Ndërlidhjet

PARTITË POLITIKE ZOTOHEN SE NUK DO TË KETË NGJASHMËRI NË PROGRAMET E TYRE


Arton Konushevci

Përfaqësuesit e partive politike në Kosovë, pak ditë para fillimit të fushatës për zgjedhjet e 17 nëntorit, zotohen se do të dalin para elektoratit me programe të veçanta dhe janë të bindur se nuk do të ketë ngjashmëri në ofertat e tyre. Fadil Ferati, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se partia e tij, për qytetaret do të ofrojë një program të qartë, në të cilin do të përfshihet pavarësia e Kosovës dhe integrimi i saj në Bashkimin Evropian. “Ne u garantojmë qytetarëve, si gjithmonë, se do të ecim; edhe sot kemi dalë me sloganin që do të ecim në rrugën e drejtë, që nënkupton pavarësinë e Kosovës dhe integrimin e saj në mekanizma evropianë. Ky është motivi, qëllimi dhe programi jonë. Dhe, këtë e garantojmë me LDK-në, se kjo rrugë është e pashmangshme dhe e pa kompromis për neve“, është shprehur Ferati. Ai ka thënë se LDK-ja ka kapacitete të mjaftueshme profesionale për t’i realizuar të gjitha programet nacionale. Nga ana tjetër, Vlora Çitaku, nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se përveç emrave të rinj që qytetarët mund t’i votojnë, PDK-ja, për nëntë muaj me radhë, ka dëgjuar qytetarët për problemet që kanë dhe, sipas saj, programi i partisë do të fokusohet në të gjitha lëmit, por me theks të veçantë në edukim, biznes dhe bujqësi. “Kemi radhitur dhe identifikuar shqetësimet e qytetarëve dhe programi zgjedhor i PDK-së do të jetë produkt i këtij bashkëbisedimi intensiv, që kemi pasur me qytetarët e Kosovës. Platforma jonë nuk do të shprehë vetëm të dëshirueshmen, por edhe të implementueshmen. Pra, ne besojmë që oferta jonë do të jetë më e afërta me interesat dhe shqetësimet e qytetarit të Kosovës”, ka thënë Çitaku. Besnik Tahiri, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se partia e tij do të ofrojë për qytetarët një program shumë të qartë, duke u përqendruar në tri çështje, në atë të ekonomisë, në sundimin e ligjit dhe në vendet e reja të punës. “Programi ynë është më i prekshëm, ku do të fokusojmë qytetarin në radhë të parë, mirëpo edhe tri shtyllat kryesore, që sot në Kosovë më të disfavorshme; do të thosha, fillimisht, zhvillimi ekonomik, e dyta ka të bëjë me punësimin dhe mirëqenien e qytetarit dhe e treta është sundimi i ligjit me fokus më të veçantë në forcimin e gjyqësorit dhe në avancimin e sigurisë në Kosovë. Kur them sigurinë, mendoj për sigurinë e qytetarit, për sigurinë e pronës, për sigurinë në punë dhe në rrugë. Mirëpo, ne, si Aleancë, dalim shumë të sigurt, me një optimizëm të lartë, se do të jemi një ndër forcat kryesore. Dhe, kjo besoj se do të vërtetohet pas 17 nëntorit", ka deklaruar Tahiri. Ai është zotuar se programi i AAK-së do ta zhvillojë Kosovën në të gjitha aspektet dhe, sipas tij, do të ketë një mirëqenie më të mirë. Ylli Hoxha, nga Partia Reformiste Ora, thotë se kjo parti do të vazhdojë me strategjinë e saj, që qytetarët e Kosovës ‘të ndihen Zot shtëpie në vendin e vet’. "Edhe në këtë fushatë, deri tash trevjeçare të funksionimit tonë, por edhe gjatë kësaj fushate është oferta për shtet-bërje. Pra, Ora konsideron se qytetari i Kosovës duhet të bëhet zot shtëpie në vendin e vet dhe me këtë e dimensionojmë edhe në aspektin individual. Pra, çdo qytetar i Kosovës duhet të jetë zot shtëpie në vendin e vet dhe duhet ta gëzojë pronën e Kosovës, duhet ta gëzojë Kosovën si shtet të vetin dhe jo të sillet indiferent ndaj tij. Kjo është qasja jonë ndaj fushatës së ardhshme, kjo është qasja jonë që kemi pasur në vazhdimësi si parti politike", ka thënë Hoxha. Hollësitë e programeve të këtyre partive politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 17 nëntorit, ende nuk janë bërë publike, por debatet mbi to pritet të intensifikohen me fillimin e fushatës zgjedhore.

XS
SM
MD
LG