Ndërlidhjet

DELEGACIONET E KOSOVËS DHE SERBISË I MBAJTËN BISEDIMET E DREJTPËRDREJTA


Nik Krastev, Nju Jork Mbrëmë në Nju Jork u mbajtë takimi i parë i drejtpërdrejt ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë, nën udhëheqjen e treshes ndërkombëtare për statusin e Kosovës. Anëtari i treshes, Wolfgang Ischinger, përfaqësues i Bashkimit Evropian, këtë takim e cilësoi se është mbajtur në "atmosferë konstruktive" dhe se palët janë pajtuar që takimi i ardhshëm të mbahet më 14 tetor në Bruksel.

I dërguari i Bashkimit Evropian në treshen ndërkombëtare, Wolfgang Ischinger ishte i pari që e mori fjalën në një konferencë për gazetarë në selinë e OKB-së, pas takimit të drejtpërdrejt ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë. Pasi u shpreh se takimi është mbajtur në "atmosferë konstruktive", zoti Ischibnger tha:

- Beogradi e prezentoi vizionin e tij të elaboruar për autonomi substanciale për Kosovën. Prishtina e prezentoi vizionin e saj për dy shtete të pavarura, që do të punojnë së bashku nën marrëveshjen, në të cilën theksohet implementimi i plotë i të drejtave të minoriteteve, siç është theksuar në të ashtuquajturin plan të Ahtisarit.

Ai mëtutue u shpreh se palët janë pajtuar për dokumentin që treshja ndërkombëtare ka dëshirë ta quaj Deklarata e Nju Jorkut. Lidhur me këtë, i dërguari i Shteteve të Bashkuara në treshen ndërkombëtare për statusin e Kosovës, Frank Wisner tha se në Deklaratën e Nju Jorkut, treshja e përshëndet këtë takim të parë të drejtëpërdrejtë nën udhëheqjen e treshes. Sipas zotit Wisner, treshja ishte e kënaqur të dëgjojë nga palët se ato i mirëpriten bisedimet dhe dëshirojnë të vazhdojnë t'i mbajnë ato. Mëtutje i dërguari amerikan, Frank Wisner tha:

- Ne i përkujtuam palët se çështja duhet të lëvizë përpara, se status kvoja, në rajon, nuk është e qëndrueshme.

Ai mëtutje tha se Deklarata e Nju Jorkut kërkon që t' informojmë të dy palët për kumtesën e Grupit të Kontaktit për Kosovën, nga takimi i së enjtes, në të cilin ministrat e jashtëm të vendeve antëtare të këtij grupi e përsëritën kërkesën esenciale për një zgjidhje të shpejtë të statusit të Kosovës dhe për nevojën që të arrihet një zgjidhje e negociuar dhe për nevojën që të operohet brenda parimeve udhëzuese të Grupit të Kontaktit. Mëtutje, sipas zotit Wisner, Grupi i Kontatktit ka kërkuar që palët, në frymën e kreativitetit dhe theksimit të kompromisit, t'a marrin seriozisht këtë mundësi të krijuar nga treshja dhe të lejojnë që një frymë e tillë dhe angazhim të ndodhë.

Në vazhdim, i dërguari amerikan në treshen ndërkombëtare për Kosovën tha se Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit për Kosovën, poashtu, kanë theksuar se çfarëdo zgjidhje për statusin e ardhshëm duhet të ketë parasysh natyrën shumë të veçantë të raporteve ndërmjet të dy palëve duke pasur parasysh dimensionet e tyre historike, ekonomike, kulturore dhe njërëzore.

Mëtutje, zoti Wisner tha theksoi:

- Duke pranuar se dhuna, provokimi dhe kërcënimi do të përmbante një rrezik të madh për procesin e treshes dhe poashtu për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit, të dy palët kanë riafirmuar përkushtimet e tyre, siç qëndron edhe në dokumentin e Vjenës më 30 gusht, për t'u përmbajtur nga çfarëdo veprimtarie apo deklarate që mund ta rrezikoj situatën e sigurisë.

Pastaj zoti Wisner foli edhe për kohëzgjatjen e bisedimeve:





- Ne përfundimisht i përkujtuam palët se synojmë që për konkluzionet tona të raportojmë më 10 dhjetor. Ata e mirëpritën qëllimin tonë për ta intensifikuar punën në mënyrë që ta arrijmë cakun tonë dhe ta kompletojmë raportin me kohë.

Përfaqësuesi i Rusisë në treshen ndërkombëtare, Alexander Botsan-Kharchenko tha se në këtë takim kishte parë shenja interesante të prezentimit të pozicioneve të Beogradit dhe Prishtinës. Megjithatë ai u shpreh se këto shenja nuk jasnë themel për të negociuar çfarëdo kompromisi ose marrëveshje ndërmjet Beogradit e Prishtinës, por, sipas tij, ekziston baza për vazhdimin e bisedimeve ballë për ballë dhe se palët kanë demonstruar aftësi për të biseduar njëri me tjetrin.

Mëtutje, zoti Kharchenko tha:

- Ata seriozisht mendojnë për të ardhmen dhe nuk ekziston intenca për kthim prapa. Kuptohet, në këtë shkallë vizioni i tyre për të ardhmen është i ndryshëm, por ata janë gati t'i vazhdojnë këto bisedime.
XS
SM
MD
LG