Ndërlidhjet

ÇFARË DUHET TË BËJË KUVENDI PAS 10 DHJETORIT?


Arton Konushevci

Kuvendi i Kosovës nuk e ka fuqinë e sovranitetit për të vendosur për çështje madhore, siç është pavarësia e Kosovës, por ai duhet ta shprehë vullnetin e popullit. Kështu kanë thënë sot disa deputetë të Kuvendit të Kosovës. Sabri Hamiti, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se nuk duhet të nxitohet me vendime të mëdha, siç është shpallja e pavarësisë, ngase ato mund të hidhen poshtë nga autoritetet ndërkombëtare. “Parlamenti i Kosovës e ka të drejtën që ta shprehë në mënyrë institucionale vullnetin e popullit të Kosovës jo pas dhjetëshit, por edhe para dhjetëshit. Çështja po lidhet me fuqinë e tij sovrane; të mos bëhen hapa që i japin mundësi qoftë një administratori që e ka fuqinë e një despoti në Kosovë, që ta zhvlerësojë me një deklaratë. Unë nuk jam për t’i dhënë mundësi një administratori që ta zhvlerësojë një deklaratë të Kuvendit, sepse atëherë mua më duket që zhvlerësohet edhe më shumë Kuvendi. Sido që të jetë, edhe kjo legjislaturë, edhe ajo që do të dalë pas këtyre zgjedhjeve, besoj se do të kryhen me sukses, e ka përgjegjësinë dhe duhet ta ushtrojë përgjegjësinë për vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës dhe ta shpallë Kosovën e pavarur”, ka thënë Hamiti. Ai mendon se nuk është problematike shpallja e pavarësisë së Kosovës, por është problematike mënyra se si do të cilësohej kjo shpallje. “Nuk është problemi i deklaratës së shpalljes së Kosovës së pavarur. Problemi është që Parlamenti ta kalkulojë, ta organizojë në mënyrë të tillë që ta kërkojë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ky është elementi më i fortë, në të cilin unë insistoj. Insistoj që në Kosovë, te masa e përfaqësuesve, sidomos shqiptarëve, por edhe të tjerëve, të krijohet masa e domosdoshme, e fuqishme, që unë do ta quaja ‘pavarësiste’ ose ‘indipendentiste’ e Kuvendit të Kosovës, pa marrë parasysh ngjyrimet partiake, që do ta marrë fuqinë që ta bëjë shpalljen dhe ta kërkojë njohjen. Pse po insistoj në këtë? Po insistoj, sepse ju keni një histori të shpalljeve të vullnetit në forma të ndryshme dhe në organizma të ndryshëm. Është bërë edhe një referendum për pavarësinë e Kosovës, që është trajtuar vullneti i të gjithë qytetarëve”, tha Hamiti. Ndërsa, Fehmi Mujota, nga Partia Demokratike e Kosovës, mendon se pas bisedimeve 120 ditëshe, nëse nuk arrihet ndonjë rezultat konkret për statusin e Kosovës, atëherë Kuvendi i Kosovës duhet ta shpallë pavarësinë. “Sigurisht që është e qartë se institucioni i vetëm që bën zyrtarizimin e pavarësisë së Kosovës, është Kuvendi i Kosovës, ndërsa këtë zyrtarizim, brenda Kosovës, më pas e zyrtarizon mekanizëm tjetër ndërkombëtar. Natyrisht, puna e parë është ajo që Kuvendi i Kosovës duhet ta shpallë pavarësinë e Kosovës sipas krejt kompetencave që ka një Kuvend i një vendi dhe më pas të kërkojë njohjen ndërkombëtare, në rast se nuk kemi një arritje të një konsensusi të plotë, edhe ndërkombëtar, edhe vendor, për këtë çështje”, është shprehur Mujota. Ai ka thënë se tash për tash, në kohën kur po zhvillohen negociatat, nuk mund të ketë veprime praktike nga Kuvendi i Kosovës. Mujota mendon se pas 10 dhjetorit duhet të bëhet një vlerësim i gjithë procesit të negociatave për të parë edhe mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar. “Tanimë është e qartë se deri më datën 10 dhjetor nuk mund të ketë ndonjë vendim apo veprim praktik të Kuvendit. Por, pas datës 10 dhjetor, me siguri se ka hapësirë të mjaftueshme për të analizuar gjithë procesin që kemi kaluar, për të parë të gjithë rezultatet e tij, për të rishikuar edhe njëherë mbështetjen e fuqishme ndërkombëtare që kemi në këtë proces dhe të ndërmarrim veprimet tona praktike dhe ligjore që ka Kuvendi i Kosovës”, ka thënë Mujota. Nga ana tjetër, Besa Gaxherri, nga Lidhja Demokratike e Dardanisë, thotë se qytetarët e Kosovës nuk mund të presin më për pavarësinë e Kosovës. “Unë mendoj se pavarësia e Kosovës duhet të ndodhë. Duhet të ndodhë, sepse nuk ka zgjidhje tjetër. Në Kosovë ka ardhur fundi i durimit. Përveç asaj, qytetarët e Kosovës janë në një heshtje, pas së cilës heshtje fshihet ndoshta një dëshpërim shumë i madh dhe ky dëshpërim mund të shpërthejë në masa të paparashikueshme dhe të pakontrollueshme”, ka theksuar Gaxherri. Ajo ka thënë, mes tjerash, se Ekipi i Unitetit duhet të këtë një koordinim me deputetët e Kuvendit të Kosovës për të caktuar hapat e ardhshëm, që do të pasonin 10 dhjetorin. “Grupi Negociator, që është aktual, të ketë një plan dhe ky plan të jetë, së paku me deputetët aktualë të Kuvendit të Kosovës, transparent. Do me thënë, një plan konkret pas datës 10, sepse Kosova tashmë i ka institucionet e zgjedhura nga vetë qytetarët”, ka thënë Gaxherri. Sido që të jetë, mundësia e shpalljes së pavarësisë, në përfundim të procesit negociator, është shndërruar në temë debatesh, që kryesisht ndërlidhen me parashikimet se 10 dhjetori nuk do të sjellë asnjë rezultat në arritjen e një marrëveshjeje midis Prishtinës dhe Beogradit.

XS
SM
MD
LG