Ndërlidhjet

PENSIONISTËT PARALAJMËROJNË MUNDËSINË E BOJKOTIMIT TË ZGJEDHJEVE


Nadie Ahmeti

Mbi 60 mijë pensionistë kosovarë kanë paralajmëruar mundësinë e bojkotimit të zgjedhjeve të përgjithshme, të cilat do të mbahen më 17 nëntor, nëse deri në fund të këtij muaji nuk do të miratohet Ligji mbi sigurimin pensional dhe invalidor nga Kuvendi i Kosovës. Kështu të paktën thonë përfaqësues të pensionistëve. Shaban Kajtazi, nga Lidhja e Pensionistëve të Kosovës, tha se kjo kategori e shoqërisë e ka humbur në tërësi besimin e klasës politike, pasi, sipas tij, në çdo fushatë elektorale, përfaqësues të partive politike pensionistëve u kanë premtuar përmirësim të gjendjes së tyre dhe rritjen e pensioneve. Ndërkaq, pas përfundimit të zgjedhjeve, sipas Kajtazit, premtimet e tyre janë harruar dhe asnjëherë deri më tash nuk janë përmbushur. “Ligji mbi sigurimin pensional dhe invalidor është në procedurë e sipër. Tri herë ka dalë në qeveri, tri herë është kthyer nga qeveria nën ndikimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe disa ekspertëve të huaj, që kanë vërejtje në atë ligj. Por, ligji është mjaft i reformuar dhe i përshtatshëm për rrethanat e Kosovës”, ka pohuar Kajtazi. Mosbesimi i pensionistëve ndaj institucioneve vendore është krijuar që moti, thotë Fatmir Fehmiu, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Pensionistëve të Punës dhe Invalidëve të Punës. Ai thotë se përveç mosmiratimit të Ligjit mbi sigurimin pensional, nuk janë realizuar as rekomandimet që Kuvendi i Kosovës pati nxjerrë, në vitin 2005, që për pensionistët kosovarë të ndajë një shumë prej 5 milion eurosh. “Rekomandimet e Kuvendit janë nxjerrë më 5 korrik të vitit 2005, e tash jemi më 10 tetor të vitit 2007. Në njërën anë, nuk është inkorporuar as ajo zbutja e vogël e gjendjes së mjerë të pensionistëve dhe, e dyta, në ato rekomandime është paraparë që me procedurë të shpejtuar të nxirret Ligji mbi sigurimin pensional dhe invalidor”, u shpreh Fehmiu. Ai, ndërkaq thotë se pensionistët kosovarë nuk i marrin pensionet sipas kontributit të dhënë dhe organet kompetente, deri më tani, nuk kanë treguar ndonjë angazhim të posaçëm për zgjidhjen e këtij problemi. “U është mohuar dhe po u mohohet e drejta e pensionit, megjithëse ligji për sigurimin pensional dhe invalidor, i cili është i zbatueshëm me rregulloren 24, nuk zbatohet sot e kësaj dite. Ai që duhet ta respektojë parimin e sundimit të ligjit, e shkel ligjin dhe mohon të drejtat e pensionistëve me këtë edhe krijon një imazh shumë të zymtë”, është shprehur Fehmiu. Në anën tjetër, Naim Hoda, nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha se brenda këtij muaji, kjo ministri do ta dërgojë këtë projektligj në Kuvend dhe Qeveri. “Jemi duke bërë përpjekje maksimale që sa më shpejt të mbërrijë në Qeveri”, ka thënë Hoda. Ndryshe, në bazë të praktikës së deritashme, ligjet kryesisht hyjnë në fuqi pasi t’i kenë kaluar paraprakisht tre deri në gjashtë muaj të miratimit në Qeveri dhe Kuvend. Sidoqoftë, pensionistët kosovarë, sipas Ligjit për Pensione, marrin nga 40 euro në muaj, pavarësisht nga puna që kanë bërë dhe kontributi që kanë dhënë.
XS
SM
MD
LG