Ndërlidhjet

SI TË ZHDUKET VARFËRIA DERI NË VITIN 2015?


Albana Isufi

Dita Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë e gjen sërish Kosovën në krye të listës së vendeve më të varfra në Ballkanin perëndimor, ku 14 për qind e popullsisë jetojnë në varfëri ekstreme. Sot, rreth 300 mijë kosovarë jetojnë me më pak se 70 centë në ditë, ndërsa hulumtimet e ndryshme flasin për stagnim të rritjes ekonomike. “Sipas Raportit të Paralajmërimit të Hershëm, çdo i dyti qytetar i Kosovës e sheh si problem kryesor papunësinë dhe varfërinë. Sipas Bankës Botërore, 14 për qind e kosovarëve janë në nivelin e varfërisë ekstreme. Më shumë se çdo i dhjeti person në Kosovë zgjohet në mëngjes i uritur dhe bie të fle po ashtu i uritur”, thotë shefi i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Frode Mauring. Zhdukja e varfërisë ekstreme dhe zvogëlimi i asaj relative është një nga qëllimet e mileniumit, që Kosova, krahas vendeve tjera në zhvillim, synon ta arrijë deri në vitin 2015. Në raportin e dytë mbi qëllimet e mileniumit, të hartuar nga UNDP-ja dhe Instituti Riinvest, thuhet se zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik mundëson uljen e varfërisë. Drejtori i Institutit Riinvest, Muhamet Mustafa, thotë se, sipas raportit, ka gjasa që objektivat të arrihen në vitin 2015, por duhet bërë punë shumë e madhe. “Analiza tregon gjithashtu se ne nuk mund të jemi komodë. Nuk mund të pretendojmë se këto qëllime mund të arrihen pa një angazhim të përkushtuar të të gjithë neve. Sipas analizave tona, për ta eliminuar varfërinë ekstreme, pra tani rreth 14 për qind e popullatës konsumojnë më pak se një dollar në ditë, në vitin 2015 këta duhet të konsumojnë 2 deri në 3 herë më tepër”, thotë Mustafa. Po ashtu, sipas tij, papunësia duhet të zvogëlohet nga 40, sa është tash, në 25 për qind. “Gjatë tetë vjetëve të ardhshme duhet të krijohen 200 mijë deri në 250 mijë vende të reja të punës. Dhe, kjo kërkon që rritja ekonomike në Kosovë të akselerohet prej 1 deri në 1.5 për qind, sa ka qenë në 5 vjetët e fundit; e nganjëherë kemi pasur rritje negative, 0 apo minus 1 e minus 2. Kjo rritje duhet të akselerohet në 7 për qind”, pohon Mustafa. Raporti për arritjen e qëllimeve të mileniumit vë në pah se duhet të ketë një analizë të thuktë, për të parë se pse nuk ka pasur rritje ekonomike, si dhe të identifikohen masat afatshkurtra dhe afatgjata që do të gjeneronin rritje ekonomike. Ndërkohë që përmirësimi i qeverisjes vlerësohet të jetë ndër faktorët kryesorë, që do të ndihmonte uljen e varfërisë dhe zhvillimin ekonomik. Zyrtarë të Qeverisë thonë se janë të përkushtuar në arritjen e qëllimeve të mileniumit, pavarësisht se vetë Kosova nuk është nënshkruese e deklaratës së Kombeve të Bashkuara për mijëvjeçarin. Naim Behluli, nga Qeveria e Kosovës, thotë: “Deklarata, që nuk është nënshkruar nga përfaqësues të Kosovës, nuk duhet për asnjë moment të pengojë përpjekjet tona për arritjen e objektivave, të cilat edhe janë relevante për zhvillimin e ardhshëm të Kosovës”. Sipas raportit mbi objektivat e Zhvillimit të Mileniumit, në rast se Kosova do t’i përmbushte këto objektiva në vitin 2015, mijëra njerëz do të largoheshin nga varfëria ekstreme, do të kishte një progres të ndjeshëm në shëndetin e fëmijëve, ku në vend të vdekjes para ditëlindjes së pestë, shumë fëmijë do të shpëtonin, sikurse do të shpëtonin edhe shumë jetë të nënave.
XS
SM
MD
LG