Ndërlidhjet

AFROHET ÇASTI PËR NJË KOSOVË TË PAVARUR


"New York Times" /Nicholas Wood/

Pritjet për një Kosovë të pavarur sërish janë në rritje, ndërkohë që fuqitë e mëdha, që do të vendosin për këtë çështje, janë duke bërë presion që Kosovën në tërësi ta shkëpusin nga Serbia, me gjithë rezistencën e vazhdueshme të serbëve dhe aleatëve të tyre nga Rusia. Përderisa ky disponim është në rritje, zyrtarët amerikanë dhe evropianë janë duke përgatitur misionin që do të udhëhiqej nga Bashkimi Evropian dhe që do të mbikëqyrte shtetin e ri të pavarur dhe zbatimin e planit të Ahtisaarit. Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë filluar të humbasin durimin në raport me Rusinë, e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës. Ata tash thonë se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të vazhdojnë pas aftit të përcaktuar më 10 dhjetor. "Është një përcaktim i qartë që ky është afati vendimtar", thotë zëdhënësja e Havier Solanës, Kristina Galak, për të shtuar se "kjo është një çështje fundamentale, sepse zhargitje të mëtejme nuk bën të ketë".
Shtetet e Bashkuara të Amerikës fuqishëm mbështesin pavarësinë e Kosovës, por Moska mbështet kërkesën e Beogradit që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë me autonomi të gjerë.
Një zyrtar i Bashkimit Evropian ka thënë se disponimi në Bruksel fuqimisht është duke lëvizur në drejtim të njohjes së pavarësisë së Kosovës, me ose pa votim në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. "Më nuk do të pranojmë veton e Rusisë ndaj politikës së Bashkimit Evropian", ka thënë ky zyrtar i BE-së, që ka kërkuar të mbetet anonim, për të shtuar se beson që në fuqi do të mbetet plani i Ahtisaarit, por pa rezolutë të Këshillit të Sigurimit. Zyrtarë tjerë të Bashkimit Evropian kanë thënë se Brukseli ka të drejtën e dërgimit të misionit në një Kosovë të pavarur edhe nëse në fuqi mbetet Rezoluta 1244. Kjo do të thotë se Bashkimit Evropian nuk do t'i duhet njohja e Kosovës nga ana e Këshillit të Sigurimit për të justifikuar vazhdimin e pranisë së NATO-s në Kosovë. Megjithatë, në këtë aspekt, ka shenja të mospajtimit brenda Bashkimit Evropian, sepse disa diplomatë në Bruksel thonë se një plan për pavarësinë e Kosovës pa mbështetjen e Këshillit të Sigurimit bart me vete shumë rreziqe. Bashkimi Evropian është i zotuar për një vendim unanim rreth Kosovës, por Qiproja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia kanë thënë se nuk do të mbështesin asnjë plan pa rezolutë të Kombeve të Bashkuara.
XS
SM
MD
LG