Ndërlidhjet

logo-print

SBASHK: GJENDJA NË SISTEMIN ARSIMOR MUND TË DESTABILIZOHET


Nadie Ahmeti

Gjendja në sistemin arsimor mund të destabilizohet, pas kërkesave të mësimdhënësve të të gjitha komunave të Kosovës, që të solidarizohen me grevistët. Ndryshe, sindikalistët e arsimit, sot, kanë hyrë në ditën e gjashtë të grevës së urisë, duke kërkuar rritjen e pagave për të gjithë punëtorët në arsimin fillor dhe të mesëm. Ali Shabanaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, tha se greva nuk do të ndërpritet deri në realizimin e kërkesave të tyre, por, shton ai, forma e grevës mund të ndryshojë, duke mos e përjashtuar edhe mundësinë e ndërprerjes së procesit mësimor. “Sot është kërkuar nga kuvendet komunale të Kosovës që nesër të organizohet një grevë njëorëshe, në shenjë solidarizimi dhe në shenjë të kërkesave të grevistëve të urisë, që njëkohësisht janë edhe kërkesa të tyre. Kjo është një paralajmërim se situata mund të dalë nga dora, edhe pse ne kemi deklaruar se nuk dëshirojmë ta pengojmë procesin mësimor”, tha Shabanaj. Por, nuk janë vetëm mësimdhënësit ata që kërkojnë të bashkohen me grevistët. Rrahman Jasharaj, zëdhënës i grevistëve, tha se tashmë ka raste kur nxënësit dhe punëtorët administrativë kërkojnë t’u bashkohen sindikalistëve. “Kam frikë se në terren, në shkollat fillore dhe të mesme, në emër të solidarizimit me ne, mund të vijë deri të prishja e rregullave atje, mund të vijë deri të bojkotimi i procesit mësimor. Apo, ajo çka është më keq në këtë situatë të ndjeshme për Kosovën, mund të ketë edhe ardhje masive në qytetin e Prishtinës; do të ketë edhe prishje të rendit publik. Më frikëson mundësia që mund të dalë situata nga kontrolli, qoftë në shkolla, qoftë në qytet”, u shpreh Jasharaj. Ndryshe, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se nuk ka mundësi buxhetore për rritjen e pagave për të gjithë punëtorët në sistemin arsimor. Megjithatë, Avni Arifi, zëdhënës në Qeverinë e Kosovës, thotë se ndjen keqardhje për gjendjen e punëtorëve të sistemit arsimor dhe për gjendjen shëndetësore të grevistëve. “Ju e dini pozicionin e përgjithshëm të shërbyesve civilë që është në Kosovë, që është i njëjtë me punëtorët tjerë; edhe ata janë të eliminuar nga kjo rritje që po u ofrohet punëtorëve të arsimit”, pohon Arifi. Por, Ali Shabanaj, thotë se Qeveria e Kosovës ka mjete materiale, por nuk ka strategji të mirëfilltë se si të shpenzohen ato mjete, sepse, thotë ai, sipas rregullores që aktualisht është në fuqi, shërbyes civilë konsiderohen edhe mësimdhënësit. “Besoj se ka para. Ka para, sepse është numër i vogël i punëtorëve dhe shumë e vogël që duhet dhënë për ta, ngase 12 përqindëshi është vërtet pak”, thotë Shabanaj. Sidoqoftë, gjendja shëndetësore e grevistëve është përkeqësuar dukshëm. Megjithatë, ata janë të bindur se do të qëndrojnë në grevë deri në plotësimin e kërkesave të tyre, thotë njëri nga grevistët, Ramiz Veliu. “Ne kemi hyrë në grevë pa kufi. Deri në realizmin e kërkesave tona, presim. Edhe pse ka shumë të sëmurë, këmbëngulja e tyre është që të mbesin në mesin tonë. Kemi insistuar që disa kolegë të largohen, të shkojnë në spital, nuk kanë dashur dhe janë në mesin tonë. Pra, është vendosmëria që të gjithë të mbesin këtu”, pohon Veliu. Ndryshe, greva e urisë pason pas marrëveshjes që është arritur në fund të muajit gusht në mes Qeverisë dhe Sindikatës së Arsimit, që pagat e punëtorëve të arsimit të rriten për 12 për qind. Në këtë rritje pagash, Qeveria e Kosovës nuk ka përfshirë 4850 punëtorë administrativë të sistemit arsimor.
XS
SM
MD
LG