Ndërlidhjet

SBASHK: NESËR PROTESTË PUBLIKE


Nadie Ahmeti

Punëtorët e sistemit arsimor do të mbajnë nesër një protestë publike, pasi marrëveshja e arritur ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, sipas kësaj të fundit nuk është realizuar në tërësi. Në fund të muajit gusht, Qeveria e Kosovës u ka premtuar sindikalistëve të arsimit, se këtë vit do të rrisë pagat e mësimdhënësve për 12 për qind dhe që nga zbatimi i reformave për klasat e pesta, pa punë nuk do të jetë asnjë punëtor i arsimit. Ali Shabanaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, tha se marrëveshja për rritjen e pagave për 12 për qind nuk është përmbushur për të gjithë të punësuarit në arsimin fillor dhe të mesëm në Kosovë. “Në këtë rritje pagash nuk janë futur punëtorët ndihmës, të cilët mbajnë barrën kryesore për krijimin e kushteve për punë. Nuk janë futur punëtorët e administratës, drejtorët dhe zëvendësdrejtorët e shollave në të dy këto nivele”, tha Shabanaj. Në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit thonë se premtimet e Qeverisë tashmë janë realizuar. Dëfrim Gashi, këshilltar i ministrit të Arsimit, tha se pagat për muajin shtator, mësimdhënësit i kanë marrë me ngritje prej 12 për qind. Ndërkaq, për mospërfshirjen e punëtorëve të administratës së arsimit në këtë rritje pagash, Gashi thotë se një gjë e tillë nuk është lejuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. “Administrata arsimore është në kuadër të Administratës së Shërbyesve Civilë në nivel të Kosovës. Kjo rritje nuk është lejuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për faktin se mund të provokohet mbarë administrata e shërbyesve civilë, të shëndetësisë, të komunave, të ministrive të tjera. Dhe, punëtorët e administratës në Ministrinë e Arsimit nuk kanë asnjë për qind rritje në këtë rritje të mësimdhënësve“, tha Gashi. Ndryshe, Ali Shabanaj, nga SBASHK-u, thotë se as kërkesa tjetër që nga zbatimi i reformave për klasat e pesta pa punë të mos mbetet asnjë punëtor i arsimit, nuk është realizuar sipas marrëveshjes. “Kemi informacione se njerëzit kanë mbetur pa punë, kemi informacione se njerëzit kanë mbetur me një gjysmë norme, por jo me një normë të plotë dhe në këtë mënyrë nuk është realizuar kërkesa në tërësinë e saj. Ministria e Arsimit e ka luajtur një lojë të tillë, me qëllim që të ruajë një paqe sociale”, u shpreh Shabanaj. Dëfrim Gashi pohon se Ministria e Arsimit ka bërë përpjekje të vazhdueshme që pa punë të mos mbetet asnjë punëtor i kualifikuar. “Realisht, mund të mbetet ndonjë i papunë në ndonjë komunë, i cili është i diplomuar, por jo në profilin arsimor. Tjetra, është kompetencë e komunave që të bëjnë rregullimin, sistemimin, pranimin e kuadrove”, pohoi Gashi. Por, për sindikalistët, këto janë të papranueshme, thotë Ali Shabanaj, duke shtuar se pikërisht për këtë, Këshilli i Përgjithshëm ka vendosur që ky reagim i pakënaqësisë të nisë së shprehuri me protestë publike, e cila do të mbahet nesër para Ministrisë së Arsimit. “SBASHK-u, me statusin dhe programin që ka, ka forma të ndryshme të presionit. Prandaj, meqë fillimisht u morëm vesh që të fillojë mësimi, nuk deshëm të çrregullojmë procesin mësimor, por deshëm që pakënaqësinë tonë ta shprehim me protestë dhe do të protestojmë deri në realizmin e kërkesave tona”, theksoi Shabanaj. Ndryshe, Dëfrim Gashi, nga Ministria e Arsimit, thotë se kjo protestë është e papranueshme, meqë, sipas tij, kërkesat e SBASHK-ut tashmë janë përmbushur. “Unë apeloj që administrata arsimore të mos bie në provokime të tilla, të një grupi të njerëzve”, u shpreh Gashi. Sidoqoftë, sipas udhëheqësve të SBASHK-ut, shprehja publike e pakënaqësisë nuk do të përfundojë me këtë protestë, por do të vazhdojë edhe me format tjera deri në vënien në jetë të gjithë marrëveshjes.

XS
SM
MD
LG