Ndërlidhjet

MOSKË


Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, dhe ai i Rusisë, Vlladimir Putin, i vazhduan sot bisedimet e filluara dje, rreth programit bërthamor të Iranit, rreth Kosovës, rreth energjisë dhe të drejtave të njeriut. Pas takimit, Sarkozy tha se është e rëndësishme që të gjendet një zgjidhje për statusin e Kosovës, e cila nuk do ta poshtëronte asnjërën palë. "Ne e kuptojmë se kjo është çështje e Evropës dhe do të përpiqemi që ta zgjidhim këtë problem në mënyrë që askush të mos përfundojë i poshtëruar", tha Putin.
Mbrëmë, Sarkozy tha se ai dhe Putin kishin ardhur deri te disa qëndrime të përbashkëta rreth Iranit dhe Kosovës. Sarkozy tha se Putin nuk ishte i "mbyllur" për kompromisin, që do të mundësonte zgjidhjen e statusit të Kosovës, duke adresuar ndjeshmërinë e sërbëve ndaj kësaj çështjeje. Ai u bëri thirrje vendeve të Bashkimit Evropian të mbeten të bashkuara, meqë Kosova "është kryesisht çështje e Evropës", por shtoi se "është e rëndësishme që të mbeten të hapura diskutimet me miqtë tanë rusë".
Presidenti rus tha se ai dhe Sarkozy sot kanë shkëmbyer mendime edhe për programin bërthamor të Iranit dhe Lindjen e Mesme.
Putin tha se nuk ka prova se Irani përpiqet të ndërtojë bombë bërthamore, por shtoi se Rusia e ndan dëshirën e përbashkët me Perëndimin se programi bërthamor i Iranit duhet të jetë "absolutisht transparent".
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Sarkozy vuri në dukje edhe bashkëpunimin dypalësh në gjithësi dhe fushën e energjisë dhe tha se Franca dëshiron të bëhet "partner i privilegjuar i Rusisë".
XS
SM
MD
LG