Ndërlidhjet

logo-print

REAGIME PAS PARAQITJES PUBLIKE TË AKSH-SË


Albana Isufi

Paraqitja e parë publike e personave që veten e quajnë pjesëtarë të Armatës Kombëtare Shqiptare ka nxitur reagimet e para në mesin e liderëve të institucioneve të Kosovës. Radio Televizioni publik i Kosovës ka transmetuar pamje të këtyre personave, të cilët kanë thënë se janë duke vepruar në veri të Kosovës, pas kërcënimeve për luftë të militarëve dhe paramilitarëve serbë, në rast të pavarësimit të Kosovës. Presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë sot se Kosova nuk ka nevojë të provokohet nga nxitjet e ndryshme për luftë, meqë ka mekanizmat e sigurisë. “Janë mekanizmat e qartë përgjegjës për sigurinë e Kosovës. Nuk do të bëj tjetër koment për këtë. Me rëndësi është që zhvillojmë mekanizmat institucionalë. Kosova nuk mund të jetë e provokuar dhe nuk duhet të provokohet nga nxitjet për luftë, që vijnë përreth saj”, theksoi presidenti Sejdiu. Kryeministri Agim Çeku ka thënë se paraqitja publike e AKSH-së nuk dërgon mesazh të mirë për Kosovën. “Kosova i ka organet e veta të sigurisë. Kosova do t’i ketë në të ardhmen organet e veta të sigurisë. Kështu që Kosova do të mbrohet dhe duhet të mbrohet vetëm në mënyrë institucionale. Shfaqja e individëve të tillë është shfaqje që nuk dërgon mesazh të mirë për Kosovën”, tha kryeministri Çeku, duke mos dhënë cilësime as për AKSH-në, e as për pjesëtarët e saj. “Ata kanë maska. Dhe, përderisa kanë maska, është shumë zor për t’i definuar”, ka thënë Çeku. AKSH-ja është paraqitur për herë të parë në publik mbrëmë, përderisa, deri më tash, komunikimi i saj me publikun ka qenë vetëm përmes komunikatave për media, përkatësisht përmes postës elektronike. AKSH-ja qe shpallur nga ish-shefi i UNMIK-ut, Michael Steiner, organizatë terroriste, në vitin 2003. Megjithatë, KFOR-i, që është përgjegjës për sigurinë në tërë territorin e Kosovës, pohon se nuk ka informacione se një grup i tillë i armatosur dhe i organizuar vepron në Kosovë. Por, zëdhënësi i KFOR-it, Bertran Bono, ka thënë se nëse do të vërehen grupe të tilla, ato do të trajtohen si ilegale. Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani, thotë se pas paraqitjes publike të AKSH-së, autoritetet e rendit kanë nisur hetimet. “Ajo që mund të themi është se UNMIK-u, KFOR-i e polica janë të vetmet institucione që janë përgjegjëse për gjendjen e sigurisë e të rendit në Kosovë. Të gjitha grupet tjera janë jolegale dhe do të veprohet me ta në bazë të ligjit. Ndërsa, është e vërtetë se kemi pasur shkëmbim zjarri me grupe të armatosura, por ato kanë qenë kriminale, të ndërlidhura me kriminalitet, që kanë ndaluar persona të caktuar, kanë grabitur qytetarë nën kërcënimin e armëve dhe jo diçka tjetër”, tha Elshani. Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë se paraqitja e pjesëtarëve të AKSH-së është një reflektim ndaj kërcënimeve që kanë ardhur nga forcat paramilitare serbe. “Këto organizime janë të rrezikshme për gjendjen e tashme dhe vetëm e rendojnë situatën. Por, edhe më të rënda janë kërcënimet jo vetëm nga qarqet paramilitare, por edhe nga ato zyrtare serbe. Këto janë momente mjaft të vështira, që, në një formë, kjo zgjatje e statusit dhe mosfunksionimi adekuat apo moskomponimi i sektorit të sigurisë në të gjitha aspektet, pra edhe me Shërbimin Inteligjent, sjell deri te këto situata”, thotë Ibishi. Ndryshe, një raport i fundit për sigurinë i Ministrisë së Rendit thekson se në veriun e Kosovës është evidente prania e një grupi qytetarësh serbë, të cilët veprojnë si pjesëtarë të strukturave paralele nën autoritetet e Serbisë, e që aktualisht janë të angazhuar në cilësinë e vëzhguesve të situatës në atë pjesë të veshur me rroba civile. Eksperti për çështje të sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë se paraqitja e strukturave paralele të sigurisë, qoftë AKSH-së apo atyre serbe, do të shkaktojë destabilizim të situatës. “Strukturat paralele bëjnë destruksion në sektor të sigurisë. Fatkeqësisht, misioni i UNMIK-ut ka lejuar apo nuk i ka mënjanuar strukturat paralele në veri dhe ato kanë vazhduar të ekzistojnë. Tash ky reflektim i ri, kjo paraqitje e re e forcave - këto e rëndojnë situatën e sigurisë nga brenda dhe normalisht që këto përshpejtojnë rreziqet nga jashtë”, shprehet Ibishi. Shpërbërja e strukturave paralele të sigurisë, sipas Ibishit, do të jetë punë shumë e vështirë të bëhet tani, pasi që tashmë struktura e tyre është forcuar. “Institucionet vendore, ministria me policinë vendore, do ta kenë vështirë pa ndihmën e faktorit ndërkombëtar që t’i largojnë, sepse ato janë struktura dhe janë jashtëzakonisht të mbështetura nga Qeveria serbe. Dhe, ato, në një formë, nëse faktori ndërkombëtar nuk bën dika më të thënshme, veprim më ekzekutiv me Qeverinë e Serbisë, do të jetë vështirë të shpërbëhen”, tha Ibishi. Ndryshe, Garda e Car Lazarit, organizatë kjo paramilitare serbe, ka paralajmëruar se do të vijë gjatë muajit tetor në veriun e Kosovës, për të protestuar kundër pavarësimit të Kosovës. Zyrtarë të SHPK-së e kanë vlerësuar këtë si një sfidë të madhe për sigurinë. Pjesëtarë të kësaj garde, të cilëve u është ndaluar hyrja në Kosovë nga ana e UNMIK-ut, meqë garda e Car Lazarit konsiderohet të jetë organizatë ilegale, kanë kërcënuar se do ta mbrojnë Kosovën në rast të pavarësimit të saj.
XS
SM
MD
LG