Ndërlidhjet

CASEY: “ZGJIDHJA PËR KOSOVËN ËSHTË PAVARËSIA”


Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin qëndrimin e tyre të mëhershëm se zgjidhja për statusin e Kosovës është pavarësia. Këtë e ka bërë të ditur mbrëmë në Washington zëdhënësi i Departamentit Amerikan, Tom Casey. “Ne në fakt mendojmë se pavarësia është zgjidhja për Kosovën dhe pavarësia është zgjidhja të cilën e ka hartuar zoti Ahtisaari pas një raundi intenziv takimesh midis të dyja palëve. Mendoj se serbët aktualisht janë duke e thënë qartazi pozicionin e tyre mbi këtë çështje dhe kjo do të thotë se kemi ende rrugë për të bërë në kuptimin e negociatave në këtë drejtim. Por, pikëpamjet e Shteteve të Bashkuara mbeten shumë të qarta”, ka thënë zoti Casey. Duke folur për bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit të cilat janë mbajtur në Bruksel, zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit ka thënë se bëhet fjalë për një proces të vështirë dhe përpjekjet e treshes ndërkombëtare të Grupit të Kontaktit në këtë drejtim do të vazhdojnë. “Siç e dini, sekretari i përgjithshëm ka kërkuar nga treshja ndërkombëtare të prezantojë një raport më 10 dhjetor mbi përpjekjet e saj rreth statusit të Kosovës. Të shohim se deri ku do të arrijmë atëherë, ka thënë zoti Casey. “Pa dyshim, ne duam që të ketë një marrëveshje midis palëve e cila do të ishte e pranueshme për të gjithë, por, siç e kemi thënë edhe më herët, nëse deri më 10 dhjetor marrëveshja nuk arrihet, atëherë presim që të ecim përpara, me pavarësinë e mbikqyrur për Kosovën, ashtu siç e ka propozuar zoti Ahtisaari”, ka thënë zëdhënësi i departamentit amerikan, Tom Casey, në një takim të mbajtur mbrëmë me gazetarët në Washington.
XS
SM
MD
LG