Ndërlidhjet

STATUSI I PAZGJIDHUR – PENGESË PËR INVESTIMET E HUAJA NË KOSOVË


Nadie Ahmeti

Investimet e huaja për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe në sektorin privat, që prej përfundimit të luftës, kanë qenë të pamjaftueshme. Kështu thonë ekspertë për çështje ekonomike, përderisa zyrtarë qeveritarë thonë se investimet e huaja nuk kanë qenë të mjaftueshme, por kanë qenë solide. Mimoza Kusari-Lila, drejtoreshë ekzekutive në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, thotë se arsye e mosinvestimeve të huaja në Kosovë ka qenë dhe mbetet moszgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës dhe mosndryshimi i politikave fiskale nga institucionet e Kosovës. Ajo pohon se mungesa e zgjidhjes së statusit dhe mosndryshimi i politikave të përgjithshme ekonomike, kanë bërë që Kosova të mbetet tregu më i pazhvilluar në Ballkan. “Tani rrethohemi nga Maqedonia, që ka një infrastrukturë shumë më të mirë rrugore, që ka edhe statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian; gjithashtu edhe Shqipëria ka pasur disa ecje, që, në këtë rast, Kosvën e lënë si vendin më të vogël dhe më të pazhvilluar të Ballkanit”, pohon Kusari-Lila. Ajo thotë se në sektorin e investimeve tashmë ka një heshtje, pasi që, sipas saj, zvarritja e zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës ka bërë që investitorët e mundshëm të humbin besimin që kapitalin e tyre ta shfrytëzojnë në Kosovë. “Kur shpresohej se në qershor do të gjendej një zgjidhje më afatgjate, që është më ndryshe nga ajo që është aktualisht, ka pasur edhe interesim më të madh të kompanive. Tani, në sektorin e investimeve ekziston një qetësi; sidomos periudha e dhjetorit prapë do të ndërlidhet me një proces të zgjatur politik. Shpresoj se do të zgjidhet shpejt, por gjithsesi me pengesa nëse mendohet për procesin e investimeve të huaja në Kosovë”, shprehet Kusari-Lila. Në anën tjetër, zyrtarë të institucioneve vendore thonë se duke marrë parasysh moszgjidhjen e statusit të Kosovës, interesimi i investitorëve të huaj për të investuar në Kosovë, pas zgjidhjes së statusit politik të Kosovës, është jashtëzakonisht i madh. Ejup Fejza, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë për Promovimin e Investimeve të Huaja, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thotë se gjatë këtij viti, në Agjencinë për Investime kanë qenë mbi 200 përfaqësues të kompanive të mëdha, për t’u interesuar për klimën investive në Kosovë. “Pas zgjidhjes së statusit, do të ketë vendim të tyre për të investuar në Kosovë. Tani për tani, vendimi i shumicës së investitorëve, apo i atyre që janë investitorë pak më të mëdhenj, ka ngecur në atë që të pritet se çfarë do të jetë statusi final i Kosovës. Përndryshe, interesimi nuk është zbehur, por është zbehur vendimi i tyre për të investuar në këtë moment aktual, në të cilin gjendet Kosova”, thotë Fejza. Por, Mimoza Kusari-Lila thotë se nuk është e mjaftushme të punohet vetëm në promovimin e investimeve të huaja, por duhet të formohen mekanizma që në Kosovë të sundojë rendi dhe ligji. “Duhet punuar shumë në imazhin, të cilin Kosova e jep nga brenda jashtë. Tani për tani, Kosova nuk njihet për shumë gjëra pozitive në botë, për arsye se gjithmonë emri i Kosovës është lidhur me probleme politike, së fundi edhe me statusin. Ndërsa, nëse punojmë vetëm në promovimin e investimeve, ende nuk funksionon rendi dhe ligji”, thotë Kusari-Lila. Sidoqoftë, investimi më i madh, që pritet të bëhet nga jashtë, është ai në ndërtimin e termocentralit ‘Kosova C’, që kap shumën prej më shumë se 3 miliardë euro.
XS
SM
MD
LG