Ndërlidhjet

logo-print

POLARIZIMET E SERBËVE TË KOSOVËS


Albana Isufi

Bashkëpunimi me komunitetin ndërkombëtar dhe institucionet e Kosovës në procesin politik, apo kushtëzimi i këtij bashkëpunimi - janë çështjet, për të cilat ka mendime të ndryshme në qarqet politike të serbëve të Kosovës. Rada Trajkoviq, nënkryetare e Këshillit Nacional Serb, vlerëson se mes serbëve, si në veri, ashtu edhe në pjesët tjera, ekziston një ndasi, nëse ardhmëria e tyre në Kosovë varet nga gatishmëria e bashkëpunimit me komunitetin ndërkombëtar, institucionet e Kosovës, apo me Beogradin. “Unë, jo vetëm që mendoj se ka ndasi mes serbëve, por ekzistojnë dy qëndrime plotësisht të kundërta. Një grup politik më i matur i serbëve mendon se problemet në Kosovë duhet zgjidhur në atë mënyrë që do të pranoheshin tri parime që paraqesin realitetin e vetëm. Para se gjithash, Kosova nuk duhet të kuptohet si territor vetëm i shqiptarëve, por i shqiptarëve dhe i serbëve. Të gjithë ata serbë që e kuptojnë Kosovën vetëm si serbe dhe mundohen t’i zgjidhin problemet vetëm me Serbinë dhe Rusinë, mendoj se gjenden në një konfuzion të madh dhe anojnë për procesin në të cilin Kosova do të ishte ajo çfarë thonë serbët deri te Ibri. Dhe, nuk besoj se në fund të fundit do të ketë serbë edhe përtej Ibrit”, thotë Trajkoviq. Për ndasitë mes serbëve të Kosovës ka tërhequr vërejtjen edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, i cili në raportin e tij më të ri ka vlerësuar se përfaqësuesit e serbëve të Kosovës janë të polarizuar në mes atyre që janë për bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar dhe institucionet e Kosovës dhe atyre që kundërshtojnë këtë. Oliver Ivanoviq, lideri i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, thotë se është vlerësim i saktë se ka ndasi mes serbëve të Kosovës. Sipas Ivanoviqit, ka të tillë që mendojnë se Kosova mund të mbetet në Serbi, vetëm nëse bashkëpunon me komunitetin ndërkombëtar dhe të tjerët theksojnë se të gjitha problemet Serbia mund t’i zgjidhë vetë. “Vetëm bashkëpunimi i plotë me komunitetin ndërkombëtar është diçka e domosdoshme, në mënyrë që serbët të mbesin këtu. Vetëm nëse mbesin serbët në të ardhmen, mund të flasim nëse Kosova është apo jo në përbërje të Serbisë”, thotë Ivanoviq. Megjithatë, Milan Ivanoviq, nga Këshilli Nacional Serb i veriut të Kosovës, hedh poshtë pohimet për ndasi, duke shtuar se serbët janë të bashkuar në qëndrimin se nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës dhe se shumica nuk do të dalë në zgjedhje. “Mes serbëve të Kosovës ekziston një unitet i plotë në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, pasi që kjo do të thoshte eksod i serbëve. Natyrisht që nuk qëndron konstatimi i zotit Ban Ki Moon, që procesi i vendimit të statusit po i polarizon serbët, përkundrazi ai na homogjenizon plotësisht”, thotë Milan Ivanoviq. Ai shton se çdo bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar duhet të zhvillohet në baza të barabarta. “Natyrisht që nuk mund të ketë polarizime në ata që janë për bashkëpunim dhe ata që janë kundër, pasi që serbët janë për bashkëpunim, por në baza të barabarta, por kurrsesi në kushte nënçmuese, për të bërë tregti territoresh apo shkëputje territoresh”, shprehet Milan Ivanoviq. Marrëdhëniet mes serbëve të Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar dhe institucioneve të Kosovës janë përkeqësuar, për shkak të çështjes së statusit dhe gjendjes së sigurisë. Sipas Oliver Ivanoviqit, shumica e serbëve të Kosovës janë zhgënjyer nga komuniteti ndërkombëtar, pasi që kanë pritur një ndryshim automatik të qëndrimit të botës karshi Serbisë, pas ndryshimeve demokratike në Serbi. “Kjo dilemë ekziston dhe është e theksuar edhe në Beograd, por kjo po bartet edhe në Kosovë”, thotë Oliver Ivanoviq. Sipas Rada Trajkoviqit, vetëm bashkëpunimi mund të sjellë një zgjidhje stabile, por ajo konsideron se edhe institucionet e Kosovës duhet ta njohin realitetin, në të cilin gjenden serbët dhe t’u ofrojnë atyre mekanizma institucionalë, në mënyrë që të kenë ndikim në proces. Në çdo rast, Trajkoviq vlerëson se përgjegjësia më e madhe bie mbi serbët e Kosovës. “Mendoj se të gjithë së bashku duhet të mendojmë për realitetet tona dhe së bashku me komunitetin ndërkombëtar dhe shqiptarët e Kosovës të ofrojmë diçka që këtë rajon do ta çonte kah stabiliteti, përkrah komunitetit ndërkombëtar, si faktor kryesor”, tha Trajkoviq.
XS
SM
MD
LG