Ndërlidhjet

logo-print

KUVENDI IA BART PËRGJEGJËSINË E LIGJEVE TË PAKOS SË AHTISAARIT PËRBËRJES SË ARDHSHME


Zijadin Gashi

Kuvendi i Kosovës do ta përmbyllë mandatin që ka, pa i miratuar ligjet që dalin nga pakoja e Ahtisaarit, duke ia lënë këtë punë përbërjes së re, që do të dalë pas zgjedhjeve të 17 nëntorit. Ndërsa Kuvendi ka miratuar dokumentin e Ahtisaarit, duke i dhënë validitetin si zgjidhje për statusin e Kosovës, më pas qenë identifikuar edhe 20 ligje nga ky dokument, që nga vendorët cilësohen si ligje shtetërore dhe që filluan të shqyrtohen në Kuvend para dy javësh. Mirëpo, me ndërhyrjen e shefit të UNMIK-ut, Joachim Ruecker, i cili i bëri me dije Kuvendit se nuk ka mandat të miratojë ligje shtetërore përderisa mbetet në fuqi Rezoluta 1244, tani deputetët e pranojnë se kjo punë do t’i bartet përbërjes së ardhshme të Kuvendit. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Alush Gashi, thotë se ligjet dhe zbatimi i pakos së Ahtisaarit duhet të ndodhë pas vendimit për statusin e Kosovës. “Ne, si Kuvend, e kemi mbështetur pakon e Ahtisaarit si substancë, me kusht që të njihet pavarësia e vendit tonë. Pra, ne jemi të gatshëm me tërë kapacitetet tona, që pas njohjes së pavarësisë së vendit tonë, t’i zbatojmë apo t’i miratojmë të gjitha ligjet e pakos së Ahtisaarit”, tha Alush Gashi. Ndërkohë, Gjylnaze Syla, shefe e Grupit Parlamentar të AAK-së, thotë se tri ligje, të cilat burojnë nga pakoja e Ahtisaarit dhe të cilat janë miratuar në parim nga Kuvendi, mund të miratohen përfundimisht edhe nga përbërja e re e legjislativit. Sipas rregullores në fuqi, të gjitha ligjet dhe çështjet që nuk finalizohen gjatë mandatit të Kuvendit, nuk e obligojnë përbërjen e re që ta vazhdojë punën e mbetur në gjysmë. Por, deputetja Syla thotë se këtu ka edhe përjashtime. “Si grup parlamentar i kemi propozuar Kryesisë që të shfrytëzohet një rregull në Rregulloren e Punës së Kuvendit, e cila ofron shmangie nga rregulla 62, që ka të bëjë me atë se Kuvendi i Kosovës mund të marrë vendime, që në mandatin e ardhshëm, këto ligje që kanë kaluar në parim, të vazhdojnë të procedohen, ashtu që puna e arritur deri tani, mos të humbet dhe mos të fillojë sërish puna nga fillimi”, theksoi Gjylnaze Syla. Qëndrimet e mëhershme të Qeverisë dhe Kuvendit ishin që ligjet e pakos së Ahtisaarit të miratohen, thotë shefja e Grupit Parlamentar të Partisë Reformiste Ora, Teuta Sahatçia. Sidoqoftë, tani kur ka mbetur mbase edhe një seancë e vetme plenare deri në fund të mandatit, synimet e Kuvendit për miratimin e këtyre ligjeve duken një mision i pamundur, thekson ajo. “Kuvendi i Kosovës ka pranuar që të funksionojë deri në fund të mandatit, në fund të zgjedhjeve, me kusht që të miratohen ligjet e pakos së Ahtisaarit. Dhe, duke pasur parasysh situatën e zhvillimit të procesit për definimin e statusit, të jetë aktiv deri në momentin e fundit. Por, me sa po shihet, ky aktivitet nuk ka qenë i mjaftueshëm dhe sot e pamë, në seancë, se ligji i vetëm që u shqyrtua, ishte ai për Mbrojtjen e Mjedisit, ndërsa ligjet tjera nuk u aprovuan”, tha Teuta Sahatçia. Mandati i Kuvendit të Kosovës, sipas një vendimi të shefit të UNMIK-ut, përmbyllet më 15 nëntor, dy ditë para zgjedhjeve. Ndërkaq, sipas vendimit të Kuvendit, mandati i kësaj përbërjeje vazhdon deri në konstituimin e përbërjes së re, që do të dalë nga zgjedhjet e ardhshme. Po ashtu, Kuvendi ka në fuqi vendimin se mund të mblidhet në çdo kohë gjatë mandatit që ka, nëse është në pyetje ndonjë vendim që ky institucion duhet të marrë për statusin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG