Ndërlidhjet

MATOSHI:”MË 10 DHJETOR, KOSOVARËT S’KANË PUNË TJETËR, POS TA RIKONFIRMOJNË PAVARËSINË”


Halil MATOSHI, Partia Reformiste Ora

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Matoshi, Kosova po kalon nëpër procesin e negociatave për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ju, si e vlerësoni këtë proces?

HALIL MATOSHI
Realisht, procesi ka qenë një proces artificial, një proces që ka qenë i dizajnuar dhe i imponuar nga bashkësia ndërkombëtare për të kaluar çështja e Kosovës nëpërmes Këshillit të Sigurimit, nëpërmes një rezolute. Mirëpo, ndodhi ajo që edhe është pritur, do të thotë bllokada ruse në Këshillin e Sigurimit ndaj një rezolute që do ta hiqte sovranitetin serb mbi Kosovën dhe do ta abrogonte Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Dhe, në këtë proces, praktikisht, pala kosovare përpos që ka bërë disa lëshime konform pakos së Ahtisaarit, do të thotë është pajtuar me propozimet e udhëheqësit të procesit, zotit Ahtisaari, nuk ka pasur ndonjë lëvizje nga pala tjetër, nuk ka shënuar asnjë lëvizje progresive në kuptimin e shtendosjes në Kosovë nga ana e Serbisë, natyrisht duke u mbështetur fort në hegjemonizmin rus, që praktikisht po mundohet ta shfrytëzojë këtë amulli të Bashkimit Evropian për t’i forcuar pozicionet e veta në Euro-Azi dhe karshi Evropës. Ndërsa, procesi shtesë ka qenë një blerje kohe e Perëndimit, jo vetëm për shkak të palëve në konflikt, por edhe për shkak të gjetjes së një konsensusi evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Treshja ndërkombëtare është duke bërë përpjekje që të gjejë një zgjidhje për statusin e Kosovës, duke përmendur edhe konferenca si ajo e Dejtonit. A mendoni se një gjë e këtillë është e mundshme?

HALIL MATOSHI
Mendoj se propozimi francez i Nicolas Sarkozy për shtyrjen 120 ditëshe të procesit të statusit, ka qenë vetëm një blerje kohe për ta joshur Rusinë që të mbetet në proces dhe për të shikuar nëse nga Beogradi po ndryshon diçka dhe po ndërrohet koncepti i Serbisë ndaj Kosovës. Por, siç edhe po shihet, kjo është e pamundshme, është e pandryshueshme dhe tash, praktikisht, edhe Bashkimi Evropian do të ballafaqohet me mungesë të kohës. Do të thotë, do të ballafaqohet me një ‘cajt not’, sepse më 10 dhjetor, realisht, procesi mbyllet dhe kosovarët nuk kanë më punë tjera në këtë proces, pos që ta rikonfirmojnë pavarësinë dhe të kërkojnë njohjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga disa shtete më të fuqishme të Bashkimit Evropian, veç e veç. Ndërsa, sa i përket një konference të mundshme, të modelit të Dejtonit, unë mendoj se Kosova, në një konferencë të tillë, mund të shkojë vetëm pasi të ketë rrumbullakuar procesin, do të thotë, pasi të ketë krijuar shtetin e Kosovës me të gjithë mekanizmat e tij përcjellës, ushtarakë, policorë, konstitucionalë. Pra, mund të shkojë në një konferencë eventuale vetëm si shtet i formuar, me të gjitha institucionet dhe mekanizmat shtetërorë.

RADIO EVROPA E LIRË
Deri më tash, nga takimet e zhvilluara në mes të Prishtinës dhe Beogradit nuk është arritur diçka konkrete, duke pasur parasysh qëndrimet diametralisht të kundërta. Çka, në të vërtetë, prisni ju të ndodhë pas 120 ditëshit?

HALIL MATOSHI
Mendoj se rikonfirmimi i pavarësisë së Kosovës është dashur të ndodhë që më 11 qershor, një ditë pasi që në Tiranë, presidenti amerikan, George Bush, tha se ‘Kosova duhet të jetë e pavarur dhe do të vijë shumë shpejt koha kur ne do të themi mjaft është mjaft’, mirëpo, lidershipi i Kosovës i trembur, pak a shumë i frikësuar, madje edhe duke pasur një qasje goxha servile ndaj UNMIK-ut dhe bashkësisë ndërkombëtare, nuk reagoi. Kështu që ne kemi humbur shumë kohë dhe tash, praktikisht, jemi në një situatë kur çdo shtyrje e mëtutjeshme e procesit sjell rreziqe për sigurinë në rajon. Fundja, kosovarët kanë qenë shumë lojalë ndaj bashkësisë ndërkombëtare tashmë 8 vjet dhe asnjë arsye tjetër për shtyrje tjetër të procesit nuk ka, sepse tashmë dihen qëndrimet, dihet qëndrimi rus, dihet qëndrimi serb, i cili historikisht nuk ka lëvizur karshi shqiptarëve, dihet edhe qëndrimi i shqiptarëve dhe vullneti demokratik i tyre për shtetin e pavarur. Dhe, realisht, pas negociatave, pas 10 dhjetorit, pres që vetëm të rikonfirmohet pavarësia dhe të kërkohet njohja individuale nga shtetet e interesuara që ta njohin realitetin e ri në Ballkanin perëndimor, përkatësisht pavarësinë e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Matoshi, ju keni një përvojë pune në gazetari, por tash keni kaluar në politikë. Çfarë prisni nga kjo përvojë e re e juaja?

HALIL MATOSHI
Unë kam punuar gjatë si gazetar aktiv; rreth 25 vjet jam marrë me gazetari dhe me komentimin e zhvillimeve politike. Në politikë hy i zhgënjyer nga një model anakronik, nga një model skandaloz i qeverisjes së këtij vendi, nga një keqmenaxhim i situatave, edhe të mira, edhe të këqija, në këtë vend. Unë mendoj se nuk duhet të shkohet në stilin që shpesh disa nga subjektet politike të Kosovës thonë se do të qeverisin ndryshe. Jo, unë mendoj se nuk do të duhej të qeverisej ndryshe, por do të duhej të ndërrohej komplet struktura qeverisëse. Do të duhej të ndërrohej modeli i qeverisjes, që tashmë 8 vjet funksionon në Kosovë. Unë do të isha njeri i lumtur sikur të punoja punën time, në profesionin tim, ku ndjehem më i sigurt, por duhet që secili kosovar, secili qytetar i Kosovës të ketë guxim dhe kurajë që të hyjë në politikën aktive për të ndryshuar rrënjësisht modelin e qeverisjes dhe konceptet pak a shumë anadollake të personalizimit të politikës. Duhet të sensibilizohet shoqëria kosovare që të depersonalizohet pushteti dhe që të dekriminalizohet ai, sepse pushteti në Kosovë është kuptuar nga lidershipi aktual si pushtet personal, është koncentruar tek individë dhe grupe të ndryshme. Po ashtu, edhe krimi i organizuar banon në kulmet e politikës kosovare. Dhe, shoqëria kosovare nuk mund ta luftojë krimin e organizuar përderisa ai nuk përjashtohet nga majat e pushtetit, nga institucionet e vendit.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG