Ndërlidhjet

logo-print

KOSOVA VAZHDON TË VARET NGA IMPORTI


Nadie Ahmeti

Mbi 90 për qind e mallrave për nevojat e popullatës dhe të ekonomisë së Kosovës vazhdojnë të importohen nga vende të ndryshme të rajonit, ndërkaq vetëm 3 deri në 5 për qind e produkteve kosovare eksportohen, thonë ekspertë për çështje ekonomike. Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se kjo dukuri Kosovës po i kushton me humbjen e qindra milionave euro. Ai, megjithatë, thotë se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti ka dominuar importi nga Serbia dhe Maqedonia. Dhe, e gjithë kjo, sipas tij, po ndodh për shkak të kostos së lartë dhe politikave fiskale jo të favorshme të prodhuesve kosovarë në krahasim me prodhuesit e rajonit. “Arsye tjetër është se një pjesë e madhe e vendeve rajonale nuk i pranojnë prodhimet kosovare vetëm se shkruan ‘Made in Kosova’”, thotë Shahini. Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë thonë se eksporti në tre muajt e fundit të këtij viti ka shënuar një rritje të konsiderueshme. Jusuf Prelvukaj, drejtor i Departamentit të Tregtisë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se eksporti i prodhimeve vendore është rritur, për shkak të privatizimit të disa ndërmarrjeve të mëdha, të cilat tashmë kanë filluar punën. “Ende nuk i kemi bërë ato parallogaritë kryesore me shifra, por të dhënat, që vijnë nga doganat, tregojnë se ka rritje të dukshme në tremujorin e fundit të eksportit”, pohon Prelvukaj. Edhe pse, sipas ekspertëve, eksporti i produkteve kosovare është i vogël në krahasim me importin, Agim Shahini thotë se arsye tjetër pse kjo gjendje vazhdon të jetë kështu, është mungesa e legjislacionit adekuat dhe mungesa e përkrahjes së komunitetit të biznesit nga Qeveria e Kosovës. “Edhe pse dihet se në Kosovë janë disa fabrika me një teknologji më të avancuar, me renome botërore dhe kanë një kualitet të lartë dhe dizajn që i plotëson të gjitha standardet për të eksportuar, çështja që këta nuk janë në ato tregje është mosnjohja e certifikatave të prodhimit të EURO 1”, thotë Shahini. Edhe Jusuf Prelvukaj, nga Ministria e Tregtisë, pajtohet se komuniteti i biznesit nuk përkrahet në mënyrë institucionale. Por, ai thotë se buxheti i Kosovës nuk ka mundësi të bëjë subvencionimin në forma të ndryshme të bizneseve. “Në rajon ekzistojnë ato subvencionimet indirekte, se bizneset e tyre janë në një pozitë më të volitshme. Edhe ne besoj se në të ardhmen do të krijojmë mundësi që të subvencionojmë produktet që eksportohen; nuk do të ketë subvencionime direkt, por indirekt”, thotë Prelvukaj. Ndryshe, Agim Shahini thotë se është koha e fundit që institucionet vendore të ndihmojnë investitorët potencialë në sektorin privat, në mënyrë që eksporti të zëvendësohet me import. “Është alarmante që këto ndryshime të bëhen vetëm e vetëm që të zhvillohet sektori privat, të kemi një buxhet më të qëndrueshëm dhe më të madh”, thekson Shahini. Sidoqoftë, sektori privat, nga ekspertë të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë konsiderohet si burimi i vetëm për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Ekspertët ndërkombëtarë, ndërkaq, kanë deklaruar se paratë e donatorëve nuk do të jenë të mjaftueshme, nëse nuk përmirësohet pozita e sektorit privat dhe ky sektor të gjenerojë të ardhura materiale në buxhetin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG