Ndërlidhjet

logo-print

MAVRAJ:”SHTYRJET NA PRESIN EDHE PAS 10 DHJETORIT”


Muhamet MAVRAJ, analist

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mavraj, në Bruksel ka përfunduar takimi i radhës i drejtpërdrejtë në mes të delegacionit të Prishtinës e Beogradit dhe faktorit ndërkombëtar. Bisedimet thuhet se do të intensifikohen edhe më shumë në javët që vijnë. A mund të pritet ndonjë rezultat konkret prej tyre?

MUHAMET MAVRAJ
Sipas këtyre parashenjave, sipas këtyre dispozitave, nuk mund të pritet asnjë rezultat konkret në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, qoftë me ndërmjetësim, qoftë pa ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar. Me deklaratën e Nju Jorkut janë konfirmuar parimet e Grupit të Kontaktit, që janë një shenjë negative për Kosovën, ndërsa Ekipi Negociator i Kosovës, sipas të gjitha gjasave, i ka përkrahur këto parime. Sado që ka hyrë në një konfuzion të thellë Ekipi Negociator i Kosovës, mendoj se tani, para zgjedhjeve, nuk do të jetë në gjendje të bëjë kompromise të tjera, të cilat natyrisht se do të shkonin në dëm të Kosovës. Pengesa më e madhe është vullneti i popullit të Kosovës, të cilin vullnet anëtarët negociatorë të Kosovës kanë marrë guximin ta negociojnë, por jo përtej pakos së Ahtisaarit. Pengesa kryesore është vullneti i popullit dhe zhvillimet që do të pasojnë, sidomos pas 17 nëntorit.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë të ndryshëm ndërkombëtarë kanë thënë se ka gjasa që edhe pas kësaj date, të ketë sërish shtyrje të zgjidhjes së statusit të Kosovës. Por, anëtarët e Ekipit të Unitetit kanë thënë se nuk do të lejojnë shtyrje tjetër. Sa mendoni se kanë fuqi negociatorët kosovarë ta parandalojnë një gjë të këtillë?

MUHAMET MAVRAJ
Kur është në pyetje çështja e Kosovës, gjithmonë analistët kanë dalë më të fortë se politikanët. Edhe këta analistët ndërkombëtarë, që kanë paralajmëruar shtyrje të reja, kanë bërë analiza të thella, me të cilat unë plotësisht pajtohem. Sipas kalendarit ndërkombëtar, shtyrjet na presin edhe pas 10 dhjetorit, ndërsa negociatorët kosovarë, sidomos tani para zgjedhjeve, patën e s’patën fakte, do të jenë të interesuar që t’i mbështesin premtimet e vjetra, e që për adresim kanë votuesit e 17 nëntorit. Këta janë të njëjtit aktorë në tetë vjetët e pas luftës; pothuajse të njëjtit, që vjet për vjet kanë premtuar se do të ndodhë pavarësia e Kosovës. Kanë premtuar mesin e vitit 2003, 2004, 2005 etj. deri te mesi i vitit 2007. Ndërsa, ne jemi në përfundim të vitit 2007. Këta nuk janë seriozë dhe bëjnë deklarata joserioze. Me deklarata joserioze është ndërtuar edhe proces joserioz i çështjes së Kosovës. Siç po e shihni dhe siç po e shohin të gjithë, çështja e Kosovës pas luftës është degraduar.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka mbetur edhe një javë deri te fillimi i fushatës zgjedhore. A mendoni se mund të ketë ndonjë ndikim procesi zgjedhor në negociatat për gjetjen e një zgjidhjeje për statusin e Kosovës?

MUHAMET MAVRAJ
Njëfarë ndikimi mund ta ketë, varet edhe nga përcaktimi i qytetarëve të Kosovës. Megjithëse, pres që në këto zgjedhje të dalë një qeveri legale, por jo legjitime. Legale në kuptimin e ligjshmërisë, jo legjitime në kuptimin e faktorit numerik, sepse disponimi i qytetarëve është i atillë, zhgënjimi është i asaj shkalle që premton mosdalje të madhe në votime. Realisht, çfarëdo qoftë rezultati, pres një bllokadë të thellë institucionale pas zgjedhjeve të 17 nëntorit dhe zhargitje ndoshta disa mujore të bërjes së qeverisë së re. Ndërkohë që ky Ekip Negociator dhe kjo Qeveri mund ta vazhdojnë jetën deri në themelimin e qeverisë së ardhshme, e cila mund të jetë qeveri gjithëpërfshirëse ose qeveri e shpëtimit kombëtar. Kur përmendet qeveria e shpëtimit kombëtar, asaj i paraprijnë trazirat. Indikacionet më të mëdha i shoh në faktorin e brendshëm dhe ndërhyrjen e thellë, si gjithmonë, të faktorit të jashtëm. Asnjë qeveri në Kosovë nuk është formuar dhe nuk ka mbijetuar pa përzierjen e duarve të huaja. Po kështu, duart e huaja janë përzier edhe në Ekipin Negociator të Kosovës; po kështu do të përzihen edhe në qeverinë e ardhshme të Kosovës; po kështu, ndoshta, do të përzihen edhe në trazirat e ardhshme në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i shihni zhvillimet që do të pasojnë 10 dhjetorin?

MUHAMET MAVRAJ
Pas 10 dhjetorit, bota e krishterë shkon në pushime të gjata, në festat e tyre dhe ato zakonisht zgjasin deri në mesin e muajit janar. Prandaj, ky kalendar nuk korrespondon fare me premtimet e kryeministrit dhe të këtyre negociatorëve për disa zhvillime që këta mund t’i bëjnë në raport me pavarësinë e Kosovës. Ndërsa, pas mesit të muajit janar, agjenda e OKB-së nuk premton deri kah qershori një përmbyllje të një rezolute të re për Kosovën. Por, edhe kjo rezolutë e re, sado vonë që mund të ndodhë, që mund të bëhet, që mund të formulohet, nuk do t’i sjellë Kosovës ndonjë substancë të re, në kuptimin e statusit, përveçse është më se e sigurt se do ta ndërrojë pushtetmbajtësin e vërtetë në Kosovë; do të shkojë UNMIK-u dhe do të vijë misioni i Bashkimit Evropian. Zaten, Bashkimi Evropian, që ka ndikim në proceset në Kosovë, nuk është aq i interesuar për lirinë dhe statusin e Kosovës, sa që është i interesuar për vetveten, për ardhjen me mision këtu, që ta mbajë zapt Kosovën. Politikanët kosovarë duhet t’i kthehen konceptit të vullnetit të përgjithshëm dhe ky vullnet i përgjithshëm artikulohet, sqarohet me referendum dhe ky referendum kushton më lirë, sesa që kushtojnë disa vjet negociata. Nëntë milionë euro janë ndarë deri më tash për negociata të kota. Ju e dini se këto negociata kanë filluar për çështje teknike para disa vitesh. Ndërsa, po shihet se dyshimet e atëhershme se do të përfundojnë me çështjen e statusit, me diskutimin e çështjes së statusit të Kosovës, po dalin të vërteta. Mali i Zi, vitin e kaluar, statusin e vet e ka vendosur përmes referendumit. Kjo do me thënë se nëpërmjet vetëvendosjes ata u përcaktuan për shtetin e tyre të pavarur. Ndonëse, janë vetëm 43 për qind malazez dhe 32 për qind serbë, në Kosovë, njësi ish-federale, janë mbi 90 për qind shqiptarë dhe 5 për qind serbë. Dhe, ky realitet, them kushtimisht, demografik, është shumë i favorshëm për Kosovën. Por, bota nuk e njeh këtë realitet, pa këmbëngulur ne vetë në këtë realitet dhe në të drejtën e pakontestueshme për vetëvendosje.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG