Ndërlidhjet

VAZHDON NGRITJA E ÇMIMEVE TË ARTIKUJVE USHQIMORË


Nadie Ahmeti

Çmimi i një buke, nga 35 centë sa ka qenë, është ngritur në 45 deri në 55 centë. Mielli dhe vaji janë shtrenjtuar gati qind për qind. Një pako vaj nga 12, është bërë 22 euro, ndërkaq 100 kg miell, nga 28 euro sa ishin, tani shiten 55 euro. Këta janë vetëm disa nga artikujt elementarë, çmimet e të cilëve, ditëve të fundit, janë ngritur në masë të madhe. Tregtarët parashohin shtrenjtime tjera në ditët e ardhshme. Ekspertë për çështje ekonomike thonë se ngritja e çmimeve të disa produkteve ushqimore ka ndodhur si pasojë e ndryshimeve globale në tregun botëror. Megjithatë, Flamur Keqa, nga Oda Ekonomike e Kosovës, pohon se Qeveria e Kosovës është dashur të ketë një fond rezervë për të intervenuar në raste emergjente, për faktin se Kosova nuk mbulon tregun vendor me prodhime vendore, por është e detyruar të importojë nga vendet fqinje. “Fatkeqësisht, po shtrenjtohen ato produkte, të cilat janë më elementare dhe më të domosdoshme për kategoritë që janë më të rrezikuara në shoqërinë kosovare. Vetëm buka, në krahasim me shtatorin e kaluar, është shtrenjtuar për 31.5 për qind. Mirëpo, nëse i krahasojmë edhe shtrenjtimet e fundit në tetor, kjo shifër do të jetë 70-80 për qind”, pohon Keqa. Ai, ndërkaq thotë se kjo situatë duhet të jetë brengosëse për organet qeverisëse dhe, sipas Keqës, gjithsesi duhet të marrin masa që ta pamundësojnë apo frenojnë këtë ngritje të çmimeve. “Unë mendoj se Qeveria e Kosovës duhet të mendojë dhe duhet t’i planifikojë më mirë situatat që mund të bëhen emergjente apo të jashtëzakonshme. Duhet të ndërmerren masa, të shikohen këto mundësi të keqësimit të gjendjes. Kjo është shumë me rëndësi, duke ditur se në çfarë faze të zhvillimit jemi”, shprehet Keqa. Avni Arifi, zëdhënës i kryeministrit të Kosovës, pohon se Qeveria nuk ka kompetenca që të ndërhyjë në çmimet e tregut kosovar dhe të formojë një mekanizëm për rezervat shtetërore. “Kjo periudhë kohore është shfrytëzuar për krijimin e institucioneve të reja dhe nuk është shkuar aq larg edhe në krijimin e një mekanizmi të tillë, siç është ai i rezervave shtetërore”, thotë Arifi. Por, Flamur Keqa, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se përfaqësues të institucioneve vendore është dashur të kërkojnë nga organet ndërkombëtare formimin e një mekanizmi të tillë. “Institucionet qeveritare arsyetohen nganjëherë se nuk kanë kompetenca për të mbajtur rezerva të grurit. Por, megjithatë, detyrë e tyre është që ta bindin UNMIK-un, apo faktorët e jashtëm. Nëse nuk kanë kompetenca, t’i bindin se kjo është domosdoshmëri dhe secili shtet i mban rezervat strategjike”, thotë Keqa. Avni Arifi pranon se Qeveria e Kosovës nuk e ka kërkuar një gjë të tillë nga institucionet ndërkombëtare. “Nuk kemi kërkuar, sepse ne vazhdimisht jemi duke kërkuar shumë nga institucionet ndërkombëtare për vetë kompletimin e Qeverisë së Kosovës. Edhe pas shtatë vjetësh, Qeveria e Kosovës ende nuk është e kompletuar”, shprehet Arifi. Ndryshe, ngritja e çmimeve të artikujve ushqimorë në Kosovë ka filluar prej vitit të kaluar. Sipas Indeksit të Çmimeve të Entit të Statistikave të Kosovës, çmimet e konsumit, në muajin shtator, janë ngritur në një mesatare prej 6.7 për qind, në krahasim me shtatorin e vitit të kaluar. Por, ende nuk është nxjerrë indeksi i çmimeve të këtij muaji, që, sipas ekspertëve, përqindja e ngritjes së çmimeve tashmë është dyshifrore.

XS
SM
MD
LG