Ndërlidhjet

logo-print

PRISHTINA NUK PRET REZULTATE NGA TAKIMI ME BEOGRADIN NË BRUKSEL


Zijadin Gashi

Në prag të takimit të dytë të drejtpërdrejtë gjatë fazës shtesë së negociatave ndërmjet Prishtinës e Beogradit, që do të mbahet më 14 tetor në Bruksel, delegacioni i Kosovës nuk pret që ky takim do të sjellë ndonjë rezultat në procesin negociues. Ekipi Negociues është mbledhur sot në kuadër të përgatitjeve për këtë takim, ndërkaq është theksuar se pozicioni i Kosovës mbetet i njëjti dhe se ngjashëm me takimin paraprak në Nju Jork, edhe në Bruksel, Prishtina do të jetë e gatshme vetëm për bisedimet që rregullojnë marrëdhëniet Kosovë – Serbi, si dy shtete fqinje, por jo edhe për statusin dhe pavarësinë e Kosovës. Zëdhënësi i Ekipit Negociues, Skënder Hyseni, tha se realisht Prishtina nuk pret ndonjë rezultat as nga ky takim. “Është lehtë të thuhet se vështirë do të sjellë diçka të re, për shkak të mungesës së seriozitetit nga ana e Beogradit, që është një nga palët në këtë proces. Kosova e ka kuptuar këtë proces seriozisht, sepse ka të bëjë me Kosovën, me të ardhmen e popullit të Kosovës, me pavarësinë e Kosovës”, theksoi Hyseni. Në vazhdim, ai tha po ashtu se pala kosovare nuk ka ende ndonjë indikacion zyrtar, se procesi i bisedimeve mund të pasohet me një konferencë ndërkombëtare apo model tjetër. Hyseni tha se delegacioni i Kosovës do t’i përmbahet agjendës ndërkombëtare deri më 10 dhjetor dhe më pas, po në koordinim me faktorin ndërkombëtar, do t’i vijojë hapat drejt vendimeve për statusin dhe jo hapat që shpijnë kah zgjatja e procesit. “Është qëndrim i prerë, i qartë, që Ekipi i Unitetit do ta demonstrojë shkallën më të lartë të seriozitetit të angazhimit deri më 10 dhjetor, ditën kur pritet dorëzimi i raportit te Sekretari i Përgjithshëm. Kjo është arsyeja pse Ekipi i Unitetit nuk i var veprimet e veta nga veprimet e kujtdo qoftë. Prandaj, edhe përfaqësohet në nivelin më të lartë në të gjitha takimet, sepse këtë proces e ka kuptuar shumë seriozisht dhe e ka ndërmend që shumë seriozisht edhe t’i angazhojë të gjitha fuqitë dhe dijet e veta, që ky proces të përfundojë më 10 dhjetor”, pohoi Hyseni. Pas takimit, është konfirmuar se pala kosovare do të udhëtojë në Bruksel me nivelin më të lartë politik, pavarësisht se Beogradi atje do të përfaqësohet në nivel të ministrave. Ndryshe, Ekipi Negociues sot ka diskutuar edhe me përfaqësuesit ndërkombëtarë nga Zyra Ligjore e UNMIK-ut dhe Zyra Civile Ndërkombëtare, lidhur me nismat në Qeveri dhe Kuvend për miratimin e ligjeve nga pakoja e Ahtisaarit, që nga vendorët cilësohen edhe si ligje shtetërore të Kosovës. Hyseni tha se ka një pajtim që punët të koordinohen si në fazën e draftimit të ligjeve, ashtu edhe për fazën e miratimit të tyre, që besohet se do të jetë pas vendimit për statusin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG