Ndërlidhjet

SBASHK PARALAJMËRON MUNDËSINË E NDËRPRERJES SË PROCESIT MËSIMOR


Nadie Ahmeti

Ka hyrë në ditën e shtatë greva e sindikalistëve të arsimit, të cilët kërkojnë rritjen e pagave për 12 për qind për të gjithë të punësuarit në arsimin fillor dhe të mesëm. Ali Shabanaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, thotë se grevistët janë të vendosur që të qëndrojnë në grevë deri në realizimin e kërkesave të tyre. Në anën tjetër, në shenjë solidarizimi me grevistët, sot në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme, në Kosovë, nuk është mbajtur ora e parë e mësimit. Por, Ali Shabanaj thotë se gjendja në sistemin arsimor mund të përkeqësohet, duke mos e përjashtuar mundësinë e ndërprerjes së procesit mësimor në gjithë Kosovën. “Kam frikë se pa dëshirën tonë, situata do të eskalojë për të keq, nëse Qeveria na injoron. Dhe, mundësitë për t’u futur në grevë, siç duket, tani janë bërë realitet. Edhe pse ne kemi deklaruar se nuk dëshirojmë të ndërpresim mësimin, por Qeveria, e cila na injoron, ndoshta do t’i detyrojë ata, që për shkak të gjendjes së krijuar këtu, vërtet të ndodhin gjëra të paparashikueshme”, tha Shabanaj. Në mbledhjen e sotme të Qeverisë është diskutuar edhe për gjendjen e grevistëve. Avni Arifi, zëdhënës i Qeverisë, ka thënë se buxheti i kufizuar i Kosovës nuk lejon rritjen e pagave edhe për punëtorët e administratës në sistemin e arsimit. Arifi, ndërkaq apelon tek sindikalistët e arsimit që ta ndërpresin grevën, pasi, shton ai, kjo grevë nuk është metodë që realizon kërkesat e tyre. “Obligimet që ka marrë Qeveria e Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar, janë se nuk guxon të rritet më shumë kostoja, që është më shumë se 210 milionë euro paga. Nuk guxon që kjo kosto të rritet sa i përket pagave edhe të shërbyesve civilë, edhe të pjesëve të tjera të shoqërisë sonë”, tha Arifi. Ndryshe, Ali Shabani, kryetar i SBASHK-ut, thotë se greva do të vazhdojë. “Ne do të ecim tutje. T’i tregojmë Qeverisë se kjo nuk qenka qeveri, por qenka një grup njerëzish që dëshirojnë pushtet pa pushtet“, u shpreh Shabanaj. Hilmi Jashari, ushtrues detyre i Ombudsperson-it të Kosovës, i cili njëherësh ka marrë përsipër rolin e ndërmjetësuesit në mes Qeverisë dhe sindikalistëve për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje, thotë se Qeveria duhet patjetër të marrë seriozisht zgjidhjen e këtij problemi. “Duhet të ndërmerret diçka. Aq më tepër duhet të ketë përkushtim, nëse jo për asgjë tjetër, së paku të dëgjohen, të vizitohen, të bisedohet edhe të gjendet zgjidhja. Unë mendoj se zgjidhje ka, mirëpo është çështje e vullnetit dhe përkushtimit që dikush duhet të tregojë në këto situata”, theksoi Jashari. Ndryshe, gjendja shëndetësore e grevistëve është përkeqësuar dukshëm, thotë Haki Dragusha, nga Enti për Ndihmë të Shpejtë Mjekësore në Prishtinë. Ai, ndërkaq thotë se tek tre grevistë gjendja është alarmante, njëri prej të cilëve është edhe kryetari i Sindikatës së Arsimit, Ali Shabanaj. “Gjendja shëndetësore e grevistëve është mjaft e rëndë, është përkeqësuar shumë. Tek tre grevistë gjendja është alarmante, tek të cilët duhet të intervenohet patjetër. Pra, duhet të ndërpritet greva. Ata nuk po pranojnë; njëri prej tyre është kryetari i SBASHK-ut, i cili nuk pranon as të vizitohet tek ne. Por, ne duhet të improvizojmë një ambulantë këtu, që të krijojmë kushte për trajtim”, tha doktor Dragusha. Ndryshe, 4800 punëtorë administrativë në sistemin e arsimit nuk janë përfshirë në rritjen e pagave krahas mësimdhënësve.


XS
SM
MD
LG