Ndërlidhjet

BASHOTA:”KOSOVA ËSHTË NË KRIZË TË THELLË EKONOMIKE DHE SOCIALE”


Nuri BASHOTA,ligjërues në Fakultetin Ekonomik, në Universitetin e Prishtinës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bashota, zhvillimi ekonomik vazhdon të jetë një sfidë e rëndë. Cilët janë faktorët që, sipas jush, ndikojnë në këtë çështje?

NURI BASHOTA
Elementi kryesor dhe elementar që po ndikon në këtë pozitë të rëndë ekonomiko-sociale është pozita koloniale, që i është imponuar Kosovës, për arsye se Kosova, si prorektorat i përkohshëm i ashtuquajtur i Kombeve të Bashkuara, ende nuk i ka fituar ato elementet e domosdoshme, që produktet t’i lansojë në botën e jashtme. Konkretisht, Kosova nuk mund të eksportojë asgjë në botën e jashtme, sepse i mungon bar-kodi për origjinën e produkteve të Kosovës, për t’i dërguar në botën e jashtme, e sidomos në Bashkimin Evropian; swift-kodi bankar po ashtu i mungon dhe pajisja e qytetarëve me pasaporta dhe targa automjetesh që nuk pranohen askund në vendet tjera. Kështu që edhe transportuesit tanë nuk mund të kryejnë këtë funksion shumë të rëndësishëm zhvillimor dhe detyrohen t’ua japin të tjerëve nga Serbia, Mali i Zi, etj. Ne jemi të mbyllur në një rreth tejet të pavolitshëm, kështu që, me të drejtë, në Evropë, Kosovën po e quajnë si UNMIK-istan. Një hap i pamenduar tashmë është bërë edhe futja e Kosovës në CEFTA, për arsye se kemi hyrë të papërgatitur. Duhet të kemi parasysh faktin se ndërmarrjet, qoftë shoqërore apo private, në këto vende që bëjnë pjesë në CEFTA, kanë shtetin e tyre dhe kanë një politikë stimuluese; nëpërmes subvencioneve të caktuara nxisin prodhimet vendore të atyre vendeve, ndërkaq ne nuk kemi një politikë ekonomike stimuluese. Kjo është pasojë e zhargitjes së pavarësisë së Kosovës, ku Kosova sot e asaj dite është nën dominimin e UNMIK-ut.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se pavarësisht nga statusi politik, Kosova mund të zgjidhë çështjen e qasjes në institucionet financiare ndërkombëtare?

NURI BASHOTA
Për të hyrë në këto organizata ndërkombëtare, duhet garanci. Kosova, si e tillë, nuk mund të ketë një garancë për t’u inkuadruar në organizatat financiare ndërkombëtare, siç është Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore; duhet të jesh i pavarur. Prandaj, ne kërkojmë që sa më shpejt të zgjidhet problemi i Kosovës dhe mos të zvarritet më tej, sepse nga kjo varet zhvillimi ekonomik.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa besoni se me zgjidhjen e statusit përfundimtar, Kosova mund të ketë zhvillim të menjëhershëm ekonomik?

NURI BASHOTA
Është pak problematike, sepse duhet të krijohen parakushte kadrovike dhe financiare. Do të thotë, së pari duhet të bëhemi anëtarë të institucioneve financiare ndërkombëtare, që të mund të marrim kredi të leverdishme, pastaj duhet të kërkojmë përkrahjen e Bashkimit Evropian për tërheqjen e investimeve të huaja. E deri sa të arrihen këto, duhet të krijohen elaborate. Nuk është një situatë që mezi presin të tjerët për të investuar në Kosovë. Së pari duhet garanci, siguri dhe kushte tjera për investime, sepse, tash për tash, Kosova nuk mund të zhvillohet me akumulim të vetin. Do të thotë, investimet e huaja janë primare dhe më vonë vijnë këto të vendit. Klimën e kemi shumë të pavolitshme, pjesa më e madhe e investimeve, apo 70 për qind prej tyre shkojnë në tregti, kafiteri, shërbime, etj. Ndërkaq, në prodhim kemi fare pak investime. Çka i jep një treg i ri, shumë i pavolitshëm, ardhmërisë së Kosovës edhe pas zgjidhjes së statusit të Kosovës?! Prandaj, nuk duhet të mashtrohemi se pavarësia i zgjidh si shkop magjik të gjitha çështjet; ajo do të varet nga duart tona.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat do të jenë çështjet më problematike në rrafshin ekonomik për institucionet vendore pas zgjidhjes së statusit?

NURI BASHOTA
Si pikënisje për dalje nga kjo situatë e rëndë duhet të jetë angazhimi i kapaciteteve ekzistuese dhe krijimi i parakushteve për angazhimin e investimeve të huaja. Kjo mund të arrihet vetëm me pavarësimin e Kosovës, që i jep mundësi Kosovës, si shtet i barabartë me të tjerët, që të absorbojë në institucionet financiare ndërkombëtare. Ndërkaq, kështu kur ne jemi në periudhën tranzitore, duke shtyrë çështjen e pavarësisë, kapitali i huaj nuk ka leverdi dhe guxim të hyjë në Kosovë, kur ka në hapësirën botërore vende ku mund të avancojë apitalin. Pastaj, duhet shiuar edhe në çështjen kadrovike; pjesa më e madhe e kuadrove të afta në Kosovë kanë mbetur jashtë këtyre funksioneve. Prandaj, duhet të ndryshohet struktura, edhe ministria, edhe udhëheqja komunale, dhe t’i jepet përparësi kuadrove të afta shkencore, që janë të gatshme të sakrifikojnë për zhvillimin e Kosovës, me fjalë të tjera, të punojnë për komb, e jo për shkëmb. Sepse, Kosova është e ballafaquar me krizën ekonomike të thellë, krizën sociale dhe krizën morale. Vlerat e mëparshme të moralit i shkatërruam, të rejat nuk arritëm t'i krijojmë; është krijuar një zbrazëtirë, ku është futur shundi, korrupsioni, krimi i organizuar, i cili po e pengon këtë filiz të ri të shtetit të Kosovës. Pra, një luftë e ashpër duhet të jetë e sinqertë kundër të gjitha këtyre dukurive negative.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, për fund zoti Bashota, cilët janë sektorët, në të cilët Kosova mund të llogarisë për rimëkëmbjen e ekonomisë?

NURI BASHOTA
Ne kemi dispozitat për një zhvillim të shpejtë. për arsye se Kosova i ka disa faktorë që vendet tjera nuk i kanë; së pari, ka një pozitë gjeostrategjike tejet të rëndësishme, ku kalojnë shumë rrugë trans-ballkanike nëpër Kosovë, ka një popullsi të re dhe të shkolluar, e cila është e gatshme të punojë po të ekzistojnë investime për zhvillimin ekonomik. Dhe, tre, i ka pasuritë natyrore. Shikoni, nëntoka dhe mbitoka e Kosovës është tejet e pasur. Ja, konkretisht, çështja e thëngjillit, po e them, është një begati që duhet të jemi të mençur se si ta shfrytëzojmë, jo në energjetikë, por në karbon-kimi. Rezervat e naftës po përfundojnë, për 20 vjetë nuk do të ketë naftë të mjaftueshme jo për karburantet e automjeteve, por as për industrinë kimike. Prandaj, petro-kimia do t'ia lëshojë vendin karbo-kimisë. Dhe, për këtë arsye, ne duhet të përgatisim që thëngjillin ta përdorim për karbo-kimi, e jo për energji. Ne mund të ndërtojmë termocentrale sa për nevoja tona, por jo për eksport.

INTERVISTOI: NADIE AHMETI
XS
SM
MD
LG