Ndërlidhjet

logo-print

MALOKU: POZICIONIMI I GARDËS NË RASHKË MBAN TË TENSIONUAR SITUATËN NË KOSOVË


Albana Isufi

Anulimi i protestës së djeshme të Gardës së Car Llazarit, nga ekspertët shqiptarë të sigurisë shihet si një ndërhyrje e vetë politikës serbe, pas paralajmërimeve të UNMIK-ut dhe KFOR-it se protesta do të pengohej dhe pjesëtarët e gardës do të arrestoheshin. Ndërkaq, politikanët serbë anulimin e protestës e ndërlidhin me faktin se garda nuk e ka përkrahjen e serbëve të Kosovës. Sidoqoftë, kryetari i Komisionit Parlamentar për Siguri, Naim Maloku, thotë se pozicionimi i pjesëtarëve të Gardës në Rashkë, është një përpjekje për ta mbajtur të tensionuar situatën në Kosovë. “Unë mendoj se Garda e Car Llazarit nuk është pa dijeninë dhe koordinimin e politikës oficiele të Serbisë, pavarësisht faktit se për ndalimin e hyrjes së tyre në Kosovë ka ndikuar edhe vetë policia e Serbisë. Pozicionimi i tyre në Rashkë është për ta mbajtur situatën të tensionuar dhe për ta shtuar presionin në procesin e definimit të statusit përfundimtar të Kosovës”, tha Maloku. Në anën tjetër, kreu i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, Oliver Ivanoviq, vlerëson se protesta e së ashtuquajturës Garda e Car Llazarit në Mitrovicë, e cila nuk u mbajt edhe pse ishte paralajmëruar, nga pikëpamja politike është e parëndësishme dhe nuk ka nxitur asnjë vëmendje në veriun e Mitrovicës. “I vetmi rrezik nga kjo protestë ka qenë se ajo do të mund të nxiste protesta të ngjashme nga ana e shqiptarëve, sepse çdo protestë e tillë e shqiptarëve mund të jetë shumë më e rrezikshme për serbët që jetojnë në enklavat e vogla të izoluara. Përndryshe, nga pikëpamja politike, ai është grup i parëndësishëm, që dëshiron, në këtë mënyrë, ta kthejë vëmendjen kah vetja. Qëndrimi i tyre në Rashkë është jorelevant për situatën në Kosovë, veçanërisht për atë të sigurisë”, u shpreh Ivanoviq. Kryetari i Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës, Nebojsha Joviq, thotë se tani është shumë e qartë, se me këtë protestë Serbia dhe populli serb nuk do të përfitonin asgjë dhe me anulimin e protestës i është vënë pikë një tregimi që kishte marrë përmasa shumëdimensionale. “Mendoj se tash është koha që UNMIK-u, politikanët shqiptarë dhe diplomatët serbë të koncentrohen në situatën aktuale në Kosovë, e cila nuk është aspak e mirë, pasi që ka organizata terroriste, çfarë është AKSH-ja, dhe kërkohet përgjigja në pyetjen se si është e mundur që një organizatë e tillë të ekzistojë 8 vjet dhe të mos i kushtohet kujdes i duhur dhe të mos dihet për të. Duhet zbuluar se kush qëndron prapa saj, në mënyrë që ajo të çarmatoset dhe populli serb në Kosovë pa brenga të presë zgjidhjen e statusit”, tha Joviq. E ashtuquajtura Garda e Car Llazarit ka anuluar dje protestën e paralajmëruar në veri të Mitrovicës kundër pavarësisë së Kosovës. Pjesëtarët e Gardës së Car Llazarit kanë hequr dorë nga ardhja në Kosovë, pasi që UNMIK-u ka ndaluar protestën si dhe vetë praninë e pjesëtareve të gradës në Kosovë. Lideri i gardës, Haxhi Andrej Miliq, është paraqitur shumë shkurt tek vendkalimi kufitar në Rudnicë, mes Serbisë dhe Kosovës, me disa dhjetëra përkrahës, për ta lëshuar shpejt vendin, pasi u është thënë se nuk u lejohet kalimi. Naim Maloku thotë se po qe se do të lejohej protesta, ajo do të sillte pasoja. “Sa i përket mosardhjes së tyre dje, mendoj se është veprim i qëlluar edhe i UNMIK-ut, edhe i KFOR-it, përndryshe do të shkaktonte pasoja të paparashikuara hyrja e tyre në Kosovë”, tha Maloku. Përmes një vendimi ekzekutiv të UNMIK-ut, Garda e Car Llazarit është shpallur organizatë ilegale dhe pjesëtareve të saj u ndalohet hyrja në Kosovë, ashtu sikurse ndalohen edhe aktivitetet e kësaj organizate.
XS
SM
MD
LG