Ndërlidhjet

KËRSTOVIQ:”SHPALLJA E NJËANSHME E PAVARËSISË DHE NDARJA E VERIUT - DY SKENARË TË KËQIJ”


Dragisha KËRSTOVIQ, përfaqësues i Listës Serbe

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kërstoviq, si e vlerësoni takimin e fundit ndërmjet Prishtinës e Beogradit në Bruksel dhe a prisni që procesi i bisedimeve të përmbyllet me ndonjë marrëveshje?

DRAGISHA KËRSTOVIQ
Më duhet të them se edhe para këtij takimi në Bruksel nuk kam pritur që do të ketë ndonjë të arritur të caktuar në procesin e negocimeve për statusin e Kosovës. Kjo në të vërtetë edhe ndodhi, pavarësisht që disa nga anëtarët e delegacionit të Beogradit thanë se ishte arritur njëfarë përparimi. Por, unë, megjithatë, mendoj se ky përparim nuk është arritur dhe pozicionet e të dyja palëve nuk janë afruar; të dy delegacionet kanë mbetur në pozicionet e tyre të mëparshme, me të cilat edhe kanë udhëtuar për në Bruksel. Do të thotë, nuk kishte asgjë nga takimi i Brukselit dhe nuk është shënuar asnjë përparim atje. E çka do të ndodhë më pas, do të shohim. Mendoj se shumëçka do të varet nga Treshja ndërmjetësuese, por unë, personalisht, nuk pres as më vonë ndonjë përafrim. Do të thotë, jam mjaft skeptik kur është në pyetje procesi negociues e sidomos kur janë në pyetje rezultatet e këtij procesi, të cilat aktualisht nuk shihen askund.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni rolin e Treshes ndërmjetësuese dhe a prisni që bashkësia ndërkombëtare t’ua imponojë zgjidhjen palëve?

DRAGISHA KËRSTOVIQ
Unë, më parë, së bashku me përfaqësuesit serbë, kemi zhvilluar takim me përfaqësuesit e Treshes ndërmjetësuese në Prishtinë; edhe atëherë kam shprehur mendimin tim se roli i Treshes ndërmjetësuese nuk është aq i theksuar, për arsye se Treshja insiston në kompromis dhe kjo është diçka me të cilën ajo merret tërë kohën. Kompromis tash për tash nuk ka dhe, sipas mendimit tim, vështirë se do të ketë. Prandaj, edhe Treshja ndërmjetësuese, edhe misioni i saj, do të jenë gati të parëndësishme. Është vështirë të pritet dhe nuk jam i sigurt që 10 dhjetori do të vijë me disa çështje të qarta në lidhje me procesin negociues dhe statusin. Thjesht, nuk besoj se do të ketë çfarëdo kompromisi, për shkak se pozicionet e Prishtinës e Beogradit janë shumë të largëta.

RADIO EVROPA E LIRË
Pala kosovare ka paralajmëruar shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës pas 10 dhjetorit. Çka, sipas jush, do të thotë kjo për serbët e Kosovës?

DRAGISHA KËRSTOVIQ
Mendoj se kjo do të ishte një prej zgjidhjeve më të këqija të mundshme. Mendoj se në procesin negociues, në çdo rast, duhet të gjendet ndonjë zgjidhje tjetër. Unë tash nuk do të thosha se cila është kjo zgjidhje tjetër, por në çdo rast ndonjë zgjidhje tjetër që nuk do të linte hapësirë për një zgjidhje të tillë. Do të thotë, shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës në Parlament dhe pritjet që kjo shpallje e pavarësisë do të sjellë deri te pranimi i Kosovës si shtet i pavarur, do të jenë një zgjidhje shumë e keqe, posaçërisht e keqe për serbët e Kosovës, natyrisht nëse ajo do të ishte edhe zgjidhje definitive. Në këtë rast, serbët e Kosovës do të kishin shumë probleme dhe ata do të shiheshin si ata që ishin kundër kësaj zgjidhjeje. Kështu që serbët e Kosovës, në këtë rast, do të kalonin më së keqi.

RADIO EVROPA E LIRË
Njëri prej liderëve serbë, para pak kohësh, ka deklaruar se në rast të shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, pjesa veriore e Kosovës mund të shkëputet nga Kosova. Sa e shihni reale këtë mundësi?

DRAGISHA KËRSTOVIQ
Po, unë e shoh këtë mundësi. Pra, kjo mundësi ekziston edhe teorikisht, edhe praktikisht. Kështu që kjo është një zgjidhje e mundshme. Por, a do të jetë apo jo pragmatike, kjo është çështje tjetër. Po ashtu, se cilat do të jenë pasojat e një zgjidhjeje të tillë, edhe kjo është çështje tjetër; sidomos çfarë pasojash do të kishte për serbët që jetojnë në pjesët e tjera të Kosovës. Sigurisht që do të kishte pasoja të këqija, por nuk përjashtohet një skenar i tillë, pikërisht mbi bazën e parimeve të njëjta, mbi të cilat Kosova eventualisht do ta shpallte pavarësinë nga ana e Parlamentit. Pra, kjo është e mundur. Nuk mendoj se dikush do të mund ta sqaronte që teorikisht kjo është e pamundur dhe këtë ta parandalonte. Por, më duhet ta them se edhe ky do të ishte një skenar i keq në tërë këtë rrëfim.

INTERVISTOI: ZIJADIN GASHI

XS
SM
MD
LG