Ndërlidhjet

JANJIQ:"PËR KOSOVËN – MODELI I PROCESIT PAQËSOR NË LINDJEN E AFËRT"


Dushan JANJIQ, drejtor i Forumit për Marrëdhënie Etnike /Beograd/

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Janjiq, cilat janë pritjet e juaja nga procesi aktual i negociatave ndërmjet Prishtinës e Beogradit?

DUSHAN JANJIQ
Më duhet të them se kam pritje relativisht të kufizuara, duke e ditur se fuqia e Prishtinës dhe Beogradit nuk është e tillë çfarë tash po duket. Prishtina dhe Beogradi nuk kanë kapacitete që të arrijnë marrëveshje për statusin. Dhe kjo për dy arsye. Së pari, për faktin se kanë pozicione të kundërta dhe asnjëra prej palëve nuk tregon dëshirën që të zbusë këto qëndrime. Dhe, këtu vjen deri te një bllokadë objektive. Po ashtu, tash do të ketë edhe zgjedhje. Objektivisht, zgjedhjet do ta ndryshojnë legjitimitetin e Ekipit kosovar të Unitetit. Pas zgjedhjeve, Serbia do të rishqyrtojë kapacitetet e këtyre njerëzve. Problemi i dytë që është i rëndësishëm, është roli i Grupit të Kontaktit. Nëse Grupi i Kontaktit nuk dëshiron apo nuk mund të arrijë kompromis, atëherë as Prishtina e Beogradi nuk do të mund të arrijnë marrëveshje. Ajo, për të cilën mendoj se Grupi i Kontaktit pajtohet, është se UNMIK-u nuk vlen më dhe që Bashkimi Evropian të marrë përgjegjësinë për të ashtuquajturën perspektivën evropiane të Kosovës dhe Serbisë. Andaj, kjo është një bazë e mjaftueshme që deri më 10 dhjetor ata të vijnë deri te pika që të mund t’i propozojnë Këshillit të Sigurimit një rezolutë apo deklaratë presidenciale, me të cilën Bashkimi Evropian do të obligohej që të përgatitej për të marrë misionin në Kosovë. Do të thotë se statusin, a do të jetë pavarësi, pavarësi e mbikëqyrur apo sovranitet i ndarë, apo Kosova si rajon evropian apo diçka tjetër, unë nuk e pres në dhjetor. Kjo eventualisht mund të vendoset pas zgjedhjeve presidenciale në Rusi. Do të thotë se është e mundur edhe në këtë idenë, e cila tash po paraqitet nga Ischinger, për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, në pranverën e ardhshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa mund kjo konferencë ndërkombëtare për Kosovën që po përmendet të sjellë një dimension të ri në negociata dhe procesin e statusit?

DUSHAN JANJIQ
Tash, kjo ide është në nivel të verifikimit. Atë që Ischinger e ka thënë, duhet kuptuar si proklamim i një ideje, e cila po shqyrtohet dhe verifikohet se si do të reagojnë palët. Konferencat thirren që çështjet të zgjidhen. E këtu tash shtrohen disa pyetje. Së pari, çfarë lloji i konferencës? Dikush përmend Rambujenë, e dikush përmend Dejtonin. Këto janë lloje të ndryshme të konferencave. Dhe, ekziston lloji i tretë, për të cilin unë mendoj se mund të japë më shumë, sesa lloji i modelit të Dejtonit apo Rambujesë. Ky është modeli, i cili quhet Konferenca e Madridit, që është zbatuar për procesin paqësor në Lindjen e Afërt. Pse është ky i rëndësishëm? Ai është mbajtur në dy rrethe. Rrethi i parë është mbajtur në Madrid, pasi që paraprakisht kishte arritur marrëveshje me bashkësinë ndërkombëtare, përfshirë edhe Sirinë dhe vendet rajonale, që përkthyer në rastin e Kosovës do të thotë përfshirjen e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Pastaj, Bashkimi Evropian do të dilte me mandatin për aranzhmanin ndërkombëtar, e më pas palët janë thirrur që të zgjidhin atë që mund të zgjidhet, gjegjësisht që të definojnë agjendën e zgjidhjeve. Dhe, kështu pastaj u vendos procesi i ndërtimit të shtetit palestinez në Izrael. Mendoj se ky është maksimumi, për arsye se bashkësia ndërkombëtare nuk është për atë që definitivisht të zgjidhet statusi i Kosovës, sepse nuk beson në aftësinë e institucioneve që të funksionojnë në interes të stabilitetit. Kështu që bashkësia ndërkombëtare dëshiron që këtë proces ta kombinojë me përfshirjen në Bashkimin Evropian. Do të thotë se për këtë duhet një kohë prej 10 apo 15 vjetësh. Kështu që mendoj se kjo është produktive. Kurse, sikur të thirrej ndonjë konferencë si Dejtoni apo Rambujea, kjo do të nënkuptonte që Moska e Uashingtoni janë në pozicione të njëjta. Por, unë nuk e shoh këtë të mundshme në rastin e Kosovës. Kjo mund të ndodhë për çështje të rëndësishme për ta, si energjia, lufta kundër terrorizmit, por për rastin e Kosovës dhe Serbisë sigurisht që jo.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa i shihni reale pritjet në Prishtinë që institucionet, Kuvendi i Kosovës, njëanshëm të deklarojnë pavarësinë e Kosovës?

DUSHAN JANJIQ
E dini çka, Kuvendi mund të miratojë çfarëdo deklarate që dëshiron. Por, kjo deklaratë nuk bëhet e vlefshme nëse nuk merr njohjen ndërkombëtare. Madje, nuk përjashtohet që ndonjë qeveri ta njohë vullnetin e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi, por askush nuk do ta njohë Kosovën si shtet. Unë nuk e kuptoj. Ose njerëzit këtu nuk dinë anglisht, ose me qëllim u përkthejnë gabimisht njerëzve të tyre. Madje, edhe Bush dy herë ka thënë si edhe Burns, që Amerika e përkrah vullnetin e qytetarëve të Kosovës që të ndërtojnë shtetin e pavarur. Por, duhet rikujtuar që vullnetin e palestinezëve e përkrah e tërë bashkësia ndërkombëtare që 50 vjet, por ata nuk kanë shtet. Mendoj se ka rrezik nga ky veprim, ngase pastaj mund të ndodhë që Kosova dhe shqiptarët e Kosovës të shkojnë rrugës së palestinezëve dhe pastaj Kosova do të shndërrohej në një çerdhe të incidenteve të kohëpaskohshme dhe dhunës. Po, dua të them se shpallja e njëanshme është skenar i zgjatjes së krizës dhe nuk është skenar i zgjidhjes së problemit. Kjo do të pasohej me një pako të masave, përfshirë dhe atë më të keqen - mbylljen e kufijve, e kjo do të thotë qarkullim i kufizuar i mallrave dhe kjo do të sillte një krizë të tmerrshme ekonomike e sociale. Unë mendoj se as Amerika nuk do t’i shtyjë shqiptarët e Kosovës në këtë rrezik. Ajo do t’i shtynte, sikur Rusia do të vendoste që të shfrytëzojë Serbinë si pengesë kundër zgjerimit të NATO-s. Në këtë rast, amerikanët sigurisht që do t’i shtynin shqiptarët e Kosovës, si dhe shqiptarët e Shqipërisë dhe të tjerë kundër këtij blloku të Rusisë e Serbisë dhe mendoj se në këtë drejtim ishte përqendruar fjalimi i Bushit. Atëherë ishte shumë afër që Rusia ta përdorë veton. Në rast të përdorimit të vetos ruse, atëherë sigurisht që kjo do të ndodhte. Pra, shpallja e njëanshme e pavarësisë është përgjigje ndaj vetos eventuale të Rusisë e kjo do të thotë fillim i ndërtimit të vijave të reja ndarëse dhe konflikteve të reja në Ballkan, ndërmjet forcave pro-ruse dhe atyre pro-perëndimore.

INTERVISTOI: ZIJADIN GASHI

XS
SM
MD
LG