Ndërlidhjet

logo-print

THIRRJET E EMIGRANTES TËRHEQIN VËMENDJEN E AUSTRISË


‘New York Times’

Arigona Zogaj është kthyer, të martën, në shkollën e saj në fshatin austriak, duke përqafuar nxënësit tjerë, duke pranuar lulet për të dhe duke i thënë fund, tash për tash, aktit të jashtëzakonshëm të rezistencës kundër autoriteteve të vendit të saj të adoptuar. Përjetimi i kosovares 15 vjeçare e ka magjepsur Austrinë, duke nxitur dilema me peshë rreth azilkërkuesve në Evropë dhe mbi çmimin që ka në njerëz politika austriake e emigracionit, e cila njihet si një prej politikave më të ashpra në Evropë. Udhëheqësi i Partisë së të Gjelbërve, Aleksander Van Der Bellen, i cili është vënë në mbrojtje të zonjushës Zogaj, ka thënë se “kjo vajzë flet me një dialekt të pastër austriak”. “Këta njerëz janë si vendësit, të mishëruar dhe megjithatë ata janë dërguar në Kosovë. Shumë njerëz nuk mund ta kuptojnë një gjë të këtillë", ka thënë zoti Der Bellen. Por, nuk është aq e thjeshtë natyrisht, si gjithmonë me evropianët perëndimorë, të cilët përballen me pakicat në mesin e tyre. Me gjithë simpatinë që mund të ketë tërhequr Arigona, shumë austriakë duan që të huajt t'i mbajnë larg, pavarësisht nëse janë azilkërkues apo jo. Hans Raucher, një kolumnist në gazetën Der Standard, ka thënë se “në Austri ekziston një skizofreni e vërtetë. Shumica e austriakëve thonë se nuk mund ta dërgojmë Arigonën e gjorë dhe familjen e saj, por në të njëjtën kohë, shumica gjithashtu thonë se nuk mund të lejojnë edhe njerëz të tjerë sikur ajo dhe familja e saj”. Ministri i Brendshëm austriak, Gunther Platter, ka thënë se Arigona vërtet e flet mirë gjuhën gjermane, por jo edhe anëtarët tjerë të familjes së saj. Zoti Platter ia ka lejuar Arigonës dhe nënës së saj të qëndrojnë në Austri, por jo edhe pjesës tjetër të familjes së saj, në pritje të një vendimi nga Gjykata Kushtetuese në Austri, i cili s’mund të pritet para dhjetorit. “Si ministër i Brendshëm, nuk mund t’i lejoj vetes të shantazhohem nga mediet. Ne duhet ta luftojmë keqpërdorimin e azilit. Fakti se kjo familje do të kishte mundësi më të pakta ekonomike në Kosovë, nuk ofron bazë për azil”, ka thënë zoti Platter. Problemi, sipas kritikëve, qëndron tek sistemi austriak i azilit, në të cilin deri më tash janë akumuluar 30 mijë aplikacione. Ekspertët thonë se Austria ka këtë numër të madh azilkërkuesish për faktin se është e vështirë për të hyrë në këtë vend në ndonjë formë tjetër. Në bazë të një raporti të mbështetur nga Bashkimi Evropian mbi trendin e migracionit, Austria radhitet pothuajse në fund të 25 vendeve anëtare të bllokut për nga hapësira që ofrojnë për emigrantët. Bernard Perching, një hulumtues në Akademinë Austriake të Shkencave, ka thënë se nuk mund ta mbyllësh tërësisht një vend dhe të kesh në të njëjtën kohë politika të mirëfillta integrimi. Në këtë kuadër, Arigona Zogaj mund t'i ketë bërë një shërbim këtij vendi. Kryeredaktori i gazetës Die Presse, Michael Fleischhacker, ka thënë se “cinikët pohojnë se kësaj vajze duhet t'i jepet shtetësia austriake për t’ua dëshmuar austriakëve sa konfuzë janë mbi emigracionin”.
XS
SM
MD
LG