Ndërlidhjet

NDËRPRITET GREVA E SBASHK-UT


Nadie Ahmeti

Në ditën e nëntë të grevës së urisë, sindikalistët e arsimit janë pajtuar me Qeverinë që të ndërpresin grevën. Marrëveshja e arritur mbrëmë vonë, pas një takimi ndërmjet Sindikatës së Arsimit dhe zyrtarëve të Qeverisë, është nënshkruar sot dhe i dha fund grevës së urisë, që për shkak të mosngritjes së pagave të punëtorëve të administratës në këtë sistem, janë futur në grevë. Xhafer Xhaferi, nga Sindikata e Arsimit, tha se, sipas marrëveshjes, rritja vlen vetëm për tremujorin e ardhshëm, ndërkaq pas përfundimit të këtij tremujori, përkatësisht në vitin e ardhshëm, çështja e pagave të kësaj kategorie do të trajtohet në kuadër të reformës për shërbyesit civilë. “Nga mjetet e MASHT-it, mallrat dhe shërbimet, të sigurohen mjete buxhetore për shtesat e punëtorëve të administratës së arsimit, për tre muajit e fundit të vitit buxhetor 2007”, tha Xhaferi. Ndryshe, Avni Arifi, zëdhënës i kryeministrit të Kosovës, tha se duke marrë parasysh buxhetin e kufizuar të Kosovës, kjo marrëveshje është maksimumi çka ka mundur të bëjë ky institucion. “Kjo marrëveshje është maksimumi çka ka mundur të bëjë Qeveria, duke marrë parasysh të gjitha vështirësitë buxhetore, me të cilat po ballafaqohet”, pohoi Arifi. Sa i përket kërkesave tjera, si ajo që nga zbatimi i reformave për klasat e pesta, pa punë të mos mbetet asnjë mësimdhënës dhe ajo që të ndryshohet Ligji për Arsimin Fillor dhe të Mesëm, Avni Arifi shpjegon më tepër: “Komisioni i formuar nga kryeministri Agim Çeku, do ta përgatisë raportin për punëtorët, të cilët mund të jenë të pasistemuar në punë e të cilët posedojnë kualifikimin përkatës për mësimdhënie”. Tridhjetë e një anëtarë të Këshillit dhe Kryesisë së Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë kanë hyrë në grevë urie para nëntë ditësh, duke kërkuar rritjen e pagave për të gjithë punëtorët e arsimit fillor dhe të mesëm. Qeveria e Kosovës, në fund të muajit gusht, u pati premtuar mësimdhënësve se këtë vit do të rrisë pagat për 12 për qind, por në këtë rritje nuk pati përfshirë 4800 punëtorë të administratës dhe teknikë në sistemin e arsimit.

XS
SM
MD
LG