Ndërlidhjet

logo-print

ÇEKU:”INSTITUCIONET E KOSOVËS TË MERREN MË FUQISHËM ME PËRCAKTIMIN E STATUSIT”


Ethem ÇEKU, ministër në Qeverinë e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Çeku, procesi i negociatave për statusin mes Prishtinës dhe Beogradit po vazhdon. Palët ende kanë qëndrime diametralisht të kundërta, ndërkohë që zyrtarë nga Bashkimi Evropian u kanë kërkuar palëve kreativitet dhe vendosmëri për të gjetur një zgjidhje. Si i shihni ju tërë këto zhvillime?

ETHEM ÇEKU
Është një proces mjaft i rëndë, mjaft i vështirë, që po e kalojmë ne posaçërisht, për shkak se shumë çështje, që kanë të bëjnë me zhvillimet ekonomike, po ndërlidhen me aspektin e statusit politik të Kosovës. Unë mendoj se pala serbe është jo e përgatitur për të bashkëpunuar me institucionet ndërkombëtare, për të bashkëpunuar për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Pala serbe ka mbetur ende në periudhat e mëhershme të politikave të saj; shumë pak ka ndryshime në aspektin e statusit politik të Kosovës. Pala kosovare është e përcaktuar për të ardhur deri te përmbyllja e një procesi, 100 vjeçar, që është krijimi i shtetit të Kosovës, krijimi i një shteti për të gjithë qytetarët e Kosovës. Prandaj, unë pres që ne t’i dinamizojmë përpjekjet tona në muajt e ardhshëm dhe brenda këtij viti ta përmbyllim statusin politik të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët përmbylljen e këtij procesi, të cilin e konsideroni si të gjatë. A mendoni se në të vërtetë do të ketë përmbyllje pas 10 dhjetorit, kur edhe do të përfundojnë negociatat shtesë, apo, siç thonë disa analistë, do të ketë shtyrje të mëtejme?

ETHEM ÇEKU
Ne nuk do të dëshironim të kemi shtyrje të proceseve politike, sepse kjo shtyrje dikujt i duket shtyrje e lehtë javore, mujore, por për ne janë shtyrje shekullore. Ne jemi duke pritur momentin historik që një shekull të tërë të përpjekjeve për çlirim dhe për të ndërtuar një shoqëri demokratike në Kosovë. Prandaj, unë, personalisht, nuk besoj se duhet të shkojmë me shtyrje të procesit, se zhvillimet e politikave globale kanë dinamikat e tyre dhe unë frikësohem se procesi i Kosovës do të rrëshqasë në kriza të ndryshme. Prandaj, jam për atë që sa më shpejt të arrijmë te një fazë finale e zgjidhjes së statusit të Kosovës, e krijimit të shtetit dhe finalizimit të statusit. Dhe, njëkohësisht, jam që kjo të përmbyllet brenda këtij viti kalendarik, që ne llogarisim diku pas 10 dhjetorit.

RADIO EVROPA E LIRË
Folët për krizat eventuale botërore. Disa analistë parashohin që nëse ka shtyrje, atëherë çështja e Kosovës mund të shndërrohet në konflikt të ngrirë. Si mund të evitohet kjo?

ETHEM ÇEKU
Unë nuk besoj se do të kemi konflikte të ngrira. Ne jemi duke luftuar për të ardhmen e vendit tonë. Konfliktet do të jenë shumë të hapura. Statusi politik i Kosovës, siç kemi theksuar, është një kompromis që jemi duke bërë për paqen në Ballkan dhe për stabilitetin në Ballkan. Dhe, nëse kjo paqe dhe kjo sakrificë e jona nuk sublimohen me statusin politik të Kosovës, me krijimin e shtetit të pavarur, do të thotë nuk flasim më për një konflikt të ngrirë, por flasim për një ekzistencë të njërit nga qytetërimet më të lashta në këtë pjesë të Ballkanit. Dhe, ne dëshirojmë të jetojmë në paqe, në lumturi, dëshirojmë të jetojmë në progres dhe në reforma, për t’u integruar në vendet e BE-së, me një shtet të Kosovës. Prandaj, këtu nuk mund të jemi për atë që mos të kemi të drejtën e qasjes në Fondin Monetar, në institucionet financiare ndërkombëtare, të drejtën e ulëses në Kombet e Bashkuara dhe me një restruksion të madh në aspektin ekonomik dhe aspektet financiare. Prandaj, ne do të bëjmë përpjekje maksimale që mos të mbajmë një gjendje të status quo-s. Ju e dini se status quo-ja është një proces që duhet të tejkalohet në Kosovë. Prandaj, ne po punojmë, bashkë me institucionet ndërkombëtare, që të arrijmë në përmbylljen e statusit final të Kosovës. Prandaj, nuk jemi ithtarë të ndonjë konflikti të ngrirë, që e ka vendosur politika serbe në fjalorin e saj në kohën e fundit.

RADIO EVROPA E LIRË
Politikanë kosovarë dhe analistë kanë thënë se nëse pas 10 dhjetorit nuk ka një zgjidhje përmes Këshillit të Sigurimit, atëherë shpallja e pavarësisë së njëanshme mbetet zgjidhja e vetme. A mendoni se janë krijuar kushtet që kosovarët ta shpallin pavarësinë pas 10 dhjetorit?

ETHEM ÇEKU
Në përpjekjet e lëvizjes sonë politike në Kosovë, kemi pasur shumë veprime të shpalljes dhe ato shpalljet tona nuk kanë reflektuar në implikimet ndërkombëtare. Do të thotë, nuk kemi qenë të pranuar ndërkombëtarisht. Tani, një veprim tonin të njëanshëm, jemi duke bërë analiza të hollësishme dhe unë mendoj se faktori ndërkombëtar, institucionet ndërkombëtare do ta mbështesin këtë veprim të institucioneve të Kosovës. Dhe, ne besojmë se këto zhvillime që do të vijnë, nuk do të jenë zhvillime të mbyllura në një cirk të mbyllur brenda Kosovës, por do të ketë refleksionet e mbështetjes ndërkombëtare për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ne u jemi shumë mirënjohës pozicioneve të SHBA-ve dhe BE-së për përkrahjen e statusit politik të Kosovës. Mirëpo, ne, institucionet vendore duhet ta marrin shumë fuqishëm rolin e tyre në përcaktimin e statusit politik të Kosovës. Ne kemi obligime ndaj qytetarëve të Kosovës për ta përmbyllur statusin politik të Kosovës. Unë besoj se pas 10 dhjetorit, institucionet e Kosovës, këto që janë apo ato që do të krijohen pas zgjedhjeve, do ta marrin rolin e tyre, do ta thonë fjalën e tyre dhe të jenë në harmoni po ashtu edhe me politikën ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Pak ditë kanë mbetur para se të fillojë fushata parazgjedhore. Ndërkohë që partitë politike veç kanë filluar aktivitetet për t’u përgatitur për zgjedhjet e 17 nëntorit. Sa është duke ndikuar procesi i zgjedhjeve në procesin e statusit final?

ETHEM ÇEKU
Nuk mund ta mohojmë; është një fakt shumë evident se çështja e zgjedhjeve, në realitet, është duke marrë një energji të madhe të njerëzve në Qeveri, në Parlament dhe në të gjitha institucionet. Partitë politike janë të përkushtuara për të hyrë në fushatën elektorale. Unë duhet të thirrem në fjalën e presidentit, kur tha se në institucionet e Kosovës janë duke u përgatitur për dy fushëbeteja, edhe për çështjen e statusit, edhe për çështjen e zgjedhjeve. Mendoj se këto dy beteja janë mjaft të vështira për të arritur deri te fitorja. Mirëpo, unë, megjithatë, jam optimist se statusi është alfa-omega i të gjitha proceseve në Kosovë dhe zgjedhjet, si proces demokratik, po ashtu janë të rëndësishme për të ardhmen e vendit tonë.

INTERVISTOI: ALBANA ISUFI
XS
SM
MD
LG