Ndërlidhjet

REAGIME PAS ZHVILLIMEVE TË FUNDIT NË KS TË OKB-SË


Albana Isufi

Përfaqësues të qeverisë dhe opozitës konsiderojnë se kundërshtimet e hapura mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë rreth statusit të Kosovës tregojnë se shteti rus nuk dëshiron të pranojë progresin dhe realitetin e krijuar në Kosovë. Raportimi i djeshëm i shefit të UNMIK-ut, Joachim Ruecker, në Këshillin e Sigurimit, që u fokusua në faktin se status quo-ja mund të vë në rrezik të arriturat 8 vjeçare në Kosovë, është pasuar me deklaratat pro dhe kundër pavarësisë së Kosovës të ambasadorëve amerikanë dhe rusë. Këshilltari i kryeministrit, Arben Qirezi, vlerëson se raportimi i zotit Ruecker ishte i drejtë, përderisa tërheq vërejtjen se çdo vonesë mund ta kthejë pas progresin e arritur në Kosovë. “Çfarëdo zhargitje e mëtejme e bisedimeve do ta ndërpresë këtë progres dhe nuk do t’i lejonte as shoqërisë kosovare, e as rajonit, që të shkojë përpara drejt integrimeve. Pra, për ta vazhduar këtë progres, duhet të respektohet vullneti i popullit, duhet të respektohet historia e Kosovës dhe duhet të respektohet nevoja e Kosovës dhe e rajonit për të pasur stabilitet”, u shpreh Qirezi. Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës, partia më e madhe opozitare, përmes zëdhënëses së saj, Vlora Çitaku, vlerëson raportin e zotit Ruecker si një reflektim real të gjendjes në terren. Ndërsa mospajtimet për statusin e Kosovës mes ambasadorit amerikan dhe atij rus, Çitaku i konsideron si konfrontim mes dy koncepteve të ndryshme. “Në fakt, më tepër së konfrontim mes dy superfuqive, ky është një konfrontim mes dy koncepteve, mes konceptit amerikan, i cili në fakt bazohet në realitetin e krijuar në Kosovë në këto tetë vjet dhe mes konceptit rus që mbështet në mënyrë të verbër qëndrimin serb, pa u mbështetur në faktet reale në terren, që janë ndërtuar nga qershori i vitit ‘99”, tha Çitaku. Ambasadori amerikan, Zalmay Khalilzad, ka thënë se SHBA-të janë për një zgjidhje të negociuar, por nëse kjo nuk arrihet deri pas 10 dhjetorit, atëherë zgjidhja do të arrihet përmes mënyrave të tjera. Kjo është kundërshtuar nga ambasadori Vitali Curkin, i cili ka thënë se zgjidhjet që nuk shkojnë përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së, do të jenë me pasoja për tërë botën. Këshilltari i kryeministrit, Arben Qirezi, thotë se kosovarët nuk mund të presin pafundësisht, por në çdo rast, veprimi do të jetë i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë. “Kosovarët nuk e shohin vendin e tyre si një ishull të ndarë nga rrjedhat e përgjithshme botërore. Dhe, në këtë aspekt, kosovarët gjithmonë kanë kërkuar partneritetin dhe kanë punuar në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare. Megjithatë, kosovarët kërkojnë mirëkuptim nga miqtë dhe nga partnerët e tyre, kërkojnë një vetëdijesim më të madh se kjo situatë në Kosovë nuk mund të vazhdojë përgjithmonë dhe se statusi i Kosovës, pra vendimi për statusin e Kosovës duhet të merret dhe kosovarët janë të gatshëm që ta marrin atë vendim”, ka theksuar Qirezi. Në anën tjetër, përfaqësuesit serbë janë kundër, siç thonë, caktimit të datave joreale për zgjidhjen e statusit, por edhe ata theksojnë se shtyrja nuk mund të jetë e pafundme. Duke konsideruar se procesi i përcaktimit të statusit final duhet të zgjasë derisa të arrihet një vendim kompromisi, kryetari i Këshillit Nacional Serb, Dragan Veliq, thotë se duhet respektuar të drejtën ndërkombëtare. “Procesi që udhëhiqet nga Treshja ndërkombëtare duhet të zgjasë deri sa të arrihet kompromisi. Afatet artificiale nuk janë të qëlluara dhe nuk ofrojnë zgjidhje, që do të ishte përmbajtjesore dhe jetëgjatë, e kjo do të arrihej me pajtimin e të dyja palëve dhe e mbështetur nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së”, tha Veliq. Ndryshe, diplomatë perëndimorë kanë theksuar se nëse pas dhjetë dhjetorit nuk arrihet asnjë marrëveshje, atëherë në tryezë do të kthehet plani i Ahtisaarit. Zëdhënësja e PDK-së, Vlora Çitaku, konsideron se kompromisi duket të jetë i paarritshëm, kështu që gjasat më të mëdha janë që pakoja të kthehet sërish në skenë. “Është e qartë që kompromisi mes palëve është i pamundshëm për shkak të qëndrimeve ekstremisht të kundërta. Dhe, në një rast të tillë, pakoja e presidentit Ahtisaari do të fillonte të aplikohej automatikisht”, ka thënë Çitaku. Por, Dragan Veliq thotë se pakoja është e papranueshme. “Nga perëndimi marrim mesazhe se ai plan është ende në tavolinë; në anën tjetër, ai nuk është pranuar në Këshillin e Sigurimit. Kështu që nuk do të duhej të kishte spekulime rreth kësaj teme, sepse ai plan që nuk pranohet në Këshill të Sigurimit, ai më nuk mund të shqyrtohet”, vlerësoi Veliq. Sidoqoftë, Shtetet e Bashkuara, sipas ndihmësnënsekretares amerikane të shtetit, Rozmari Di Karlo, do të kërkojnë zbatimin e planit të Ahtisaarit për Kosovën, nëse statusi i Kosovës nuk zgjidhet deri në dhjetor.

XS
SM
MD
LG