Ndërlidhjet

ANALISTËT: DOKUMENTI 14 PIKËSH I TRESHES S’ËSHTË IMPONUES


Bekim Bislimi

Takimi i sotëm në Vjenë, i paralajmëruar në mes Prishtinës dhe Beogradit, në kuadër të bisedimeve për definimin e statusit politik të Kosovës, përmban vetëm një ndryshim ose risi nga takimet paraprake në mes të këtyre palëve dhe ky është dokumenti i paralajmëruar nga Treshja ndërmjetësuese, i cili, siç thuhet, përmban 14 pika, në të cilat Prishtina dhe Beogradi, gjatë bisedimeve të deritashme, kanë treguar se kanë përafrim qëndrimesh. Kështu thonë analistët nga Kosova. Analisti Ilir Dugolli thotë se duhet pasur parasysh që Treshja ndërmjetësuese nuk ka mandat që të imponojë vendime në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit, ndërkaq që përmbajtja e dokumentit 14 pikësh, që pritet të parashtrohet sot, edhe pse thuhet se përmban sugjerime lidhur me pikat ku palët negociuese kanë qëndrime të përafërta, megjithatë ende është e paqartë. ”Përmbajtja nuk dihet nëse është vetëm përmbledhje e pikave prekëse, e pikave të pajtimit në mes të palëve, apo është njëfarë lloj sugjerimi për zgjidhjen e mundshme. Duket të jetë më shumë ajo e para, mirëpo edhe për atë, unë nuk jam plotësisht i sigurt se krejt pikat janë të pranueshme për të dyja palët. Ka disa pika, të cilat janë paksa problematike për njërën ose tjetrën palë; të them, pika ku shprehimisht thotë se Kosova nuk do të qeveriset nga Serbia dhe kjo, në shikim të parë, është në vijë me qëndrimin që disa herë e kanë përsëritur autoritetet e Beogradit. Megjithatë, nuk dihet se cilat janë reperkusionet konkrete dhe detajet e një zgjidhjeje të tillë”, tha Dugolli. Ndërkaq, edhe analisti Qerim Qerimi shpreh mendimin se dokumenti i Treshes nga Grupi i Kontaktit, që do t’u parashtrohet Prishtinës dhe Beogradit sot në Vjenë, nuk pretendon që të imponojë propozime ose vendime të këtij grupi ndërmjetësues. ”Për aq sa kam informacione, këto pika kryesisht përfshijnë aspekte më tepër të natyrës teknike, jo edhe aq substantive ose politike. Ideja është nëse palët arrijnë të merren vesh në ndonjë prej këtyre çështjeve, atëherë duhet të planifikohet të shkohet tutje në diskutimin e çështjeve të natyrës më tepër politike ose përmbajtjesore”, tha Qerimi. Pavarësisht se Treshja ndërmjetësuese po përpiqet që t'i përmbledhë çështjet, ku Prishtina dhe Beogradi mund t'i përafrojnë qëndrimet, megjithatë takimi i Vjenës nuk pritet të sjellë ndonjë përparim ose marrëveshje të palëve, lidhur me çështjet substanciale që kanë të bëjnë me përcaktimin e statusit politik të Kosovës, thonë këta analistë. Zoti Dugolli thekson se, megjithëkëtë, dokumenti i Treshes mund të sjellë optimizëm lidhur me procesin. ”Nëse ka ndonjë të mirë në këtë dokument, është se edhe Treshja po fillon t’i kufizojë opsionet e mundshme, sepse deri më tani, vërtet, rreziku i madh ka ekzistuar në atë kreativitetin që ata e kanë inkurajuar, duke nxitur diskutime edhe për konfederatë të mundshme, edhe për ndarje, edhe për opsione të tjera, gjë që është krejt e ndryshme në krahasim me procesin e udhëhequr nga presidenti Ahtisaari, ku ideja ka qenë të kufizohen alternativat e jo të shumohen ato”, theksoi Dugolli. Ndryshe, analisti Qerimi thotë se përvojat e deritashme të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk japin ndonjë shpresë, se takimi i Vjenës mund të sjellë ndonjë të veçantë pozitive. ”Duke pasur për bazë atë se si ka rrjedhur procesi në të kaluarën dhe gjithë përpjekjet që janë bërë në dy vjetët e kaluara, ku palët nuk ishin në gjendje të merren vesh as për çështje të natyrës teknike, kjo le të kuptohet se shkalla e probabilitetit nuk është e lartë që të pritet shumë edhe nga ky takim”, tha Qerimi.
XS
SM
MD
LG