MUNDËSITË E VENDEVE NË TRANZICION PËR TA LUFTUAR KRIMIN E ORGANIZUAR


Arton Konushevci

Nëse Kosova do ta fitojë pavarësinë, do të jetë shumë e rëndësishme që ta luftojë krimin e organizuar. Kështu kanë thënë sot panelistët e një konference rajonale mbi krimin e organizuar dhe sigurinë e qytetarëve në vendet në tranzicion. Thomas Feltes, profesor nga Universiteti i Bochum-it në Gjermani, thotë se nëse në këtë fazë, krimi i organizuar nuk luftohet në Kosovë, atëherë, sipas tij, një gjë e tillë do të jetë vështirë të realizohet më vonë. “Nëse Kosova do të bëhet e pavarur, është shumë e rëndësishme që të luftohet krimi i organizuar dhe paratë, që financojnë krimin e organizuar, të drejtohen në zhvillimin ekonomik. Por, nëse krimi i organizuar nuk luftohet tash, atëherë lufta do të jetë edhe më e vështirë pas zgjidhjes së sovranitetit të Kosovës”, ka thënë Feltes. Sipas tij, nuk janë vetëm autoritetet e rendit ato që duhet ta luftojnë një fenomen të këtillë, por e gjithë shoqëria, duke përfshirë këtu qytetarët dhe politikanët. Nga ana tjetër, zëvendëskomisari i Policisë, Sheremet Ahmeti, vlerësoi se edhe Kosova, si vend në tranzicion, është e prekur nga krimi i organizuar, mirëpo, sipas tij, institucionet përkatëse të sigurisë do ta vazhdojnë luftën kundër kësaj dukurie. “Te organet shtetërore të Kosovës, policia dhe gjyqësia, do të bëhet përpjekje maksimale që të luftohet krimi i organizuar. Edhe Kosova, si vend në tranzicion, sigurisht që është e prekur nga krimi i organizuar. Ne, si polici, kemi angazhimet tona të duhura dhe vazhdimisht jemi duke e luftuar këtë formë të krimit. Por, edhe shoqëria kosovare, organizatat joqeveritare dhe të tjerë duhet ta ndihmojnë policinë për ta luftuar krimin e organizuar, sepse ai paraqet krim, i cili është krim i një shoqërie dhe si i tillë sigurisht që dëmton dhe rrezikon shoqërinë në tërësi”, është shprehur Ahmeti. Kurse, Ramo Maslesha, nga Fakulteti i Shkencave Kriminalistike në Universitetin e Sarajevës, thotë se me rëndësi është që krimi i organizuar të luftohet nga organet mbrojtëse, si gjyqësia dhe policia, por edhe nga organet e tjera. “Është me rëndësi që për ta luftuar krimin, mekanizmat mbrojtës, si policia, gjyqësia dhe agjencitë tjera sekrete, të jenë të pavarura, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të luftohet krimi në një vend. Ku janë në pyetje të drejtat për rregullimin e një shteti, më e rëndësishme është siç kemi bërë ne në Bosnje, instalimi i mekanizmave institucionalë të sigurisë; këto mekanizma janë më relevantë kur bëhet fjalë për luftën kundër krimit. Ne, me këto mekanizma, ka kohë që kemi filluar”, ka thënë Maslesha. Ndryshe, Vesel Latifi, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se krimi i organizuar në vendet në tranzicion nuk mund të luftohet. “Vendet në tranzicion kanë shumë çështje të pazgjidhura, të paorganizuara, të pazbatuara me sistemin përkatës dhe funksionimin e shtetit në kuadër nacional dhe relacion ndërkombëtar. Të gjitha potencialet e fuqishme të vendeve në tranzicion zbehen, dobësohen, ose eliminohen, për ta parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar. Kështu, për shembull, Kosova, si shtet faktik nën protektoratin ndërkombëtar, në sigurinë e copëtuar me ligje dhe organe të përkohshme, jo vetëm që nuk mund ta pengojë suksesshëm krimin e organizuar, por mund të jetë faktor që kushtëzon dhe sakaton paraqitjen e kësaj dukurie”, ka thënë Latifi. Sido që të jetë, dukuria e krimit të organizuar në Kosovë është njëra prej sfidave më të mëdha për institucionet vendore në luftimin e saj, që prej përfundimit të luftës.

XS
SM
MD
LG