Ndërlidhjet

SHËNOHET DITA BOTËRORE E SHËNDETIT MENDOR


Bekim Bislimi

‘Fol për shëndetin tënd mendor’ - është motoja me të cilën sot në Kosovë po shënohet Dita Botërore e Shëndetit Mendor, nën organizimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Prishtinë. Prevalenca e çrregullimeve të shëndetit mendor në shumicën e vendeve botërore sillet rreth 2 për qind dhe Kosova nuk bën përjashtim nga kjo, por për dallim nga këto vende, Kosova ka dalë rishtas nga lufta, e cila ka lënë pasojat e saj dhe këto pasoja vazhdojnë të jenë akoma prezente, thotë psikologu Aliriza Arënliu, zyrtar në Programin për shëndetin mendor në kuadër të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. ”Edhe 10 vjet pas përfundimit të luftës, ende vazhdojnë pasojat e saj. Sikurse në shumë sfera shëndetësore, edhe në sferën e shëndetit mendor ekziston një diskrepancë mes nevojës dhe furnizimit. Do të thotë, nevojat për këto shërbime janë shumë më të larta, në krahasim me atë se sa mund të ofrohet. Këtu është edhe përqendrimi ynë kryesor, do të thotë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që t’i ndihmojmë institucionet vendore që t’i zhvillojnë këto shërbime”, ka thënë Arënliu.
Derisa po shënohet Dita Botërore e Shëndetit Mendor, sot në Kosovë do të bëhet edhe prezantimi i Planit strategjik të shëndetit mendor për periudhën 2008 - 2013. Dr Ferid Agani, kryetar i Komisionit profesionist për shëndetin mendor në Kosovë dhe kryetar i komisionit që ka përpiluar planin strategjik, thekson se ky plan synon t’u përgjigjet kërkesave të popullatës në këtë segment shëndetësor. ”Ky plan, si edhe plani paraprak i miratuar në janar të vitit 2001, vazhdon të mbështetet në parimet e shërbimeve të shëndetit mendor në komunitet dhe në parimin e mbështetjes së familjes së të sëmurit mendor në radhë të parë. Pra, një model psiko-social i shërbimeve të shëndetit mendor dhe një largim nga modeli medikal, mjekësor, i cili mbështetet vetëm në trajtimin e sëmundjeve mendore nëpërmjet medikamenteve; natyrisht, duke gjetur një balancë ndërmjet këtyre dy modeleve të ofrimit të shërbimeve”, tha Agani. Ai ka shtuar se ky plan tenton t’u përgjigjet kërkesave për zhvillimin e shërbimeve të shëndetit mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve, për shërbimet për të sëmurët nga sëmundjet e varësisë, si dhe për psikiatrinë gjyqësore. Ndryshe, zoti Arënliu thotë se Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bashkëpunuar me ekspertët vendorë në Kosovë për përpilimin e këtij plani strategjik, por, siç pohon ai, përpilimi dhe implementimi janë dy gjëra të ndryshme. ”Distribuimi i buxhetit për këtë lëmi është shumë më i ulët në krahasim me nevojën. Ta zëmë, në Kosovë është diku rreth 2 për qind totali i buxhetit shëndetësor që i ofrohet shërbimeve të shëndetit mendor, gjersa në disa vende të zhvilluara, kjo shkon deri në 10 apo 15 për qind. Kështu që implementimi i strategjisë, me fjalë të tjera, do të varet edhe prej financimit të kësaj strategjie në të ardhmen prej Qeverisë së Kosovës apo prej organeve kompetente”, tha Arënliu. Ndërkaq, zoti Agani thekson se komisioni që ka përpiluar Planin strategjik për shëndetin mendor, ka tentuar që të parashikojë realizimin e tij në bazë të mundësive buxhetore që ka shëndetësia kosovare. “Gjithë këtë punë kemi tentuar ta bëjmë brenda një kornize reale të mundësive buxhetore, financiare të sistemit shëndetësor të Kosovës. Dokumenti përmban edhe koston e shpenzimeve për projektet e caktuara sipas viteve dhe shpresojmë se me një ndihmesë edhe të shteteve donatore, ndihmë kjo e cila nuk ka munguar deri më tani për lëmin e shëndetit mendor, do të arrijmë që ta realizojmë”, u shpreh Agani. Sidoqoftë, Kosova ka kaluar luftën dhe sot janë evidente çrregullimet si pasojë e stresit postraumatik. Zoti Arënliu tha se vetëvrasjet në Kosovë janë një problem që brengos, ndërkaq që zoti Agani theksoi se Plani strategjik për shëndetin mendor parasheh hulumtimin gjithëpërfshirës dhe të detajuar të këtij fenomeni dhe në bazë të rezultateve të këtij hulumtimi, të përpilohet strategjia kombëtare për parandalimin e këtij fenomeni.


XS
SM
MD
LG