Ndërlidhjet

EKIPI I UNITETIT NUK KA NJOHURI QË TRESHJA PO PËRGATIT DOKUMENT PËR KOSOVËN


Zijadin Gashi

Ekipi i Unitetit në Prishtinë thotë se nuk ka njohuri për një dokument 14 pikësh, që Grupi i Kontaktit, përkatësisht Treshja ndërmjetësuese në negociata, po përgatit për Kosovën. Ky dokument, sipas burimeve në Prishtinë, paraqet përpjekjet ndërkombëtare për të unifikuar pika të përbashkëta ndërmjet pozicioneve të Prishtinës e Beogradit në negociata. Pas një takimi të zhvilluar sot, Ekipi i Unitetit e mohoi të ketë pranuar një dokument të tillë. Zëdhënësi Skënder Hyseni tha se pala kosovare beson që Treshja po përgatit dokumentin për Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki- Moon, të cilit do t’ia paraqesë rezultatet e bisedimeve në formë të raportit, më 10 dhjetor. Ndërkaq, zgjidhja për Kosovën, sipas tij, ende kërkohet në pakon e Ahtisaarit. Ai nuk e përjashtoi mundësinë që Treshja t’u paraqesë ndonjë dokument palëve në takimin e radhës, më 22 tetor, në Vjenë. Hyseni tha se Treshja pritet që deri më 10 dhjetor ta paraqesë raportin e vet, ndërkaq, sipas tij, nuk është në mandatin e palëve në bisedime që t’i diktojnë Treshes mandatin që ka në bisedime. “Është në pushtetin e plotë të Treshes që të nxjerrë përfundime dhe konkluzione të caktuara, derisa i dëgjon të dyja palët. Nuk është krejt e papritur që në një fazë të këtij procesi, Treshja mund të japë edhe përshtypjet e veta për rrjedhën e statusit”, theksoi Hyseni. Në vazhdim, ai ka njoftuar edhe në lidhje me agjendën e takimit të 22 tetorit në Vjenë. Pika e tretë në agjendë është debati pikërisht lidhur me vlerësimin e Treshes për procesin e statusit. Hyseni tha se nuk mund të paragjykojë nëse ky vlerësim përbën dokumentin 14 pikësh, duke sugjeruar që të pritet takimi i 22 tetorit për të parë se çfarë do të prezantojë Treshja. “Duhet pritur takimin e së hënës në Vjenë, për të parë se çfarë ka Treshja për të thënë. Nuk është në fuqinë e as në pushtetin tonë që t’ia zgjerojmë apo t’ia ngushtojmë mandatin Treshes, pasi mandati i Treshes rrjedh nga Grupi i Kontaktit dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së. Ne jemi të gatshëm që të përballemi me të gjitha situatat, të cilat eventualisht mund të krijohen gjatë këtij procesi”, tha zëdhënësi Hyseni. Sipas njoftimeve jozyrtare, të cilat paraqiten edhe në shtypin kosovar, Treshja kërkon pika të përbashkëta konsensusi ndërmjet pozicioneve të të dyja palëve, që nisen nga oferta e Serbisë për autonomi substanciale dhe pozicioni i Kosovës për traktatin e miqësisë mes dy vendeve. Dokumenti, sado që mbetet si i pavarur, megjithatë thuhet se prek edhe pakon e Ahtisaarit, duke e lansuar një emërtim si ‘Ahtisaari plus’, sipas të cilit, Kosova e ruan të drejtën për pavarësi, por edhe Serbia do të siguronte lidhje të drejtpërdrejta me komunat serbe në Kosovë. Një zgjidhje e tillë komentohet se do ta shtynte zgjidhjen definitive të statusit të Kosovës edhe për një periudhë prej 3 vjetësh. Sidoqoftë, në emër të Ekipit Negociues, zëdhënësi Hyseni i ka kundërshtuar këto opsione, duke pohuar se Prishtina pret që procesi i bisedimeve shtesë të përmbyllet më 10 dhjetor dhe pas kësaj date mos të këtë bisedime të tjera. Të dielën, Ekipi kosovar do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Paris, me ftesë të ministrit të Jashtëm, Bernard Kouchner. Pas Parisit, delegacioni i Kosovës do të udhëtojë në Vjenë për takimin e 22 tetorit, përderisa tashmë është caktuar edhe takimi tjetër i radhës, i cili po ashtu do të zhvillohet në Vjenë, më 5 nëntor.

XS
SM
MD
LG