Ndërlidhjet

RUSIA ZGJERON MUSKUJT E SAJ NË EVROPË


"Christian Science Monitor"



Prej Baltikut e deri në Ballkan, rilindja e Rusisë ka filluar ta lidhë Evropën në nyje, duke krijuar tensione midis vendeve anëtare, duke nxitur frikë nga jostabiliteti etnik dhe kundërshtimet për kufijtë dhe duke krijuar ndarje midis Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të tyre evropianë. Të marrim si shembull rastin e Kosovës. Eksperti i njohur për çështje evropiane, Jacques Rupnik, ka thënë se “qasja e re e Rusisë, ajo e grabitjes së ndikimit dhe matjes së muskujve, e ka ndryshuar rrëfimin për Kosovën. Bashkimi Evropian ka llogaritur që Rusia të bëjë kompromise mbi Kosovën, meqë nuk ka pasur arsye të kundërshtojë. Por, Moska ka kundërshtuar dhe atë për një çmim shumë të ulët. Evropa, ka thënë zoti Rupnik, tash është e ndarë në raport me Rusinë dhe do të jetë e ndarë për Kosovën. Manovrimet e Rusisë mbi Kosovën janë pjesë e një loje të re gjeopolitike të cilën presidenti rus Vladimir Putin e ka nisur para tetë muajsh në oborin e Bashkimit Evropian. Loja e tij për synim ka të rikthejë ndjenjën tradicionale e të qenit një fuqi e madhe botërore dhe për t’i dhënë fund poshtërimit kombëtar gjatë viteve të 90’ta, në kohën kur Moska luftonte me vetveten për t’u përshtatur në realitetet e krijuara pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Shumë analistë në Evropë kanë qenë të ngadalshëm në njohjen e rilindjes së Rusisë dhe ndikimet kundërthënëse që ajo ka në përpjekjet e Evropës për të hartuar një politikë të përbashkët për çështje të jashtme.
Deri në vitin 2005, Kremlini e ka bërë të qartë dallimin midis NATO-s, zgjerimin e së cilës nuke favorizonte dhe Bashkimit Evropian, zgjerimit e të cilit e shihte si përparim të natyrshëm ekonomik. Por në dy vitet e fundit, me rritjen e bllokut evropian në 27 vende anëtare, Putini dhe Moska nuk ndihen edhe aq rehat.
Brenda Bashkimit Evropian, ndarjet mbi Rusinë janë posaçërisht të dukshme. Ish satelitët sovjetikë sikur që është Polonia janë më të shqetësuara se vendet tjera sikur që është Gjermania dhe Franca, edhe pse edhe ky kategorizim i vendeve mund të ndryshojë. Presidenti francez, Nicolas Sarkozy, i cili do të takohet me Putinin më 9 tetor, e ka cilësuar trajtimin e Kosovës nga Moska si “formë brutaliteti”. Gjermanët në veçanti janë të ndarë mbi rilindjen e Rusisë, në njërën anë janë figurat politike siç është ish ministri i jashtëm Gerhard Shroeder, i cili favorizon një politikë pro-ruse, nëpërmjet së cilës Berlini do të ishte në qendër të marrëdhënieve midis Moskës dhe Washingtonit. Në anën tjetër, është kancelarja gjermane Angela Merkel e cila ka adoptuar një linjë më të ashpër politike përballë sjelljeve të fundit të Rusisë. Një diplomat të lartë amerikan ka thënë: “Më duhet t’i shtrij dorën Rusisë, ky vend ka diplomatët më të mëdhenj në botë. Ata kënaqen duke përzier fillimisht lëmshin, pastaj duke shikuar në qetësi secilin të merret me këto çështje evropiane”. Një zyrtar i lartë evropian, i përfshirë në procesin e përcaktimit të statusit të Kosovës, ka thënë se “pozicioni i sforcuar i Rusisë mbi Kosovën është një mënyrë e mrekullueshme e Putinit për ta ndarë mëdysh Bashkimin Evropian dhe për të krijuar vështirësi të reja përballë Shteteve të Bashkuara”.
XS
SM
MD
LG