Ndërlidhjet

logo-print

KVALE: PAPUNËSIA – BOMBË PËR TRAZIRA SOCIALE


Nadie Ahmeti

Papunësia e të rinjve është burimi kryesor i destabilitetit të gjendjes në Kosovë. Ky është vlerësimi i udhëheqësve të organizatave ndërkombëtare dhe institucioneve vendore, që merren me punësimin e të rinjve. Ata i kanë bërë këto komente në një konferencë të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara për punësimin në vitin 2007, me ç’rast është nënshkruar edhe kontrata e 1000-të me sektorin privat, mbështetur nga Zyra Norvegjeze në Kosovë, e cila ka kushtuar 1 milion dollarë amerikan. Frode Mauring, udhëheqës i UNDP-së, tha se ky projekt nuk do t’i zgjidhë problemet që ekzistojnë, por do të ketë ndikim të madh, pasi, sipas tij, këtë vit, ky projekt ka përkrahur një nga tetë të rinj të papunë, që kanë hyrë në tregun e punës. Mauring, ndërkaq thotë se aktualisht ekonomia dhe papunësia do të jenë sfidat më të mëdha, të cilat nuk do të jenë të ndikuara drejtpërsëdrejti nga ndryshimet në statusin politik të Kosovës. “Papunësia e të rinjve çon vetëm në apati. Apatia, mandej mund të jetë burim i destabilitetit dhe jo i zhvillimit”, tha Mauring, duke shtuar se të rinjtë që nuk punojnë, i ekspozohen rasteve ekstreme dhe rritet rreziku për t’iu ekspozuar dhunës. Ai tha se më shumë se gjysma e popullsisë e sheh papunësinë ose varfërinë si problemin më të madh dhe si të tilla ato bëhen sfidat më të mëdha për elitën politike në Kosovë. Shefi i Zyrës Norvegjeze në Kosovë, Sverre Johan Kvale, ndërkaq tha se Kosova ka pritur mjaft gjatë dhe duhet shpresuar se vendimi final është në prag. Por, nuk duhet harruar se statusi nuk zgjidh problemet fundamentale, me të cilat Kosova duhet të përballet, tha zoti Kvale. “Mesi i 10 dhe 11 dhjetorit nuk sjell automatikisht kohë të arta për Kosovën. Ekonomia nuk do të jetë dramatikisht e ndryshme, krahasuar me një ditë më parë”, tha Kvale. Ai shtoi se shumica e të rinjve në Kosovë janë të papunë dhe, siç tha Kvale, nuk duhet të jesh shkencëtar politik që të kuptosh se kjo do të thotë një bombë për trazira sociale. Ibrahim Selmanaj, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, ndërkaq tha se duke marrë parasysh zhvillimin e ngadalshëm ekonomik, këto projekte janë të domosdoshme për Kosovën. “Në bashkëpunim më UNDP-në, jemi fokusuar në radhë të parë që të krijojmë një edukatë te të rinjtë; nga rruga të nxjerrim një edukatë të re. T’u kushtojmë rëndësi aftësimeve profesionale, pasi që duke pasur parasysh shkallën e madhe të papunësisë, në bazë të statistikave, përpos papunësisë së madhe, të papunët në Kosovë janë edhe pa profesion”, pohoi Selmanaj. Ndryshe, ky projekt është vazhdimi i një projekti më të hershëm, i cili në vitin 2005-2006 ka ofruar mbështetje për punësimin e më shumë se 5000 punëkërkuesve në Kosovë. Sidoqoftë, sipas Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, shkalla e papunësisë në Kosovë arrin deri në 43 për qind. Megjithatë, edhe vetë zyrtarët e ministrisë thonë se ky numër mund të jetë edhe më i madh, meqë jo të gjithë punëkërkuesit regjistrohen në zyrat rajonale të punësimit.

XS
SM
MD
LG