Ndërlidhjet

BRUKSEL


Në ndërtesën e Këshillit të Ministrave të BE-së, në Bruksel mbahet takimi i dytë i drejtpërdrejtë i Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësimin e Treshes negociatore të Grupit të Kontaktit. Në delegacionin e Kosovës marrin pjesë të gjithë anëtarët e Grupit të Unitetit, ndërsa Serbia përfaqësohet në nivel të ministrave. Në takimin e sotëm pritet që palët të japin hollësi rreth propozimit të tyre nga takimi i parë në Nju Jork. Këtë e konfirmoi edhe i dërguari i BE-së, në Treshen negociatore, Wolfgang Ischinger.
Deri tash ekzistojnë "elementë inkurajues" në bisedimet, por "nuk mjaftojnë", tha para takimit Wolfgang Ischinger. Diplomati gjerman u bëri thirrje palëve që të marrin "vendime të dhembshme", në mënyrë që të shënohet kthesë në bisedimet, dhe shtoi se koha për kompromis është e shkurtër.
"Nuk është çështja që të më bindin mua, por të bindin njëri-tjetrin", tha Ischineger, për të shtuar se sot në Bruksel dhe javën e ardhshme në Vjenë do të shihet nëse mund të shkohet përpara, meqë, siç tha ai, kjo do të ketë "rëndësi vendimtare" për procesin.
Ischinger gjithashtu u ka bërë thirrje vendeve anëtare të BE-së që të lehtësojnë regjimin e vizave për qytetarët nga Serbia, duke pohuar se ky hap mund të ndihmojë në bisedimet për të ardhmen e Kosovës.
XS
SM
MD
LG