Ndërlidhjet

LUFTA KUNDËR KORRUPSIONIT – PROPAGANDË APO LUFTË?


Arton Konushevci

Agjencia Anti-Korrupsion nuk është institucion që për mision ka vetëm propagandimin e luftës kundër korrupsionit, por edhe zbatimin e kësaj lufte. Kështu ka thënë Hasan Preteni, drejtor i agjencisë, duke shtuar se afër 50 raste janë proceduar në prokurori për hetim të mëtejmë. “Prej shkurtit të këtij viti e deri më tani, agjencia e ka realizuar aktivitetin, kushtimisht them, në tre drejtime. Drejtimi i parë është në aspektin represiv, duke përcjellë çdo informatë për korrupsion në prokurori dhe deri më tani, rreth 50 raste veç i kemi proceduar në prokurori; 37 kanë qenë përfundimisht më 30 qershor, kurse gjatë korrikut, gushtit dhe shtatorit, si rezultat i një kampanje mediale që e kemi realizuar bashkërisht me UNDP-në dhe OSBE-në, ka rezultuar që qytetarët e Kosovës kanë kontaktuar dhe kanë përcjellë më shumë informata, ku pretendohet se ka korrupsion dhe shifra e tyre është diku rreth 59, që kemi përcjellë në prokurori”, ka bërë të ditur Preteni. Ai ka thënë se pengesa më e madhe në institucionin që e udhëheq është mungesa e ligjshmërisë dhe mungesa e mjeteve. Sipas Pretenit, ligjet që janë në përpunim e sipër e që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit duhet të përfundojnë sa më parë, për të pasur një efektshmëri më të madhe. “Së pari, të përfundojë adaptimi i këtyre ligjeve, që janë në punim e sipër. Pastaj, është një aktivitet me shumë rëndësi, që është fuqizimi i institucioneve që kanë për mision luftën kundër korrupsionit. Agjencia, sipas ligjit, është organ qendror, por nuk është e vetme, është SHPK-ja, Policia e UNMIK-ut, Qendra e Inteligjencies Financiare, Qendra e Hulumtimeve Financiare; do me thënë, ka edhe disa njësite tjera që kanë për mision luftën kundër korrupsionit”, tha Preteni. Ndryshe, Rrahman Sylejmani, nga Shërbimi Policor i Kosovës, departamenti i krimit, thotë se më shumë flitet, sesa punohet për zvogëlimin e korrupsionit në Kosovë. “Më shumë flitet, më shumë bëhet zhurmë, sesa që ka rezultate konkrete në këtë drejtim. Për të pasur rezultate konkrete, nevojitet bashkëveprim, forcim i legjislacionit adekuat, normalisht duke i krijuar të gjitha kornizat ligjore, të krijohen parakushte për të arritur një rezultat më të madh”, ka thënë Sylejmani. Ai ka shtuar se për të pasur një sukses më të madh në këtë drejtim, duhet një bashkëpunim i të gjitha institucioneve, gjë që, sipas tij, nuk ka arritur në nivelin e duhur. “Nuk ka një bashkëveprim në mes të këtyre institucioneve. Kur flitet për korrupsion, aty bëhet fjalë për zyrtarë të lartë të niveleve të ndryshme që keqpërdorin autoritetin e tyre, autorizimin e tyre”, tha Sylejmani. Nga ana tjetër, Avni Arifi, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, është zotuar se Qeveria është duke bërë përpjekjet e nevojshme për ta ndihmuar agjencinë, por ai mendon se disa çështje nuk mund të rregullohen në afat të shkurtër kohor. “Kërkesat nga Agjencia Anti-Korrupsion, duke u përshtatur nevojave dhe rrethanave, sa vijnë e shtohen. Kur flasim për ngritjet buxhetore dhe aspektet teknike, nuk është një aspekt që mund të rregullohet brenda natës. Mirëpo, ekzistojnë procedura në planifikimin buxhetor, për të cilat Ministria e Ekonomisë dhe Financave, varësisht nga rrethanat dhe politikat buxhetore, mund të lejojë apo mos të lejojë”, është shprehur Arifi. Kurse, sot, Sektori i Hetimeve për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, që vepron në kuadër të Komandës Kryesore të Policisë në Prishtinë, në orët e hershme të mëngjesit, me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Komunale në Prishtinë, ka arrestuar 4 persona të dyshimtë, në mesin e tyre edhe një pjesëtar të SHPK-së, nën dyshimin se kanë kryer vepra penale të falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës zyrtare ose autorizimit. Sidoqoftë, korrupsioni vazhdon të mbetet një prej çështjeve më të diskutueshme në Kosovë. Përmasat e sakta të këtij fenomeni ende nuk dihen dhe veprimet ligjore në këtë drejtim nuk kanë qenë të shumta.

XS
SM
MD
LG