Ndërlidhjet

logo-print

KRASNIQI:”ÇDO KOMPROMIS TJETËR, PËRTEJ PLANIT TË AHTISAARIT, ËSHTË KOMPROMITIM”


Jakup KRASNIQI, Partia Demokratike e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi, shefat e diplomacive të Bashkimit Evropian u kanë bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit, që gjatë bisedimeve të angazhohen dhe të kenë një kreativitet e vendosmëri më të madhe, për gjetjen e një zgjedhjeje për statusin e Kosovës. Ju, a mendoni se palët po japin maksimumin?

JAKUP KRASNIQI
Mendoj se këto bisedime janë të imponuara dhe janë të imponuara nga qëndrimi i Rusisë, i mbajtur në Këshillin e Sigurimit. Jemi të bindur se pala kosovare, gjatë bisedave të Vjenës, ka qenë mjaft konstruktive, ka bërë kompromise, ndoshta shumë më të mëdha seç do të duhej të bënte dhe në një mënyrë, duke pasur ndërmjetësues presidentin Ahtisaari, ka ofruar një zgjidhje, ka pranuar një kompromis të dhimbshëm. Jo vetëm që i ka ngritur standardet sa i përket pakicës serbe në Kosovë, por është larg të gjitha standardeve që janë në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Dhe, konsiderojmë se edhe në bisedimet e tashme, pala shqiptare ka treguar një gatishmëri, për të harruar një periudhë shumë të dhimbshme dhe për të menduar më shumë për të ardhmen. Kurse, sa i përket palës serbe, mendoj se i gjithë angazhimi i tyre, edhe në procesin e Vjenës, nuk ka qenë ndihmues dhe për të gjetur një kompromis, edhe pse kompromisi është ofruar. Në anën tjetër, edhe në këto bisedime, ato vazhdojnë të jenë sabotues dhe pengues, jo vetëm të proceseve politike në Kosovë, por edhe të proceseve politike në komunitetin ndërkombëtar.

RADIO EVROPA E LIRË
Përfaqësuesit e Treshes ndërkombëtare kanë thënë se roli i tyre është që t’i lehtësojnë bisedimet, ndërsa Prishtina dhe Beogradi duhet të gjejnë ide të reja, të cilat do të mundësonin përparim në bisedime. Çfarë idesh të reja, apo çfarë kompromisi tjetër duhet të bëjë pala kosovare?

JAKUP KRASNIQI
Ne mendojmë që adresa ose fajësimi i dy palëve për ide të reja nuk është i qëndrueshëm, nuk ka bazë, për faktin se gjatë gjithë bisedimeve të Vjenës, pala kosovare vazhdimisht ka shkuar me ide të reja, ka pranuar diçka që është e dhimbshme edhe për qytetarët e Kosovës, ndërsa pala serbe, gjatë gjithë asaj kohe, vërtet ka qenë penguese. Dhe, nëse nga dikush duhet të kërkohet që të ketë ide të reja, atëherë kjo do të duhej të kërkohej nga pala serbe. Ne konsiderojmë se nuk mund të trajtohet si pala shqiptare, që gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë mjaft konstruktive dhe, në një mënyrë, ky konstruktivitet sikur po i bën dëm të gjitha zhvillimeve dhe gjithë perspektivës në Kosovë. Ne jemi të bindur që Treshja duhet t’i shtojë presionet në palën e Beogradit, kurse pala kosovare duhet të marrë përgjegjësitë që dalin nga dokumenti i Ahtisaarit. Çdo kompromis tjetër, përveç dokumentit të Ahtisaarit, për palën kosovare do të ishte kompromitim dhe jo kompromis.

RADIO EVROPA E LIRË
Politikanët kosovarë dhe analistë të ndryshëm kanë thënë se nëse pas 10 dhjetorit nuk gjendet zgjidhja përmes Këshillit të Sigurimit, duhet shpallur pavarësinë. Ju, a mendoni se janë krijuar kushtet për një shpallje të njëanshme?

JAKUP KRASNIQI
Ne jemi të bindur se pala kosovare nuk duhet të ngutet në hapin e marrjes zyrtare të shpalljes së pavarësisë së Kosovës ose deklaratës për pavarësinë e Kosovës. Duhet ta presë 10 dhjetorin, duhet ta presë edhe qëndrimin e një pjese tjetër të komunitetit ndërkombëtar, që e ka mbështetur pavarësinë e Kosovës, që e ka mbështetur dokumentin e Ahtisaarit. Dhe, natyrisht, nëse nuk ka zgjedhje të pranueshme, nëse Rusia nuk e tregon gatishmërinë për ta pranuar pavarësinë e Kosovës në Këshillin e Sigurimit, atëherë për Kosovën dhe për komunitetin ndërkombëtar mbetet vetëm një rrugë - shpallja e pavarësisë. Shpesh dëgjohet të thuhet -e njëanshme-; në fund të fundit, shpallja dhe krijimi i shteteve në çdo vend të botës ka qenë njëanshëm, prandaj nuk duhet të bëjë përjashtim as Kosova.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të ndikohet procesi i negociatave nga fushata zgjedhore dhe zgjedhjet?

JAKUP KRASNIQI
Unë mendoj se do të kenë ndikim pozitiv. Zgjedhjet janë procedura demokratike, që duhet të organizohen mbi bazën e ligjit. Dhe, mbi bazën e ligjit, zgjedhjet në Kosovë do të duhej të mbaheshin këtë vit. Prandaj, ne konsiderojmë jo vetëm që zgjedhjet nuk janë pengesë, por zgjedhjet do të krijojnë një realitet të ri politik në Kosovë. Do të legjitimohet ndoshta edhe ndonjë forcë e re politike, që më parë nuk ka qenë në skenën politike. Por, gjithsesi, skena politike në Kosovë do të freskohet. Skena politike, që do të dalë nga zgjedhjet e 17 nëntorit të këtij viti, duhet të mësojë diçka nga gatishmëria e institucioneve të Kosovës për të marrë vendime të rëndësishme për statusin politik të Kosovës, për të marrë vendime të rëndësishme edhe për qytetarët e Kosovës. Unë mendoj se do të kenë ndikim pozitiv.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG