Ndërlidhjet

POLITIKANËT SERBË TË KOSOVËS KUNDËR PROTESTËS SË GARDËS SË CAR LLAZARIT


Albana Isufi

Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës konsiderojnë se mbajtja e protestës të së ashtuquajturës Grada e Car Llazarit, më 14 tetor, në Mitrovicë, do të dëmtonte interesat e serbëve të Kosovës. Milan Ivanoviq, nga Këshilli Kombëtar Serb në Mitrovicë, thotë se nuk ka ndonjë njoftim për protestën e mundshme të Gradës së Car Llazarit, në pjesën veriore të Mitrovicës. “Nuk mendoj se ky mund të jetë ndonjë manifestim, i cili mund t’u sjellë ndonjë dobi njerëzve që jetojnë këtu. Vërtet, në çdo rast, nuk duhet të mbahen tubime politike, pasi që trajtimi i organizimit të kësaj proteste nga UNMIK-u dhe bashkësia ndërkombëtare është i ndryshëm, varësisht nga përkatësia etnike. Por, rreth kësaj proteste nuk kemi ndonjë njoftim, përveç informative që janë dhënë në media”, tha Milan Ivanoviq. Ndërkaq, Nebojsha Joviq, po ashtu nga Këshilli Kombëtar Serb në Mitrovicë, u ka kërkuar organizatorëve të protestës, që të mos e mbajnë këtë protestë në veri, sepse mund t’u shkaktojë dëm serbëve të Kosovës. “Së pari, dua të them se nuk jam kundër asaj që secili serb nga Serbia të vijë në Mitrovicë apo kudo në territorin e Kosovës, sepse Kosova nuk u përket vetëm serbëve dhe shqiptarëve që jetojnë në Kosovë, por të gjithë serbëve që jetojnë edhe jashtë territorit të Kosovës. Megjithatë, sa i përket protestës së Gardës së Car Llazarit, organizimi i saj është në moment të gabuar dhe do të ishte mirë që të shtyhej, sepse ardhja e tyre do t’u shërbente interesave të shqiptarëve. I thërras dhe i lus pjesëtarët e gardës që të na kuptojnë, sepse nëse ndonjëherë duhet bërë diçka, ne e dimë më së miri se kur duhet bërë ajo, e kjo protestë nuk duhet të ndodhë”, tha Joviq. Bartësi i Listës Serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, thotë se nuk sheh asgjë pozitive nga protesta e paralajmëruar e Gardës së Car Llazarit. “Mendoj se një protestë e tillë nuk duhet mbajtur, sepse çdo protestë e jona mund të nxisë protestë të shqiptarëve. E tubimet e tyre janë dëshmuar shumë të rrezikshme ndaj serbëve; po flas për ata serbë që jetojnë në Kosovën qendrore apo në enklavat e vogla të izoluara”, theksoi Oliver Ivanoviq. Në anën tjetër, Vojkan Rankoviq, qytetar nga veriu i Mitrovicës, konsideron se mbajtja e protestës në veri nuk mund të dëmtojë interesat e serbëve të Kosovës, por thekson se këso tubime duhet të organizohen nga liderët politikë të Kosovës. “Mendoj se duhet protestuar, duhet të dëgjohet edhe zëri ynë. Madje, ajo do të duhej të organizohej nga funksionarët tanë dhe jo nga njerëzit jashtë vendit. Mendoj se krejt çka po bën Serbia aktualisht, është pozitive. Dhe, vërtet duhet të dëgjohet zëri ynë nga këtu dhe të dihet se këtu ka serbë”, shprehet Rankoviq. Shërbimi Policor i Kosovës dhe policia e UNMIK-ut, pasditen e djeshme, kanë bastisur disa lokale në veri të Mitrovicës, në kërkim të emblemave dhe flamujve të Gardës së Car Llazarit. UNMIK-u e konsideron Gardën e Car Llazarit si organizatë ilegale dhe përmes një vendimi administrativ ua ka ndaluar hyrjen në Kosovë pjesëtarëve të saj. Zyrtarë të administratës ndërkombëtare kanë pohuar se nuk do të lejojnë që të mbahet protesta e 14 tetorit. Organizimet, apo grupet me natyrë paramilitare që promovojnë dhunën apo shkaktojnë tensione etnike, nuk kanë vend në Kosovë, kanë thënë zyrtarë të UNMIK-ut.
XS
SM
MD
LG