Ndërlidhjet

BASHA:”FUNDI I 120 DITËSHIT ËSHTË EDHE FUNDI I ANGAZHIMIT TË PALËVE PËR GJETJEN E NJË ZGJIDHJEJE”


Lulzim BASHA, ministër i Punëve të Jashtme i Shqipërisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti ministër, çfarë vendi zuri çështja e Kosovës në bisedën që patët ju në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Amerikë dhe në tërësi në takimet që patët në këtë vend?

LULZIM BASHA
Diskutimi i procesit të statusit përfundimtar të Kosovës zuri pjesën kryesore të takimeve, që delegacioni shqiptar, i kryesuar nga kryeministri, pati në Nju Jork dhe po ashtu zuri një pjesë të madhe, shpeshherë dominuese, të takimeve shumëpalëshe që u zhvilluan në margjinat e punimeve të sesionit 62 të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Mund të them se takimet e kryera nga kryeministri dhe nga ministri i Jashtëm shërbyen për të avancuar më tej kuptimin e drejtë të ecurisë së procesit të përfundimit të statusit, si dhe siguruam një mbështetje të vazhdueshme, publike dhe jopublike, jo vetëm nga administrata amerikane, pozicioni i së cilës është tashmë i qartë, por edhe nga një numër shumë i madh vendesh, qoftë nga Bashkimi Evropian, por edhe nga rajone të tjera të botës. Nga ky pikëvështrim, pavarësisht rezultatit, pak a shumë të pritshëm të raundit të radhës në Nju Jork, mund të them se vizita konsiderohet, nga pikëpamja diplomatike, si e suksesshme dhe përbën një etapë të përshpejtimit të ofensivës diplomatike të Shqipërisë në këtë drejtim.

RADIO EVROPA E LIRË
Deri më tani, bisedimet zyrtare mes palëve të Prishtinës dhe Beogradit nuk kanë arritur ndonjë rezultat konkret, le të themi për të arritur një opsion të përbashkët në zgjidhjen e statusit. Sipas pritshmërisë, si kryediplomat i Shqipërisë, çfarë prisni ju të ndodhë pas 10 dhjetorit?

LULZIM BASHA
Në radhë të parë, më lejoni që të riformuloj edhe një herë qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të procesit të bisedimeve, si dhe shpreh shpresën që palët do të vazhdojnë të bisedojnë me besim me njëra-tjetrën dhe do t’i hapin rrugën një zgjidhjeje jo vetëm për statusin e Kosovës, zgjidhje që është e pashmangshme, por ç’është më e rëndësishmja, do t’i hapin rrugën fqinjësisë së mirë midis Kosovës dhe Serbisë, midis vendeve të rajonit, duke i hapur kështu rrugën edhe rrjedhave më të përshpejtuara të integrimit të rajonit në BE dhe në NATO. Së dyti, dëshiroj të përsëris atë që kryeministri Berisha tha në fjalën e tij para Asamblesë së Përgjithshme, se në fund të këtij procesi, nëse, ose nëpërmjet marrëveshjes, ose nëpërmjet Këshillit të Sigurimit, përsëri nuk ka të reja, kemi një produkt të balancuar, të drejtë, të qëndrueshëm të OKB-së, që është produkt i presidentit Ahtisaari, i të dërguarit special të Sekretarit të Përgjithshëm dhe se ky produkt dhe parimet e mishëruara në të duhet të vihen në jetë pas përfundimit të këtij procesi bisedimesh. Pra, me fjalë të tjera, në pikëpamjen tonë, jo vetëm tonën, por të një shumice në rritje të vendeve anëtare të OKB-së dhe në veçanti të SHBA-ve dhe vendeve të BE-së, fundi i 120 ditëshit është edhe fundi i proceseve të angazhimit të palëve për gjetjen e një zgjidhjeje dhe pas kësaj duhet të kalohet në veprime.

RADIO EVROPA E LIRË
Do të thotë, shpallje e njëanshme e pavarësisë?

LULZIM BASHA
Nuk është skenar i preferuar as për Shqipërinë, por nëse kjo është e vetmja alternativë që i lihet Kosovës, rajonit, vendeve që kanë investuar kaq shumë në stabilitetin e rajonit, atëherë është në përgjegjësinë dhe detyrimin moral, jo vetëm të udhëheqësve politikë të Kosovës, jo vetëm të qeverive mike të rajonit, jo vetëm të aleatëve që kanë investuar kaq shumë për paqe dhe stabilitet tetë vjet, por të të gjithë atyre që besojnë në të ardhmen e rajonit dhe në integrimin e rajonit në BE, që të hedhin hapin tjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
Shqipëria, a është e përgatitur, a po merr hapa diplomatikë që ta mbështesë këtë opsion?

LULZIM BASHA
Jo vetëm kaq. Shqipëria ka divertuar, pra ka drejtuar të gjitha burimet e saj njerëzore, diplomatike, por edhe në rrafshet tjera, drejt përmbushjes së këtij qëllimi, i cili, në veçanti në skenarin e sipërpërmendur, ka komplikimet e veta dhe kërkon një intensivitet të veprimtarisë diplomatike, jo vetëm para, por edhe më shumë pas 10 dhjetorit dhe në vazhdim.

RADIO EVROPA E LIRË
Shqipëria po angazhohet gjithnjë e më tepër për çështjen e procesit të stabilizim asociimit dhe për integrimin e mëtejshëm në NATO. Çfarë rëndësie strategjike ka çështja e përcaktimit të statusit të Kosovës në këtë proces?

LULZIM BASHA
Ne jemi në fazën e përfundimit të ciklit të nëntë të anëtarësimit në NATO dhe të gjitha sinjalet e marra deri më tani janë pozitive, sa i përket performancës së Shqipërisë në kryerjen e reformave dhe sa i përket mundësisë që Shqipëria së bashku me Kroacinë dhe Maqedoninë të marrin ftesën për anëtarësim në Samitin e Bukureshtit, në prill të vitit që vjen. Kjo do të thotë që ne do të vazhdojmë dhe do të rrisim tempin e reformave këtu brenda në vend. Do të vazhdojmë po ashtu të kontribuojmë për paqe dhe siguri në rajon dhe në botë, siç po bëjmë edhe për momentin, krah për krah aleatëve tanë të NATO-s në Bosnje dhe në Afganistan. Por, padyshim që çështja e statusit të Kosovës ka një impakt të drejtpërdrejtë në këtë proces, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Maqedoninë, madje edhe për Kroacinë. As më pak dhe as më shumë është thënë edhe gjatë takimit me zotin Daniel Fried, ndihmëssekretarin e Departamentit të Shtetit për çështje të Evropës, ku edhe njëherë është theksuar nevoja e vazhdimësisë së një politike të fqinjësisë së mirë në rajon, nevoja e bashkërendimit të veprimeve të tre vendeve kandidate, Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë, në raport me statusin e Kosovës dhe në raport me pritshmërinë pas përfundimit të këtij procesi. Dhe, i njëjti mesazh i është dhënë edhe vendeve të tjera partnere, ku do të veçoja Bosnjën dhe Malin e Zi, por sigurisht edhe Serbia është një partner në këtë proces. Por, mendoj se Serbia tanimë i ka të qarta sinjalet që vijnë nga perëndimi mbi këtë çështje. Pra, në kampin perëndimor, jo vetëm në Uashington, por edhe në Bruksel, është evidentuar ideja se përfundimi pa vonesa i procesit të statusit përfundimtar të Kosovës, është po aq jetik për konsolidimin e demokracisë, stabilitetit dhe perspektivës euroatlantike të rajonit, sa edhe integrimi i tre vendeve kandidate në NATO, i cili sigurisht do të bëhet mbi bazën e vlerësimit të performancës së tyre. Por, nga ana tjetër, një komplikim i padëshirueshëm në lidhje me statusin e Kosovës do të kishte një impakt negativ jo vetëm në integrimin e tre vendeve, jo vetëm në kredibilitetin e investimit perëndimor, qoftë të NATO-s, qoftë të BE-së, por edhe në paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë.

INTERVISTOI: SUELA MUSTA
XS
SM
MD
LG