Ndërlidhjet

BROVINA:”NË RAST TË SHTYRJES, NE DO T’I ZBATOJMË URDHRAT E QYTETARËVE TANË”


Flora BROVINA, Partia Demokratike e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Brovina, procesi i përcaktimit të statusit përfundimtar tashmë është në një periudhë të negociatave të drejtpërdrejta midis Prishtinës e Beogradit dhe komunitetit ndërkombëtar. Çfarë prisni ju nga këto negociata?

FLORA BROVINA
Ne e kemi kuptuar seriozisht dhe kemi interesa shumë serioze që çështja rreth Kosovës të zgjidhet më në fund dhe definitivisht, por jo edhe Beogradi, i cili edhe me këtë delegim tregon se nuk është i sinqertë. Realisht, bisedimet me Beogradin dhe kërkesa që problemin e Kosovës ta zgjidhim me bisedime, daton gati 20 vjet. Ju e dini se edhe marrja e Kushtetutës në vitin 1997 u bë dhunshëm dhe nga 215 intelektualët e Kosovës u kërkua që të mos veprohet në mënyrë të dhunshme, por të zhvillohen bisedime rreth ndërrimeve kushtetuese. Dhe, kur ne shpresonim se do të ndodhë më mirë për Kosovën, ndodhi që ajo dhunshëm u mor. E mos të flas për të tjera. Në këto bisedime nuk kam pritur shumëçka. Këto kanë ndodhur për shkak se vetë Bashkësia Evropiane dhe bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi, nuk kanë qenë të përgatitura për një status të Kosovës, gjegjësisht për pavarësinë. Atmosfera dhe opinioni i tyre nuk ka qenë i përgatitur. Kjo edhe Ahtisaari ndodhën që të përgatitet ky opinion. Nuk ndodhi fundi i bisedimeve. Me prolongimin e këtyre bisedimeve vazhdimisht, me Treshen dhe ku ta di se çka do të ndodhë më tutje, është vetëm një tregim që bashkësia ndërkombëtare, e sidomos Bashkësia Evropiane nuk është e përgatitur dhe nuk është serioze ndaj kësaj çështjeje.

RADIO EVROPA E LIRË
Anëtarët e Ekipit të Unitetit kanë thënë se pala kosovare nuk do të heqë dorë nga pavarësia dhe nuk do të ketë ndarje të Kosovës. Sa mendoni se do t’i përmbahet këtij qëndrimi pala kosovare deri në fund?

FLORA BROVINA
Pala kosovare edhe nuk ka zgjidhje tjetër; jo vetëm që premtoi se do t’i përmbahet këtij parimi, por edhe të mos dalë jashtë binarëve të këtij parimi, sepse nuk është vetëm ajo që vendos, është edhe populli, vetë qytetarët e Kosovës, që nuk do ta lejojnë palën bashkëbiseduese të veprojë ndryshe. Nuk e di a ishte një këshillë e gabuar, bërë vetë udhëheqësit tanë në bisedime, që palës serbe qysh në start t’i ofrohet maksimumi. Kujtoj që në asnjë bisedë, madje as në bisedat intime, njeriu kurrë nuk flet për maksimumin e rrjedhës së bisedës. Sa më përket mua, kjo ishte shumë gabim; aq më tepër kur edhe disa çështje të tjera nuk shkuan në favor të Kosovës. Dhe, gjithnjë në jetë veprohet në atë mënyrë që aq sa kërkohet edhe të jepet. Do me thënë, ne nuk shkuam me maksimumin, por palës serbe i ofruam maksimumin, maksimum i cili parashihet edhe me pakon e Ahtisaarit. Kemi premtuar aq sa asnjë shtet më demokratik në botë nuk u ka premtuar minoriteteve. Edhe pas kësaj, nuk e fituam pavarësinë. Prandaj, përtej këtij kufiri nuk besoj se mund të premtojë askush.

RADIO EVROPA E LIRË
Për shkak të mosunitetit brenda vendeve të Bashkimit Evropian, analistët parashohin një shtyrje të zgjidhjes së statusit për vitin 2008, përkatësisht deri para Samitit të NATO-s që mbahet në muajin prill, në Bruksel. Si i komentoni ju zhvillimet ndërkombëtare karshi statusit të Kosovës?

FLORA BROVINA
Edhe në pyetjen e parë u përgjigja që bashkësia ndërkombëtare dhe Bashkësia Evropiane, në përgjithësi, nuk kanë qenë të përgatitura për statusin e Kosovës. Dhe, të them të drejtën, ata kanë pasur mjaft kohë. Kanë pasur kohë të paktën për tre vjetët që i kishin premtuar pas përfundimit të luftës; tre vjet më tutje, UNMIK-u dhe faktori ndërkombëtar, që ndodhet këtu, ta përgatisë vendin për një status të ri, për rezolutë të re dhe nuk e bëri këtë. Kaluan tetë vjet. Tani nuk mund të thirren në kohën e pakët, por në kohën e humbur. Dhe, ata vetë po shkojnë drejt një dështimi të tyre, do me thënë bashkësia ndërkombëtare, Parlamenti Evropian, Këshilli i Sigurimit po tregojnë se nuk kanë mekanizma efikas për zgjidhjen e një problemi që do të ishte i suksesshëm për herë të parë në botë; në mënyrë paqësore ta zgjidhin një problem. Ata madje po humbin edhe mundin e tyre, do me thënë të forcave të NATO-s që intervenuan këtu. Unë e di se edhe gjatë intervenimit të NATO-s ka pasur shumë probleme, ka pasur shumë dilema të shteteve të ndryshme dhe moskuptime, por, sot, sikur ata po e çojnë në harresë tërë këtë periudhë dhe çdo gjë po fillon prej fillimit, gjë që nuk është e vërtetë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si mendoni se duhet të veprojnë institucionet e Kosovës nëse sërish do të ketë një shtyrje të zgjidhjes së statusit?

FLORA BROVINA
Vetë palët në bisedime, Serbia dhe Kosova, nuk janë palë që vendosin, sepse është një lojë shumë e komplikuar. Nëse e quajmë lojë shahu, është shumë e komplikuar, ku pionët, edhe pse janë pjesë e lojës, shumë pak pyeten për përfundimin e lojës; janë dama dhe mbreti ata që vendosin. Dhe këtu, sigurisht që faktori ndërkombëtar e ka fjalën kryesore. Por, unë mendoj se humbja e kohës është një faktor shumë i rëndësishëm dhe që nuk i shkon për shtat as bashkësisë ndërkombëtare, as neve. Nëse do të ketë shtyrje, ne kemi zgjidhjen tonë. Ajo zgjidhje është që t’i dëgjojmë qytetarët dhe t’i zbatojmë urdhrat e tyre. Dhe, ajo dihet – ta shpallim pavarësinë. Po ta kishim shpallur këtë para disa vitesh, kur i formuam institucionet tona të përkohshme, edhe pas zgjedhjeve të para ose të dyta, ne tani do të kishim hyrë në fazën e dytë të tranzicionit dhe do kishim qenë shumë më të sigurt në ecjen tutje të ndërtimit të shtetit demokratik.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se po interferon procesi i zgjedhjeve në procesin e statusit?

FLORA BROVINA
Ndoshta duket se udhëheqësit politikë e kanë kokën nga zgjedhjet. Unë mendoj se secili politikan serioz i Kosovës, vërtet nuk është i përqendruar në zgjedhjet, por në atë që po ndodh rreth Kosovës, sepse nuk do të kishin kuptim këto zgjedhje, nëse ne e humbim shansin dhe minutën në këto bisedime, që po zhvillohen rreth Kosovës dhe përcjelljes së situatës. Përkundrazi, mendoj se nëse rrjedhin dhe do të rrjedhin zgjedhje të qeta dhe demokratike, me lista të hapura për herë të parë, ato sigurojnë organe legjitime, shumë kompetente, më shumë se ç’kanë qenë deri më tani, që do t’i përgjigjen momentit dhe situatës. Ndërsa, ne nuk mund ta lejonim Kosovën me organe qeverisëse ‘të skaduara’, që edhe mund të interpretoheshin gabimisht nga faktori ndërkombëtar.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG