Ndërlidhjet

SEJDIU: ZGJEDHJET MUND TË SHTYHEN NËSE NDIKOJNË NË ZVARRITJEN E STATUSIT


Zijadin Gashi

Status quo-ja në Kosovë është e paqëndrueshme dhe statusi i saj duhet të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur - është thënë sot pas një takimi të zhvilluar ndërmjet presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe zëvendësshefit të UNMIK-ut, Steeven Schook. Presidenti i Kosovës tha se pret që Treshja ndërmjetësuese, në negociatat për statusin, t’i përmbahet agjendës dhe ta përmbyllë procesin negociues më 10 dhjetor. Sejdiu tha se pala kosovare nuk do të pranojë asnjë formulë apo zgjidhje tjetër, përveç asaj të proklamuar deri më tash për pavarësinë e Kosovës, duke pranuar si zgjidhje dokumentin e presidentit Ahtisaari. “Këto angazhime shtesë do të përfundojnë dhe do të jepet raporti tek Sekretari i Përgjithshëm. Ne e presim këtë, presim të ndodhë. Nga pala e Kosovës nuk ka asnjë hezitim dhe asnjë shtrëngim të obstruksioneve apo formave të tjera, që këtë proces dëshirojnë ta prolongojmë”, tha presidenti Sejdiu. Shtyrja eventuale e statusit në disa raste ndërlidhet me zgjedhjet e lira, që pritet të mbahen sivjet në Kosovë. Mirëpo, presidenti Sejdiu tha se në rast se dikush nga bashkësia ndërkombëtare do të përpiqej ta arsyetonte ndonjë shtyrje të re me zgjedhjet, atëherë Kosova do të jetë e gatshme, që nëse është e nevojshme, edhe t’i shtyjë zgjedhjet pas statusit. Sidoqoftë, Sejdiu tha se deri më tash Kosova po tregon se është e gatshme t’i zhvillojë dy procese paralele, atë të statusit dhe atë të zgjedhjeve. “Nëse ndodh që procesi i zgjedhjeve mund ta prishë procesin e ecjes së statusit, mund të merret vendim tjetër. Prandaj, nuk mund të ndodhë që për shkak të zgjedhjeve të shtyhet çështja e statusit. Kosovarët janë të gatshëm që të ecin në të dy proceset paralelisht. Nëse ndodh të vlerësohet që ky proces i statusit të zvarritet për shkak të zgjedhjeve, e kemi formulën se statusit i derivohen të gjitha proceset”, pohoi presidenti i Kosovës. Në anën tjetër, zëvendësshefi i UNMIK-ut, Steeven Schook, tha se deri tash, në bazë të të gjitha vlerësimeve politike, nuk sheh ndonjë arsye që zgjedhjet të shtyhen. “I shpreha presidentit mendimin tim, se bazuar në zhvillimet e deritashme, mendoj se nuk ka arsye teknike që do të pamundësonin mbajtjen e këtyre zgjedhjeve më 17 nëntor”, tha Schook. Ai pohoi në vazhdim se UNMIK-u po e vlerëson lart punën e Ekipit të Unitetit në procesin negociues për pavarësinë e Kosovës. Schook tha po ashtu se KFOR-i dhe UNMIK-u janë të gatshëm që ta mbajnë gjendjen nën kontroll në aspektin e sigurisë, si tani, ashtu edhe në kohën e vendimit për statusin. Duke u ndërlidhur me raportin e fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave dhe paraleleve që vihen lidhur me zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe implikimeve në Luginën e Preshevës, presidenti Sejdiu tha se Beogradi mund të luajë edhe lojëra të ndryshme për të destabilizuar gjendjen e sigurisë dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta ketë parasysh këtë fakt. “Nuk e lëmë anash mundësinë e ngritjes së tensioneve, që Serbia dëshiron t’i bëjë në Luginën e Preshevës. Është borxh i faktorit ndërkombëtar që t’ua bëjë me dije, që me ato lojëra nuk mund të merren, sepse shkaktohen reagime të tjera që mund të jenë me pasoja të paparashikueshme”, theksoi presidenti Sejdiu. Ndryshe, sot Ekipi Negociues ka pranuar ftesën zyrtare nga Treshja për takimin e radhës në Vjenë. Presidenti Sejdiu tha se nuk pret ndonjë risi nga ky takim dhe paralajmëroi që ekipi kosovar vetëm do të rikonfirmojë pozicionet e veta lidhur me statusin dhe raportet fqinjësore me Serbinë.

XS
SM
MD
LG