Ndërlidhjet

logo-print

SHPK-JA NUK KA INFORMACIONE PËR INCIDENTIN E GAZETARES VESNA BOJIÇIQ


Arton Konushevci

Shërbimi Policor i Kosovës nuk ka asnjë informacion lidhur me rrahjen e korrespondentes, Vesna Bojiçiq, e cila punon për seksionin serb të ‘Zërit të Amerikës’. Veton Elshani, zëdhënës i policisë, ka deklaruar se policia është e interesuar të dijë për këtë rast, por, deri më tash, siç thotë Elshani, në asnjë stacion policor nuk është lajmëruar rasti. “Shërbimi Policor i Kosovës nuk është i njoftuar me rastin e zonjës Vesna Bojiçiq, gazetares nga ‘Zëri i Amerikës’. Dhe, Shërbimi Policor i Kosovës është shumë i interesuar të dijë më shumë për këtë rast. Ne do ta inkurajonim atë që të shkojë në stacionin më të afërt të policisë, apo ta lajmërojë rastin tek policia, në mënyrë që ne ta dimë se me çfarë problemesh është ballafaquar ajo. Duke marrë parasysh profesionin e saj si gazetare, ne jemi shumë të interesuar që ta dimë rrëfimin e saj dhe ta dimë rastin e saj në përgjithësi. Në Shërbimin Policor të Kosovës nuk është lajmëruar ky rast”, ka deklaruar Elshani. Përkundër faktit se zonja Bojiçiq nuk e ka lajmëruar rastin në polici, SHPK-ja, në bazë të informacioneve nga mediet, ka hapur hetimet për këtë çështje dhe deri më tash nuk ka mundur të kontaktojë gazetaren Bojiçiq. Korrespondentja e shërbimit serb, Vesna Bojiçiq, i ka thënë ‘Zërit të Amerikës’ se një burrë i veshur me rroba kamuflazhi dhe këpucë ushtarake, me një maskë në fytyrë, kishte hyrë me forcë në apartamentin e saj dhe e kishte rrahur. Ajo thotë se sulmuesi e kishte kërcënuar duke aluduar në raportimin e saj nga Kosova. Kontakti me zonjën Bojiçiq, gjatë ditës së sotme, ka qenë i pamundur.
XS
SM
MD
LG