Ndërlidhjet

SOVRANITETI DHE KUFIZIMET PËR KOSOVËN


'New York Times'

Tetë vjet pas luftës së NATO-s për t'i dhënë fund spastrimit etnik në Kosovë, ka ardhur koha për komunitetin ndërkombëtar që ta njohë pavarësinë e Kosovës nga Serbia. Shtetet e Bashkuara dhe Evropa janë duke lëvizur gradualisht kah ky vendim, por Rusia është duke i bllokuar veprimet në Këshillin e Sigurimit. Edhe pse Qeveria në Kosovë, e dominuar nga shqiptarët, ka ende punë për të bërë në garantimin e plotë të të drejtave për minoritetin serb, shtyrjet e mëtutjeshme vetëm sa do të ushqenin ato ndjenja që nxitën gjithë ato trazira dhe gjakderdhje në vitet e 90-ta. Fuqitë e mëdha botërore tash përballen me afatin e fundit të caktuar për 10 dhjetor, për të vendosur për të ardhmen e Kosovës. Shqiptarët e Kosovës e kanë pranuar planin e Kombeve të Bashkuara, nëpërmjet të cilit përmbushen shumë kërkesa të serbëve, përfshirë këtu edhe një formë autonomie për komunitetin serb dhe mbrojtjen e monumenteve të këtij komuniteti. Shqiptarët kanë thënë se do ta shpallin pavarësinë njëanshmërisht nëse Këshilli i Sigurimit nuk vepron, prandaj është në interesin e secilit, përfshirë këtu edhe Rusinë, që Kombet e Bashkuara të kenë një rol të fuqishëm në këtë proces. Moska dhe Beogradi kanë dhënë shenja të ndarjes së Kosovës, midis serbëve dhe shqiptarëve. Një qasje e këtillë është e rrezikshme dhe e parealizueshme, e cila do të trimëronte edhe më shumë nacionalistët serbë dhe do të shkaktonte zemërim tek shqiptarët, në një rajon i cili ka nevojë të madhe të shmangë pasionet e të dyja palëve. Shtetet e Bashkuara dhe pjesa më e madhe e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat janë në favor të pavarësisë, tani duhet të marrin një vendim të palëkundshëm. Nëse Rusia vazhdon ta kundërshtojë planin e Kombeve të Bashkuara, Washingtoni dhe aleatët e tij, edhe ashtu duhet të ecin përpara dhe ta njohin Kosovën me kohë për të përmbushur afatin e 10 dhjetorit. Ata gjithashtu duhet t'ia bëjnë të qartë Beogradit se nëse nuk kundërshton zëshëm apo në mënyrë destruktive ndaj një vendimi të këtillë, Serbia mund të ketë shumë përfitime, duke përmendur këtu anëtarësimin e mundshëm në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Shumë serbë qartazi preferojnë të jenë aleatë të favorizuar të Perëndimit dhe jo të Rusisë. Një Kosovë sovrane, sikurse të gjitha demokracitë e reja, do të ketë nevojë për një ndihmë afatgjate në përmbushjen e sfidave ligjore, të të drejtave të njeriut, ekonomike dhe sfidave të tjera, por populli i saj e meriton shansin për t'u përpjekur të paktën. Serbët, ndërkaq, duhet të pajtohen me faktin se Kosova kurrë më nuk do të administrohet nga Beogradi. Ka ardhur koha që edhe kjo plagë e fundit e Ballkanit të fillojë të shërohet.

XS
SM
MD
LG