Ndërlidhjet

GROSSMAN:"PAS DHJETORIT SHBA-të NUK DO TË PRESIN GJATË PËR TË NJOHUR PAVARËSINË E KOSOVËS"


Marc GROSSMAN, ish nënsekretar amerikan i shtetit

RADIO EVROPA E LIRË
Ambasador Grossman, keni qenë i përfshirë në çështjen e Kosovës. Sa e vështirë është kjo çështje?

MARC GROSSMAN
Është një problem i vështirë. Ka shumë anë dhe aktorë të problemit, kemi Kosovën, Serbinë, BE-në, SHBA-në.
Nuk është e lehtë, por është një problem i zgjidhshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Derisa procesi i përcaktimit të statusit vazhdon, nuk kemi vetëm Prishtinën dhe Beogradin me qëndrime të kundërta, por edhe vendet e Grupit të Kontaktit. A mund të themi se sot Kosova nuk është thjesht një çështje e pazgjidhur nga shpërbërja e ish Jugosllavisë? Çfarë roli luajnë marrdhëniet Rusi-Perëndim në moszgjidhjen e statusit?

MARC GROSSMAN
Është një pikë e rëndësishme ajo që theksuat se kur flasim sot për Evropën të tërë, në liri dhe paqe, një nga pjesët e fundit të pazgjidhura mbetet Kosova. Ndaj ka shumë rëndësi për Evropën që çështja e Kosovës të zgjidhet drejt. Për këtë arsye bëhet shumë e rëndësishme mbështetja ndaj planit të Ahtisaarit. Edhe ajo që ka bërë Havier Solana duke i sjellë palët dhe një herë së bashku për të diskutuar është e dobishme.
Sa i përket Rusisë Kosova mbetet një nga sfidat e marrëdhënieve të Moskës me Perëndimin. Shpresoj që Rusia me kalimin e kohës ta kuptoj se investimi më i madh që është bërë në Kosovë është bërë nga Perëndimi dhe trupat tona. Nuk po them se Rusia nuk ka interesa atje, por ata duhet ta kuptojnë se plani i Ahtisaarit është gjëja më e mirë për rajonin, për Evropën në tërësi dhe në paqe. Natyrisht kjo është më e mira dhe për Rusinë.

RADIO EVROPA E LIRË
A kanë qenë të përgatitura Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të Grupit të Kontaktit për një kundërshtim kaq të fuqishëm të Rusisë ndaj pavarësisë së Kosovës? Njëherësh përmendet se Rusia ka interesa në Kosovë, cilat janë ato?

MARC GROSSMAN
Së pari dua të them se dy vjet më parë nuk kemi qenë të përgatitur për një kundërshtim të tillë nga ana e Rusisë. Por gjatë vitit të fundit cdo vend anëtar i Grupit të Kontaktit e priste këtë pozicion të Rusisë. Tani e rëndësishme është që të bisedojmë dhe ta bëjmë Rusinë të kuptojë se është e themelore që Evropa të jetë një e tërë dhe në paqe. Dhe Kosova është një pjesë e Evropës.
Së dyti mendoj se është shumë e rëndësishme se si serbët do t'i përcaktojnë interesat e tyre. Këtu shpresoj që Bashkimi Evropian dhe Serbia do ta kuptojnë se është shumë e rëndësishme për Serbinë të jetë në trenin e shpejt drejt Evropës. Në këtë proces ka diçka shumë përfituese për vetë Serbinë. E kuptoj lidhjen emocionale dhe historike që Serbia ka me Kosovën, por e ardhmja e Serbisë është në Bashkimin Evropian.
Dhe së fundi sa i përket Rusisë, është e rëndësishme të pranojmë faktin se Rusia dhe Serbia kanë marrëdhënie tepër afatgjata. Më duhet të rikujtoj se pas konfliktit në Kosovë aty erdhën forcat ruse.
Por Rusia duhet ta kuptojë se është në interesin e saj një Evropë e lirë dhe në paqe, pasi prej saj përfitojnë shumë dhe rusët.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendet planin e Ahtisaarit në një kohë që faktorë ndërkombëtarë kanë thënë se ky plan duhet të zbatohet pas 10 Dhjetorit nëse palët nuk arrijnë marrëveshje. A nënkuptohet vetëm raporti i Ahtisaarit apo dhe rekomandimi i tij për pavarësi të mbikqyrur?

MARC GROSSMAN
Nëse lexoj si duhet atë që Shtetet e Bashkuara po e thonë vazhdimisht kemi planin e Ahtisaarit si bazë për vazhdimin më tej. Por e di nga deklaratat e zyrtarëve amerikanë se nëse, siç e përmendet, nuk do ketë marrëveshje deri në fillim të Dhjetorit nuk do habitem që Shtetet e Bashkuara të njohin pavarësinë e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Atëherë sa kohë pas 10 dhjetorit Shtetet e Bashkuara do njohin pavarësinë e Kosovës, gjithmonë nëse nuk ka marrëveshje mes palëve?

MARC GROSSMAN
Është një pyetje e mirë, por është gati e pamundur të parashohim të ardhmen kaq javë më herët. Sërish nga ato që kam dëgjuar nga zyrtarët amerikanë mund të them se Shtetet e Bashkuara nuk do presin shumë gjatë për të njohur pavarësinë e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Jo shumë gjatë, është çështje ditësh, javësh, muajsh...

MARC GROSSMAN
Nuk e di, por do të përsërisë atë që kanë thënë zyrtarët amerikanë në publik se nuk do të presin shumë gjatë.

RADIO EVROPA E LIRË
Është e qartë tashmë se vendet anëtare të BE-së nuk kanë qëndrim të përbashkët sa i përket statusit të Kosovës. A është kjo pengesa kryesore për një zgjidhje jashtë Këshillit të Sigurimit?

MARC GROSSMAN
Kjo është një pengesë. Për mua Bashkimi Evropian duhet të mendojë në raport me Serbinë sa i përket kësaj çështje. Më duket se një Serbi e fortë, e suksesshme dhe anëtare e Bashkimit Evropian do jetë një vlerë e rëndësishme për zhvillimet pozitive në Evropën Juglindore.
Natyrisht nuk dua t'i japë këshilla Bashkimit Evropian, por njerëzit atje në vend që ta shohin çështjen si problem i Kosovës le t'i qasen si problem i Serbisë.
Serbët duhet ta ndjejnë se nëse Kosova bëhet e pavarur, megjithë vështirësitë emocionale që ka ky vendim, kanë një të ardhme evropiane. Dhe kjo është ajo që mund t'ia japë Bashkimi Evropian. Do thosha që në një kohë këtë të ardhme duhet t'ia japë edhe Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë skenaret e mundshme nëse Bashkimi Evropian megjithatë dështon të vijë me një qëndrim të përbashkët? A janë Shtetet e Bashkuara të përgatitura për një mundësi të tillë?

MARC GROSSMAN
Ma merr mendja se janë të përgatitura. Por do shtoja se nuk duhet të jemi kaq pesimistë. Besoj se z. Solana do t'i bëjë rekomandimet e duhura Bashkimit Evropian. Derisa flasim sot nuk duhet ta paragjykojmë të ardhmen dhe nuk duhet të jemi pesimistë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në planin rajonal, a mund të themi se moszgjidhja e statusit të Kosovës përkthehet në mosftimin e vendeve të Kartës së Adriaktik 3, Shqipëri, Maqedoni dhe Kroaci, për anëtarësim në NATO?

MARC GROSSMAN
Është një pyetje e mirë, përgjigjen e së cilës nuk e di.
Besoj se NATO-ja do veprojë në mënyrë të pavarur, ndonëse do ta marrë parasysh dhe situatën në Kosovë. Nga ana tjetër kemi marrdhënie të shtuara mes NATO-s dhe këtyre tre vendeve. E përsëris, është e vështirë të parashikosh, por NATO-ja do veprojë bazuar në interesat e saj.

Intervistoi: Ilirjana A. BAJO
XS
SM
MD
LG